Sali Berisha është ndalur dje në qytetin e Lushnjes, ndërsa ka zhvilluar një takim me simpatizantët demokratë në kuadër të nismës “Foltorja” përmes së cilës pretendon se do të rivendosë demokracinë brenda Partisë Demokratike.
Edhe në këtë takim, si në shumë takime të tjera, ra në sy braktisja që deputetët demokratë po i bëjnë “Foltores”, pasi asnjë nga ligjvënësit e PD të Lushnjes dhe rrethinave të saj nuk ishte prezent, ndërkohë që të vetmit që i bënin shoqëri Berishës ishin deputetët e zonave të tjera si Tritan Shehu i Gjirokastrës, Flamur Noka i Tiranës dhe Luan Baçi i Fierit.
Berisha kërkon përmbysjen e Ramës
Por pavarësisht braktisjes që po i bëjnë deputetët e Partisë Demokratike “Foltores”, shumica e të cilëve janë rreshtuar krah kryedemokratit Lulzim Basha, ish-kryeministri ka vijuar aksionin e tij. Nga Lushnja zoti Berisha u shpreh se qytetarët nuk do ta pranojnë më diktaturën e krimit dhe korrupsionit, siç e quajti qeverinë “Rama 3”, ndërsa bëri thirrje për përmbysjen e saj. Sipas tij, “Foltorja” do ta kthejë PD-në në piedestalin që i takon.
“Foltorja do ta kthejë PD-në në një forcë vigane të lirisë, demokracisë dhe fitores. Mjerisht nga demokracisë fragjile kanë lindur edhe diktaturat.
Në Shqipëri u ngrit një diktaturë e bazuar mbi krimin, drogën dhe korrupsionin. Bazohet në vjedhjen e votës, varfërimin e qytetarëve, largimin e tyre masivisht nga Shqipëria. Ky narkoshtet apo diktaturë e bazuar mbi krimin, drogën dhe korrupsionin, jo vetëm ka shkelmuar votën tuaj por ia doli në këto 8 vite të rrëmbejë të gjitha pushtet.
Dhe të shndërrojë partinë e martirëve të lirisë, PD-në, partinë që përmbysi diktaturën komuniste ta shndërrojë siç do më thoshte dje në një mesazh të saj, një zonjë e nderuar, një sekretare e një dege të Tiranës, në një ministri të narkoqeverisë së Edi Ramës. Por ne jemi këtu për t’u zotuar se këtë nuk e pranojmë kurrë dhe së bashku me këtë ne do të përmbysim Edi Ramën”, deklaroi ai.
Ish-kryeministri sulmon gjyqtarët
Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar fort edhe reformën në drejtësi, ndërsa ka shtuar sulmet ndaj gjyqtarëve që kanë në dorë hapjen e “Gërdecit”. Berisha thekson se vetingu u bë për gjueti të shtrigave, duke shtuar se në krye të drejtësisë janë vënë vëllezër të ministrave dhe shërbëtore të qeverisë si Sokol Sadushi dhe Ilir Panda në Gjykatën e Lartë.
“Vetingu u përdor për gjueti shtrigash, për të nxjerrë në krye të drejtësisë vëllezërit e ministrave, si famosi Sokol Sadushi e shumë të tjerë. E përdorën për të nxjerrë ish-ministra në krye të drejtësisë, e përdorën me tre standarde vetingun. Kushtetuta thotë se vetingu duhet të bëhet publike, e atyre nuk iu publikohet, sepse janë mëkatarë, por meritojnë të jenë në burg.
Ne nuk gëzojmë të drejtën e një procesi të vetingut që të jetë i drejtë. Kanë vendosur njerëz të tyre në krye të institucioneve më të rëndësishëm, iu besohen dosjet të rinjve të FREESH-it. Shqiptarët mendonin në shumicë se vetingu është bërë keq, edhe reforma në drejtësi.
Tani Basha do të maskojë votimin që do bëjë për Palomën”, nënvizoi ai. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha iu referua deklaratës së Bashës kur e cilësoi procesin si “masakër elektorale”, por nuk i kontestoi zgjedhjet dhe vrapo pas karriges së tij. Ai tha se Basha ka marrëveshje me Edi Ramën për ta shndërruar PD-në në “ministri të narkoshtetit”.