Nga Viktor Malaj
Shpeshherë dhe me zë të lartë i është thënë popullit shqiptar këto 28 vjet se mjetet e informacionit masiv (mass media) janë pushteti i katërt në një vend demokratik dhe se, kinse, ky pushtet i katërt qenka tërësisht në shërbim të popullit dhe luftëtar kundër gabimeve dhe fajeve të qeverive. Pohim i ëmbël për ata që i zë gjumi shpejt. Edhe tre pushtetet e tjera (legjislativ, ekzekutiv dhe juridik) përbetohen se kanë si mision të vetëm shërbimin ndaj popullit. Paksa e çuditshme! Me kaq shumë “shërbëtorë” të përkushtuar dhe popujt, sidomos i yni, mbeten ende të pakënaqur.
Kur qytetari ka parasysh faktin se jo pak media në botë dhe në Shqipëri iu përkasin manjatëve të biznesit dhe, në jo pak raste, janë themeluar e mbajtur me paratë e krimit, atëherë njeriu duhet të jetë shumë naiv që të besojë se “misioni” i tyre i vetëm është informimi i popullit dhe lufta kundër padrejtësive të përjetshme të pushteteve politikë. Pavarësisht se gjithnjë ka pasur dhe do të ketë individë të veçantë me integritet moral dhe profesional që shërbejnë në këtë fushë, e vërteta është se media mbetet vetëm njëri nga llojet e bizneseve dhe si e tillë do iu nënshtrohet ligjeve të fitimit dhe sëmundjeve të shoqërisë njerëzore. Historia ka provuar mjaftueshëm se është më e lehtë që një popull t’i shpëtojë dhunës dhe shtypjes së sistemeve politike sesa pengmarrjes historike të mosdijes, ligësisë dhe interesave materiale të vetvetes.
Të gjitha këto m’u kujtuan kohët e fundit kur ndoqa një intervistë të Sali Berishës në emisionin “Real Story” të drejtuesit Sokol Balla. Me gjithë konsideratën për z. Balla, më duhet të them se emrat e mediave apo titujt e emisioneve televizivë në gjuhë të huaja më ngjallin një neveri të përhershme pasi nuk dëshmojnë dije e kulturë, siç besojnë emërvënësit, por thjesht dëshirë për t’u dukur dhe ndjenjën e fshehtë të inferioritetit ndaj të tjerëve. Sipas mendimit tim, vetëm një emisioni që merret me shfaqjen e dokumentarëve mund t’i shkonte deri diku emri “Real Story” (histori e vërtetë), por kurrsesi një emisioni që bazohet në intervistimin e individëve publikë dhe sidomos të atyre që gënjejnë më shumë, të politikanëve.
Emisioni i pesë marsit të këtij viti ishte përgënjeshtrimi më i mirë i titullit të vetë emisionit. Në studio ishte thirrur ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, njeriu që gënjeshtrat, trillimet dhe shpifjet i ka përdorur këto 28 vjet pa droje dhe pa kurrfarë brerje ndërgjegjeje si mjetet kryesore për të jetuar dhe mbijetuar në politikë. Çfarë është më keq akoma, drejtuesi i emisionit kishte vënë përballë tij vetëm tre gazetarë të cilët betohen nga shtatë herë në ditë për kokën e të intervistuarit. Dhe dihet shumë mirë se e vërteta është bijë e diskutimit dhe jo e përshtatjes, e arsyetimit dhe jo e autosugjestinimit, e kundërshtimit dhe jo e adhurimit.
Përveç kësaj, më bëri shumë përshtypje pyetja e fillimit: A ka frikë Sali Berisha? Si mundet që intervistimi i një individi, kushdo qoftë ai, të fillojë me një pyetje të tillë?! Kjo pyetje është vështirë të justifikohet edhe po t’i drejtohet një individi të sapo kthyer nga lufta apo që sapo i ka shpëtuar një prite vrastare. Pyetja vetë dhe përgjigjet që dha i intervistuari të çojnë drejt bindjes se intervista ishte organizuar me kërkesën e “trimit” që s’ka frikë askënd dhe se kishte ardhur në studio që të fshehë frikën e vërtetë duke pohuar me zë e figurë: “Nuk kam frikë!”.
