Vendosmëria e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të moslejuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë, duket se ka filluar të shqetësojë ish-kryeministrin Sali Berisha.
Basha e bëri të qartë, se nuk ka asnjë forum që kthen pas vendimin për përjashtimin e Berishës, ndërkohë nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha është hedhur në sulm duke mos ndaluar as kërcënimet.
Berisha ka reaguar edhe me anë të një postimi në rrjetet sociale ku u shpreh, se nuk do të ketë mbledhje të Kuvendit të PD për të shqyrtuar vendimet e qeverisë amerikane. Ndër të tjera, ish-kryeministri Sali Berisha shkruan, se Kuvendi i Partisë Demokratike do të mblidhet në përputhje me statutin e Partisë Demokratike dhe sipas tij, askush nuk mund ta pengojë atë.
“Për 8 vjet Edi Rama, vazhdon të qëndrojë në pushtet sepse është në pazar me dikë që është shumë i kënaqur të qëndrojë edhe 80 vjet në opozitë. Kuvendi i PD do të mblidhet në përputhje me statutin e Partisë Demokratike dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë. Ai nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie, por vetëm vendimet e pengut të Edi Ramës”, tha ai.
Ndër të tjera, ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se Kuvendi duhet të mblidhet edhe për të shpëtuar Partinë Demokratike nga lideri aktual që e drejton atë. Ai theksoi, se partisë duhet që t’i kthehet dinjiteti. “Kuvendi do mblidhet gjithashtu, për të shpëtuar PD nga pazaret e Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokratëve pas 4 humbjesh radhazi përballë regjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës.
PD-së nuk i duhet një lider i kapur peng që bën pazar me Ramën dhe shpall “non grata” bazën e partisë i tmerruar prej saj”, shkruan ai. Ndërkohë, ditën e shtunë ish-kryeministri Berisha pritet që të zhvillojë një takim në Vlorë, duke zhvendosur aty betejën e radhës.
Kërcënimet e Berishës ndaj Bashës
Vendimi për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD, bëri që Berisha të sulmojë ashpër Lulzim Bashën duke e cilësuar një lider të pabesë dhe të paaftë për ta çuar partinë në fitore. Aksionin e tij ndaj Bashës, ai nuk e ka lënë vetëm me deklarata, por ka zbritur në terren për të takuar anëtarët e PD-së, për të mbledhur 1500 firmat që sipas tij shërbejnë për referendum për të rrëzuar vendimin e përjashtimit të tij dhe për t’i rikthyer sipas tij sovranitetin partisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha, dy ditë më parë nga një takim që pati me demokratët e qarkut të Fierit, kërcënoi liderin demokrat Lulzim Basha se do ta shkarkojë nga posti i kryetarit duke thënë se Basha duhet të lërë mandatin dhe të ikë andej nga erdhi. Ai e cilësoi Bashën si liderin që i ka bërë më shumë dëm një partie se askush tjetër, ndërsa theksoi se pabesia dhe mungesa e parimeve morale të Bashës po dëmtojnë PD. “Basha do të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Nuk ia ka bërë kush partisë atë që i bëri ky. Ndoshta ai kishte akumuluar ndaj meje, se unë çdo gjë i thosha, isha zëri juaj te ai. Por, nuk e besoja se ishte kaq jo parimor dhe i pabesë”, tha Berisha.