Sekretari për Çështjet Vendore në Partinë Demokratike, Roland Bejko komentoi mbrëmjen e djeshme zhvillimet më të fundit brenda kampit demokrat.
Bejko tha se Berisha mori në Kuvend pronën e tij dhe kërkon ta hipotekojë.
Ndër të tjera Bejko u shpreh se në lista nuk u futën ata që u identifikuan si kundërshtar të doktorit, por njerëz me të cilët ish-kryeministri ka ndarë para dhe pushtet.
“Berisha përfundimisht i dha kuptimin institucional lëvizjes së tij për të marrë PD-në, një puç institucional, dhe mendoj që e ka pasur të qartë që në fillim kur thoshte ‘never say never’ nëse Basha s’do ta mbronte nga agresioni amerikan. Politika shqiptare është tribale, ati shpirtëror i PD ishte Berisha.
Ende pas 30 vjetësh një pjesë e madhe e anëtarëve të PD vazhdojnë të besojnë te Berisha, një 78-vjeçar. Shqiptarët janë mëkuar me figurën epike të kryetarit të fisit. Të besosh ende te Berisha pas 32 vjetësh, ku përsërit vetveten pa kartën morale të të kaluarës, që justifikonte revanshin ndaj kundërshtarët.
Berisha është produkt i shoqërisë, ndonëse ndërtoi strategji manipulimi, ndërtoi një armik Bashën, e nxori të zi. Berisha e kishte dhënë partinë me qira te Basha, ai tentoi ta hipotekonte, por ai s’mund ta pranonte këtë gjë. Në kupolën drejtuese të Berishës janë i njëjti establishment që kishte Basha. I vetmi i përjashtuar ishte Basha. U thirr edhe Jozefina që jo pak dëm i bëri PD-së.
Ngelën jashtë persona si Kulluri, Elezi, Kadilli, që kishin vite që luftonin. Të gjithë zërat që i identifikuan si kundër doktorit, nuk i futën në lista. Ata që u interesuan thanë që ishte proces i manipuluar, ku 20 për qind ishin nga krahina e doktorit.
Berisha mori pronën dhe kërkoi ta vërë në hipotekë. Hierarkia që ka vendosur Berisha sot është e njëjta me 2013-ën, por sot janë më të lodhur. Ka grumbulluar pas vetes vetëm besnikët. Elita, janë ata me të cilët ka ndarë para dhe pushtet”, tha Bejko.