Mendoj se nuk ishte në lartësinë profesionale dhe karakteriale të drejtuesit të emisionit që ta fillonte paraqitjen e të intervistuarit duke pohuar: “Nëse mbrëmë në Oskar do të ishte ndarë çmimi për politikën shqiptare, ai me siguri do t’i kishte shkuar Sali Berishës…”. Ashtu si çmimet artistike Oskar nuk jepen për jetëgjatësinë në kinematografi, por për cilësinë e regjisë apo aktrimit, edhe “çmimet” në politikë nuk përcaktohen nga fakti sesa kohë dikush kacavirret, me hir apo pahir, në trungun dhe degët e pemës politike, por për cilësinë e sjelljes në politikë dhe produktin e dhënë. Në mos për gjë tjetër, një krahasim i tillë duhej kursyer për respekt të shumicës dërmuese të popullit shqiptar që kanë një vlerësim krejt të kundërt për personin politik të ftuar në studio. Po ashtu, i pasaktë historikisht ishte edhe pohimi i Ballës se “Historia e tij (S.Berishës- V.M.) ka kaluar… mes ikjesh me armë dhe rikthimesh të buta me votë plebishitare të shqiptarëve”. Sali Berisha u largua nga pushteti në vitin 1997 nëpërmjet dorëheqjes pas votimit popullor. Ajo që i bënë armët Sali Berishës ishte se e detyruan që të dorëzonte pushtetin ekzekutiv të marrë një vit më parë nëpërmjet dhunës së ushtruar prej pushtetit të tij, fakt i konfirmuar nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Sa iu përket “rikthimeve plebishitare”, z. Balla duhet të dijë se Berisha dhe partia e tij nuk kanë marrë kurrë, pas 1992, as gjysmën e votave të shqiptarëve.
Tani, le të rikthehemi tek i intervistuari. Pyetjes nëse kishte frikë, Sali Berisha, pasi përmendi disa episode qëndresëtarie gjatë kërcënimeve që i ishin bërë në fushatat elektorale, pohoi se, jo vetëm nuk kishte frikë, por edhe se këtë guxim e kishte marrë qysh kur ishte fëmijë, “mund të jetë edhe kanunore” dhe se prindërit e tij para 50 vitesh kishin një nderim hyjnor për kanunin prandaj e kishin edukuar të mos i ikte rrezikut. Është e çuditshme se si para 50 vitesh (i takon të ketë qenë viti 1968) familja e tij adhuronte kanunin dhe jo ligjin në një kohë kur bëheshin përpjekje propagandistike dhe ligjore për ta zhvlerësuar kodin mesjetar të rregullimit të marrëdhënieve familjare dhe shoqërore midis shqiptarëve dhe për ta zëvendësuar me ligjin dhe konceptet moderne të marrëdhënieve individ-individ dhe individ-shtet. Aq më tepër që pasardhësit e këtyre prindërve po edukoheshin të gjithë deri në nivelet më të lartë arsimore. Natyrisht që nuk mund të prisje nga gazetarët në studio t’i kujtonin se nuk i shkonte burrërisë së tij që në të njëjtin vit (1968) të kishte edhe nderim hyjnor për kanunin edhe të lutej që të bëhej komunist.
Për çdo mendje normale do të mjaftonte pohimi se politikani kryesor i “Shqipërisë moderne dhe demokratike” udhëhiqej në sjelljet dhe veprimet e tij edhe nga normat kanunore, për të kuptuar vrazhdësinë, paligjshmërinë dhe banalitetin e gjendjes politike dhe shoqërore të vendit tonë në këta dhjetëvjeçarët e fundit. Këtë mentalitet dhe formim kanunor e kishte pikasur edhe i dërguari i znj. Hillari Klinton, z. Tom Kantrimën i cili, një ditë pas ngjarjes së 21 janarit 2011, pasi e takon Sali Berishën i kërkon të mos dalë në zyrë ditën që opozita do të rimblidhej në bulevard në nderim të katër të vrarëve. T. Kantrimën merr prej tij refuzimin dhe “porosinë” që t’i thoshte Edi Ramës se “Po preke gjënë më të vogël do të jenë pesë snajperë, katër nga të katër anët dhe unë në atë dritare dhe, në mënyrë absolute, do të goditet, vetëm po s’e shpoi plumbi”.
