Në një dalje para demokratëve, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një sërë akuzash të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një “narko-diktaturë” dhe “diktaturë autokratike”.
Sipas tij, kjo qeveri ka shkaktuar më shumë dëme dhe shkatërrim për qenien shqiptare se çdo regjim tjetër në historinë e vendit.
Berisha theksoi se misioni i opozitës është “historik” dhe ka për qëllim shpëtimin e Shqipërisë nga ky sistem.
“Një bisedë që dua ta bëjmë me njëri-tjetrin, dua ta bëjmë me çdo demokrat, në mënyrë që të kuptojmë, të realizojmë se sot ne jemi në agun e vërtetë të një transformimi të madh.
Sot ne jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme në betejat e saj të opozitës shqiptare. Unë jam i vetëdijshëm, jam i vetëdijshëm se ju me të drejtë jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur. Një opozitë e pamerituar 13 vjeçare është stërmunduese.
Jam i vetëdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull. Por nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm dhe i sigurt se ne së bashku sot jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik, të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narko-diktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qenien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi.
Kreu i ekzekutivit të i narko-ekzekutivit të sotëm Edi Rama është sjellë me opozitën me të njëjtin moral, me të njëjtën urrejtje, me të njëjtën armiqësi të paraardhësve të tij.
Natyrisht, nuk është në kohët e diktaturave totalitare ku pluralizmi ndalohej me kushtetutë, por sot ky përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën.
Përveç gjuetisë së shtrigave që bën ndaj opozitarëve, punës së tyre, bizneseve të tyre e me radhë, nuk ngurron të arrestojë, të persekutojë, një lloj si etrit e tij, drejtues të opozitës.
Edi Rama në këto 13 vite shkatërroi institucionin më themelor të demokracisë por dhe të dinjitetit, votën e lirë.
Ai qëndron në pushtet duke plaçkitur votën me lidhjet e tij të krimit. Ai ka ngritur në piedestal bandat, kartelet e drogës, vrasësit serialë. Me qeveritarët e tij dhe familjen e tij ka vendosur sistemin e plaçkitjes më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur”, tha Berisha



