Brenda “Foltores” ka përplasje të forta për pushtet, në prag të nisjes së sesioni të ri parlamentar. Lufta në grupimin e Sali Berishës tregon hapur se kjo e fundit është e përçarë dhe se fati i saj është në dorë të Gjykatës së Apelit, aty ku kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj po përballet me “Foltoren”, pasi ai ka ankimuar vendimin e paprecedent të Agron Zhukrit, i cili i fali PD-në, Sali Berishës.
Mësohet se Gjykata e Apelit e ka thelluar me themel këtë çështje dhe se pritet që të rrëzojë vendimin e Zhukrit, pavarësisht se Sali Berisha po e shantazhon atë dhe madje ka paralajmëruar se nuk do të njohë asnjë vendim të saj. Por çfarë po ndodh në prapaskenë? Gazeta“SOT”ka mësuar se Berisha po luan çdo kartë që Partia Demokratike të mbetet në dorë të tij pavarësisht vendimit të Apelit.
Ai së fundmi ka nisur që të joshë deputetët me poste dhe ofiqe që të rikthejë në normalitet jetën parlamentare të demokratëve duke marrë shumicën e grupit dhe duke larguar nga drejtimi i tij, Enkelejd Alibeajn. Burimet bëjnë me dije se, Berisha ka piketuar demokratët e pakënaqur me linjën e Alibeajt, por edhe ata që kërkojnë poste të reja. Ndaj edhe kontaktet kanë vijuar me deputetë që janë jashtë këtyre grupeve.
Zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, mund të lëkundin disa deputetë, kryesisht ligjvënës demokratë që vijnë nga eksperienca të mëparshme në pushtetin vendor. Kështu Zef Hila, Xhelal Mziu, Ramadan Lika dhe Bledion Nallbati hoqën dorë nga pushteti vendor në 2019, por nuk i kanë fshehur ambiciet për rikthime në zonat e tyre të influencës. Por, a është gati Berisha t’i ofrojë dhe mbështes këta deputetë? Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë ditët në vijim
Apeli fundos Berishën politikisht
Pra duket se Berisha e nisi foltoren për të kthyer “demokracinë” në PD, por po e bitis në një parti qokash e pazaresh ku mbështetësit kacafyten me njëri tjetrin për të ndarë postet. Megjithatë ky rivalitet nuk do zgjasë shumë, pasi në momentin që do të flasë Gjykata e Apelit të gjithëve do ju ikë mundi kot. Nëse Apeli rrëzon statutin e “foltores”, asnjë nga këto poste që po ndan Berisha nuk do jetë legjitim.
Ky vendim do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top.
Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Sot që flasim “Foltoren” nuk e njeh asnjë institucion. Edhe me forcë Berisha nuk e mban dot selinë blu nëse Apeli i heq PD. Gazeta ka mësuar se pas këtij veprimi dhe në kushtet ku Sali Berisha dhe mbështetësit e tij do të bëjnë rezistencë, mësohet se drejtuesit legjitim të Partisë Demokratike do të pajtojnë një polici private për të ruajtur godinën.
Kjo strategji pritet t’i hapë telashe Berishës, pasi ai dhe mbështetësit e tij nuk mësyjnë dot në godinën blu, sikundër bënë më 8 janar të këtij vitit, pasi policia private nuk pret urdhra nga Basha apo Alibeajn dhe se ligji i jep të drejtë asaj që të thërrasë në ndihmë Policinë e Shtetit, për të shtypur revoltat apo dhunën që mund të aplikohet nga ithtarët e Berishës. Pra si përfundim, nuk është habi që Berisha t’i ketë shitur dosjen e Ilir Metës, kryeministrit Rama në këmbim të fitores së gjyqit te PD.