Duket e çuditshme se si Sali Berisha ka guximin t’iu tregojë sot shqiptarëve, jo vetëm gatishmërinë dhe vendosmërinë e vet për të vrarë drejtuesin e opozitës, por edhe faktin që diplomati amerikan e pyeti: “Ti po flet për Shqipërinë e shekullit të 19-të?”. Pyetja e z. Kantrimën ishte shprehje diplomatike e vlerësimit të moralit dhe formimit 200 vjet të prapambetur të kryeministrit të Shqipërisë. Formimin e tij kanunor Berisha e shfaqi edhe kur gardhin e truprojave të Parlamentit për të mos lejuar daljen e tij në foltore në kundërshtim me rregulloren dhe pa lejen e drejtuesit të seancës e konsideronte “pritë, dhe pritat janë për t’u çarë”.
Ishte duke folur për 21 janarin dhe takimin me diplomatin amerikan kur ish-kryeministri pohoi se i kishte thënë diplomatit amerikan t’i thoshte Ramës se “Jo Kryeministrinë, por një postë policie më të largëtën në Shqipëri po të prekte, në mënyrë absolute nuk do të kthehej në Tiranë i gjallë”. Ideatori dhe drejtuesi i kaosit dhe djegies së qyteteve të Shqipërisë në vitet 1990-1992 dhe i komisariateve të policisë së Shkodrës, Tropojës etj. në 1998, si dhe i sulmit me flakëhedhës dhe mitraloza ndaj institucioneve kryesore shtetërore në shtator 1998, megjithëse nuk iu prek as qimja nga “bijtë e etërve”, tani ishte i gatshëm të vriste edhe nëse i prekej një postë policie. Arsyetimi më i thjeshtë logjik të çon në përfundimin se, kur ky individ politik ishte i gatshëm të vriste kryetarin e opozitës edhe sikur të prekej një postë policie, ai ka qenë shumë herë më i gatshëm të vriste protestues të thjeshtë që po “i rrezikonin Kryeministrinë”. Nëse ishte i gatshëm të qëllonte vetë, të ishte “snajperi i pestë”, përse nuk paska qenë i gatshëm të urdhëronte të tjerët të vrisnin në 21 janar, siç edhe ndodhi?
Në vlerësimet e tij për 21 janarin, Berisha shfaqet sa konfuz e gënjeshtar aq edhe hipokrit. Pasi tregon “dhimbjen për viktimat” pohon se nuk ka asnjë lloj shqetësimi për përgjegjësi ligjore, pasi “Kam qenë në zyrën time, i sulmuar dhe i vendosur, pa asnjë lidhje urdhri apo diçka tjetër me ata që ishin jashtë, i vendosur që secili që do të mirrte me hy brenda do të merrte atë që meritonte… Ata që do të hynin brenda do të ishte urdhri i Sali Berishës, për të mos thënë dhe gishti i tij… Për ata që ishin jashtë, asnjë urdhër, asnjë fshirje (të serverit të sigurisë-V.M.)… Pra unë kam zbatuar ligjin. Garda ka zbatuar ligjin… Nuk u vranë me snajper, u vranë nga njerëz që reaguan siç thotë rregullorja… Ata kanë zbatuar ligjin”.
Nëse vrasjet janë bërë brenda kuadrit ligjor, as Berisha dhe askush tjetër nuk duhet të ndjejë “dhimbje” për viktimat pasi ata kanë shkelur ligjin dhe kanë kryer akte të tilla të rrezikshme që meritonin atë ndëshkim që morën. Mirëpo viktimat jo vetëm u vranë jashtë rrethimit, por u vranë edhe “me duar në xhepa”, siç tha njëri nga gazetarët e ftuar aty. Si mundet që Kryeministri të mos kishte asnjë lidhje urdhri “apo diçka tjetër” me ata që ishin jashtë, ndërsa për ata që do të merrnin “me hy brenda” ai jo vetëm do të urdhëronte vrasjen, por edhe do ta tërhiqte këmbëzën e armës me gishtin e vet? Si mundet që edhe nuk kishte kurrfarë lidhjeje me mbrojtësit e ndërtesës, por edhe ishte “i vendosur që secili që do të merrte me hy brenda do të merrte atë që meritonte”? Nëse nuk kishte asnjë lidhje (?!) me vrasësit dhe vrasjet ishin të ligjshme, përse Kryeministri, vetëm pas një ore nga ngjarja, mori atributet e kriminologut, policit, prokurorit, gjithologut dhe përcaktoi si autorë të vrasjeve vetë demonstruesit,” vranë njëri- tjetrin”? Nëse ishte kështu, përse nuk urdhëroi vënien në dispozicion të hetimit të cilitdo zyrtari që ndodhej në vendngjarje, duke përfshirë edhe veten e vet, Ministrin e Brendshëm, dhe gjithë teknikën regjistruese të sigurisë? Nëse çdo urdhër dhe veprim shtetëror i asaj dite ishin bërë sipas ligjit, përse duheshin fshirë pamjet filmike të godinës qeveritare dhe oborrit të saj?
