Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike po përpiqet që të marrë pjesë në negociatat mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit konsensual.
Para dy netësh, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pas mbledhjes së anëtarëve të “Foltores” se deputetët demokratë Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi janë përcaktuar si ndërmjetësues për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së pasuesit të presidentit Ilir Meta. Deputeti demokrat i Elbasanit, Luçiano Boçi sulmoi kryetarin e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn se po zbaton axhendën e kryeministrit Edi Rama për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas tij, Alibeaj po përpiqet të ruajë pozitën e vet në selinë blu, por nuk ka legjitimitet pasi është shkarkuar nga çdo funksion nga dy Kuvendet e 11 dhjetorit 2021 dhe 30 prillit 2022 të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Boçi shtoi se Alibeaj është bërë pjesë e farsës së shumicës socialiste për çështjen e presidentit pasi beson se në fund PS do të zgjedhë kandidatin e vet në krye të Presidencës. “Qëndrim që në fundore nuk ka qëllim që të japë kontribut për zgjedhjen e presidentit.
Rama s’ka për ta marrë në konsideratë çdo propozim, Alibeajt i përputhet axhenda me Ramën. Në fund do zgjedh atë që do. Ai do të tregojë autoritetin e tij, por është misioni përçarës, sepse po insiston të ruajë pozitën e tij ndërkohë që statuti i partisë nuk e njeh të jetë negociator. Duhet ta bëjë Këshilli Kombëtar. Është një axhendë e tij për interesa personale. Më vjen keq që u bë pjesë e kësaj loje, kërkon të pastrojë figurën e Ramës. Presidenti duhet të jetë konsensual”, deklaroi në një studio televizive Luçiano Boçi para dy ditësh.
Rama: Nuk bashkëpunojmë me ‘non gratën’
Ndërkohë dje kryeministri Edi Rama ka refuzuar bashkëpunim me ish-kryeministrin Sali Berisha për çështjen e presidentit të ri. Këtë gjë e pohoi dje gjatë një konference për mediat krah ministrit Manja. “Në qoftë se ishte një pyetje që ta mbyllim e humor këtë konferencë, unë të përgëzoj sepse ia arrite qëllimit. Megjithatë, unë nuk kam pse të mos përgjigjem.
Asnjë vendim që vjen nga non grata i madh dhe nga të verbrit rreth tij, nuk ka shans të merret në konsideratë nga ne, asnjë, nga asnjë lloj nuk ka shans të merret në konsideratë nga ne”, deklaroi ai. Ndërkohë kur u pyet nga njëri prej gazetareve për Berishën ai iu përgjigj me fjalët e Jezu Krishtit.
“Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit, thotë Jezu Krishti”, tha Rama gjatë takimit me gazetarët. Më herët në Asamblenë e Partisë Socialiste në 7 maj, kryeministri Edi Rama refuzoi kategorikisht të bashkëpunojë me Grupin e Rithemelimit të PD dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo për çështje të tjera.
Shefi i qeverisë shtoi se PS është ndarë njëherë e mirë nga Berisha, të cilin e konsideron burimin e së keqes më të madhe. Rama nënvizoi as për çështje banale nuk do të bisedojë me “Foltoren” dhe Berishën. “E përjashtoj kategorikisht si të klasifikueshme ‘non gratën’ e madhe. PD nuk do të njohë në asnjë rast dhe për asnjë arsye asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim.
Ai është drejtim me të cilin politika e PS dhe e Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje. Nuk kemi dhe s’do të kemi kurrë. Të hidhem përpjetë, nuk do të njohim asgjë nga ai burimi i së keqes së madhe. Jo për presidentin, por as për rojën e cilësdo godinë në vend dhe as për një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës nuk marrim nga ata”, deklaroi Rama në 7 maj.
Alibeaj: Presidenti s’duhet të ndikohet nga votat e ‘non grata’-ve
Por në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama, duket se është rreshtuar edhe kreu i komanduar i Partisë Demorkatike, Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se presidenti i ri nuk duhet të ndikohet aspak nga votat e politikanëve të shpallur “non grata”. Me këtë fjali, ai nënkuptoi se Berisha nuk mund të përfshihet në PD për bisedimet për presidentin e ri.
“Njeri me një profil politik që të mos ketë të bëjë fare me influencën e votave të ‘non gratave’. Janë 4 deputetë që nuk kanë të drejtën morale të dalin në konkluzione. Morali politik është se duhet të jetë i afektuar nga votat ‘non grata’. Duhet një profil politik, jo hermafrodit. Që të mos ketë të shkuar dhe të jetë përballur me sprova”, deklaroi Alibeaj.