Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi ditën e djeshme rezolutën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat të zgjedhur në Kuvendin e 30 prillit votuan qëndrimin zyrtar kundër votimit të presidentit të ardhshëm të propozuar nga radhët e Partisë Socialiste ose pa konsensus të vërtetë. Gjithashtu, 211 anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat përjashtuan kreun e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn, n/kryetaren Jorida Tabaku dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazment Bardhin nga përfaqësimi në emër të demokratëve në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e PS, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të PD, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruhet në rezolutën e miratuar dje nga Këshilli Kombëtar demokrat. Por skandali ka plasur gjatë numërimit. Pamjet kanë nxjerrë zbuluar numëruesit. “Futja 300 e ca! Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.
PD kërkoi të zgjidhet presidenti si në vitin 2002
Në pikën kundër votimit të kandidatit për kryetar shteti nga radhët e mazhorancës socialiste, Komisioni i Rithemelimit shprehet se legjitimiteti pozitës për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës është në dyshim për shkak se raportet e OSBE-ODIHR dhe Departamentit Amerikan të Shtetit vërtetuan korrupsionin dhe shitblerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
“Foltorja” kujtoi vitin 2001 kur Parlamenti Europian kërkoi në vitin 2002 që presidenti i kohës të zgjidhej medoemos me konsensus pozitë-opozitë për shkak se PS fitoi zgjedhjet parlamentare të 2001 në mënyrë jo tërësisht legjitime.
“Raporti i OSBE/ODIHR-it dhe ai i DASH-it si dhe një numër procedimesh penale damkosin me vulën e korrupsionit dhe të shit-blerjes së votës mandatet që i japin shumicën parlamentare PS. Kjo shumicë dhe legjitimiteti i saj për zgjedhjen e Presidentit, ashtu si në vitin 2002, është vënë në pikëpyetje.
Ashtu siç PE në vitin 2001, pas masakrës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të atij viti dhe krizës politike që e pasoi, kërkoi që Presidenti të zgjidhej me konsensus pavarësisht se mazhoranca socialiste e kishte shumicën e nevojshme për zgjedhjen e tij, po ashtu procesi aktual i zgjedhjes së Presidentit me konsensus është me rëndësi për stabilitetin”, shkruhet më tej në rezolutën e Grupit të Rithemelimit të PD.
Paloka rizgjidhet në Këshillin Kombëtar të PD
Deputeti demokrat Edi Paloka u votua si kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të PD. Ai siguroi 132 vota përballë rivales ish-deputete të Korçës, Eleina Qirici. Paloka drejtoi Këshillin Kombëtar demokrat pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, por pas 9 shtatorit të vitit të kaluar kur Lulzim Basha përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare, ai u rreshtua në krah të ish-liderit historik të PD. Basha dhe organet zyrtare të partisë e shkarkuan Palokën nga posti i kreut të Këshillit Kombëtar të PD.
Deputetët e PD nuk morën pjesë në Këshillin Kombëtar
Në seancën e parë të Këshillit Kombëtar të PD nuk morën pjesën 36 deputetë. Befasi ishte mungesa e deputetes së qarkut të Vlorës, Ina Zhupa, e cila mori pjesë në punimet e Kuvendit të 30 prillit të thirrur nga “Foltorja”, ndërsa në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar demokrat nuk shkoi. Këshilli i ri Kombëtar i PD përbëhet nga 274 anëtarë. Deputetët që munguan dje ishin: Agron Gjekmarkaj, Alfred Rushaj, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Emilja Koliqi, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano (Tase), Fatjon Veizaj, Ferdinant Xhaferraj, Flamur Hoxha, Flutura Açka, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja, Lindita Metaliaj, Lulzim Basha, Merita Bakiu, Orjola Pampuri, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Seladin Jakupllari, Zef Hila, Zheni Gjergji, Ervin Salianji, Grida Duma, Tomor Alizoti dhe Ina Zhupa./Dario Velaj