Asnjëri nga të katër gazetarët nuk mori guximin ta pyeste se si ishte e mundur që ata që vranë në 21 janar vepruan brenda ligjit dhe, jo vetëm nuk u dënuan, por edhe u shpërblyen me nga pesë rroga ndërsa, në një ngjarje të ngjashme por shumë më të dhunshme, të ndodhur 20 vjet më herët, në 2 prill 1991 në Shkodër, megjithëse s’u vërtetua kurrë autorësia e vrasjeve, pesë njerëz u dënuan me nga 20 vjet burg vetëm pse nuk mundën ta parandalonin dhe megjithëse “as kishin vrarë dhe as dëshiruar të vinin pasojat”, siç shprehej vendimi i gjykatës? Si mundej që i njëjti njeri (Berisha) e konsideronte grumbullimin e njerëzve para Kryeministrisë në 21 janar 2011 dhe goditjen e rojeve me gurë si “puç për marrjen e pushtetit”, ndërsa ngjarjen e 2 prillit 1991 ku u përdoren lëndë djegëse dhe eksplozive ndaj rojeve dhe objekteve shtetërore e kishte shpallur si “masakra më e madhe në Evropën Lindore pas Timishoarës”? Që t’i bëheshin këto dhe pyetje të tjera si këto do të duhej që emisioni të kishte, të paktën, tjetër emër.
Përveç sa më sipër, Berisha tha edhe shumë gënjeshtra dhe broçkulla të tjera. Duke folur për kamerat e sigurisë dhe fshirjen e regjistrimeve ai pohoi se sistemi i sigurisë, qoftë në kryeministri, qoftë në Presidencë jo vetëm që s’ka lidhje me titullarin, por ai vetë “nuk e kisha idenë mbi tokë se ka një zyrë të tillë…”. Nëse ishte kështu, kush ishte i interesuar të fshiheshin pamjet filmike dhe zërat e regjistruar gjatë ngjarjes? Nëse ai dhe Basha as nuk dinin dhe as ishin të interesuar për fshirjen (prishjen e provave), si është e mundur që shefi i asaj zyre sigurie u shpëtua nga burgu dhe, madje, u mor në punë në Presidencë nga Bujar Nishani?
Berisha pohoi gënjeshtrën e radhës, se deri në 21 janar 2011 “ky zotëria (Edi Rama- V.M.) ka bërë 1752 protesta, ka bllokuar rrugë, e kam respektuar si opozitë”. Askush nuk u “kujtua” t’i thoshte se, ashtu si gënjeshtra e dikurshme për 10 mijë kilometër rrugë të asfaltuara, edhe kjo nuk mund të pranohej pasi i binte që Rama, për rreth pesë vjet në krye të PS-së, të kishte bërë thuajse çdo ditë nga një protestë.
Më vonë vazhdoi serialin e rrenave duke pohuar se “Që nga vera e vitit 1991 e kam ruajtur vendimin që të jap dorëheqjen po humba zgjedhjet… të ndershme ama”. Përsëri heshtja gazetareske nuk ia ndërpreu vrullin e profkave për t’i kujtuar: Humbjet e zgjedhjeve lokale në korrik 1992, referendumet për Kushtetutën në 1994 dhe 1998 dhe një varg votimesh të tjera. Dhe lumi i gënjeshtrave nuk ndalet. Se pas humbjes së 2013, tha ai “PD kaloi në procesin e analizave”. Të gjithë shqiptarët e dinë se PD nuk bëri kurrfarë analizë, nuk i gjeti vetes kurrfarë fajesh por konkludoi se gabimi më i madh i saj kishte qenë “shkëputja nga populli e disa zyrtarëve deri tek ndonjë ministër”.
