sh-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi po ndjekin taktikën e Shullazit, duke zvarritur pa fund seancat gjyqësore, me qëllim shtyrjen e gjykimit për korrupsion dhe pastrim parash. Prej pesë muajsh, Berisha dhe dhëndri i tij kanë bllokuar procesin në GJKKO për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së tyre, me manovra procedurale, mungesa të simuluara dhe marifete të tjera.
Sot pritej të vendosej nëse ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi do të kalonin për gjykim, por seanca paraprake u shty sërish për më 11 prill. Arsyeja e shtyrjes së seancës është mungesa e avokatit të Malltezit.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”. Ish kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim miliona euro nga ky biznes që nisi me paligjshmëri. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Ndërkohë, një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.