Duke folur për marrëdhëniet e tij me mediat Berisha guxoi të pohojë: “Kurrë nuk ia kam lejuar vetes të manipuloj mediat dhe të bëj presione…”. Për ata që mbajnë mend sundimin e tij të parë pesë-vjeçar kur mediat ishin vetëm shtetërore dhe tërësisht në shërbim të tij, nga mëngjesi deri në darkë, kjo ishte një fyerje e kujtesës. Ndërsa heshtja e gazetarëve të pranishëm për rrahjet dhe burgosjet e gazetarëve, djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, djegien e makinës së Mero Bazes më vonë ishte dëshmi e batakut moral dhe profesional ku noton sot media shqiptare. Kujtesa e gazetarëve ishte aq “harraqe” sa nuk kishin mbetur në të as fyerjet dhe kanosjet që i bëri para dy javësh kolegut të tyre, gazetarit Artan Hoxha drejtpërdrejt në TV, duke e quajtur “vrasës, anëtar bandash, gjobëvënës…” etj.
Ndërsa përbetimet e mësipërme i bënte njeriu i vetëm i Shqipërisë që qe shpallur “armik i shtypit të lirë” nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju-Jork, drejtuesi i emisionit, z. Balla ndërhyri duke thënë: “Ti vetë e ke thënë se je dashnor i medias së lirë”. Ironike, apo jo?!
Më tutje Berisha vazhdoi të mashtronte se “Drejtuesi i grupit të zjarrit në 21 janar drejton PS-në e Matit”. Por drejtuesi i PS në Mat përgënjeshtroi drejtpërdrejtë në emision se prej 20 vjetësh ishte në atë detyrë dhe nuk kishte qenë drejtues i “grupit të zjarrit”. Nuk u ndal, se edhe të vërtetat për të janë “prita që duhen çarë” me gënjeshtra, shpifje e kërcënime. Pohoi, si dhe më parë, se marrëveshja e vitit 2009 me Greqinë nuk i ka dhënë Greqisë asnjë metër katror det dhe se ne duhet ta kemi mirë me grekët pasi “Nëse ka gjak të përzier kund është gjaku i shqiptarëve dhe grekëve…” (argument që s’ia gjen shokun, apo jo?!) dhe se “Edi Rama bëri antigrekun dhe kjo ishte absolutisht në kundërshtim me interesin e shqiptarëve”. Edhe pse tha se nuk është e vërtetë se janë të përcaktuar kufijtë e detit, askush nuk e pa të arsyeshme t’ia prishte qejfin me pyetjen: për çfarë arsyeje ai dhe partia e tij, një vit para nënshkrimit të marrëveshjes, e shfuqizuan Ligjin për Kufirin e Shqipërisë?
Në kuadrin e përpjekjeve për ta paraqitur veten si flori 24 karatësh dhe kundërshtarët politikë si e keqja më e madhe e Shqipërisë, Berisha tha se paratë e të gjithë tenderave i merr Rama dhe se “Nuk mund të më shtynte kush mua të shtoja 47 milion euro për rrugën e Elbasanit…”, siç kishte bërë Rama. Gazetarët në studio nuk mbanin mend se ai që kishin përballë kishte shtuar mbi 470 milion euro për rrugën Milot-Kukës. Nuk mbanin mend as faktin se ishte e vërtetuar ligjërisht zhdukja e gjysmës së kësaj shume, 230 milion.
Edhe kur njëri nga gazetarët i bëri pyetjen që bën çdokush në kafenetë e Shqipërisë, përse ato që thoshte për kundërshtarët nuk ua dërgon organeve të drejtësisë, Berisha mbllaçitej si i zënë në kurth, ndërronte temë dhe shqiptonte fraza që i linte përgjysmë për të filluar të tjera pa kurrfarë lidhjesh. Kur i kujtuan pushtimin e dhunshëm të institucioneve shtetërore në 14 shtator 1998, menjëherë mori pozat e shpëtimtarit se i paskësh kërkuar Presidentit Rexhep Mejdani “të merrte frenat e pushtetit sepse ata ia kishin mbathur…”. Këtu ngazëllehej dhe zgërdhihej, ngaqë besonte se epërsia e tij mbi ta qëndronte në burrërinë për të vrarë “sipas ligjit”, kurse ata kishin ikur për të mos vrarë. Nuk e tha, por kuptohej se, ndryshe nga ata, ky ishte formuar sipas kanunit.
Gjatë intervistës së tij, Berisha sulmoi në tre drejtime nga të cilat edhe beson se mund t’i vijë një “rrezik” i mundshëm gjatë viteve që i kanë mbetur. Para së gjithash ai sulmoi, si gjithnjë, kundërshtarët politikë duke i quajtur antikombëtarë dhe kriminelë. Pasi lëshon broçkullën se “Qysh nga momenti që qeveria iu tha shqiptarëve që ne bëmë marrëveshjen por ju shpëtuam nga Ligji i Luftës, kjo është antikombëtare ” dhe asnjëri nga gazetarët nuk u ndërmend ta pyeste pse ishte antikombëtare, Sali Berisha përdor arsenalin e tij të vjetër duke sulmuar për t’u mbrojtur nga çfarëdo “vaki” e mundshme në të ardhmen. Prandaj tha: “Trusnia ndaj meje është sulm i botës së krimit dhe për këtë ndihem krenar dhe komod… Merr sulmet që më bën mue Edi Rama. Edi Rama është një përfaqësues i krimit të organizuar në Shqipëri dhe në Ballkan”. Këto hakërrime të kujtojnë sulmet e tij të dikurshme ndaj Fatos Nanos kur e quante “vrasës, mafioz, kumbara i krimit, megahajdut …” etj. dhe pas pak vitesh pohoi se “Z. Nano është një politikan vizionar. Ato që kam thënë atëherë për të ishin për qëllime elektorale”.
Pas kundërshtarëve politikë, ish Kryeministri iu vërsul organeve të Prokurorisë nga mendon se mund t’i vijë edhe ndonjë “e papritur” tani që i ka rënë ndikimi mbi to. Tha se “Në prokurorinë e Shqipërisë janë grupet kriminale më të rrezikshëm të këtij vendi sepse ata janë tregtarët më kriminelë të dosjeve… Nuk janë gjë gjykatësit se çfarë bëjnë prokurorët me kriminelët… është institucioni më i inkriminuar… Unë kam qenë dëshmitar, kam pas informacionet se çfarë tregtie bënin ata me dosjet”. Përveç se vetëakuzohet për moskallëzim krimi, Berisha kërcënon atë pjesë të drejtësisë që nuk iu nënshtrua plotësisht pasi i dërgoi për gjykim dosjet e krimit dhe korrupsionit për Bashën, Mziun, 21 janarin etj. dhe çështjet u mbyllën nga gjykatësit që “nuk janë gjë para prokurorëve”. Sulmi ishte edhe një parapritë për ndonjë çështje të ardhshme penale ndaj tij dhe rrethit më të afërt, për t’iu thënë nesër shqiptarëve se po më sulmon dhe akuzon bota e krimit.
Sulmin e tretë, ndonëse më të moderuar, e drejtoi ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.
Në fund fare, meqë gazetarët e ftuar nuk kishin vërejtje ndaj të intervistuarit të ardhur nga shekulli i 19-të, iu lutën atij të kthehej edhe një herë në krye për të mirën e …PD-së. Të dukej sikur Rrema nga Sauku, Asmoni nga Lapraka dhe Mazllumi nga Shijaku po i luteshin Haxhi Qamilit të kthehej nga varri dhe të merrte në dorë punët e Shqipërisë që dikur i kishte bitisur me sukses. Mirëpo, shikuesi nuk kishte si të mos ndihej keq kur të tre gazetarët e nderuar mbetën zemërthyer nga refuzimi i idhullit të tyre për t’u rikthyer, sepse, siç pohoi vetë, nuk kishte luftuar kurrë për pushtet, por vetëm për mbrojtjen e interesit publik.
Sigurisht që neve na mbetet vetëm ta besojmë njeriun që gjithnjë ka thënë vetëm të vërtetën.