Ish-ministrat e Drejtësisë i shërbyen Shkëlzen Berishës për “Gërdecin”, ku humbën jetën 26 të pafajshëm. Ish-kryeministri i katapultoi në kabinetin qeveritar, pasi i shpëtuan djalin. Askush nuk e beson se Bumçi dhe Alibeaj janë më të mençur se Patozi, Bregu, Topalli apo lista e gjatë e figurave të PD të përjashtuara. T’i shërbesh familjes “Berisha” e të jesh një “zagar sulmi” është një “aset” për karrierën politike në këtë parti
Ish-kryeministri Sali Berisha e kishte kthyer shtetin shqiptar dhe institucionet kryesore të tij në “shtojcë” në shërbim të familjes dhe pasurimit të shpejtë të saj.
Kjo nuk do të thotë se ministrat e Berishës ishin njerëz që nuk vidhnin nga arka e shtetit. Përkundrazi, bënin namin, sipas postulatit të vjetër sa bota: “kur kaloi ushtria nëpër një fshat, komandanti mori një kokërr kumbull, ushtarët e shkulën pemën nga rrënjët”.
Kështu ia nxorën themelet shtetit shqiptar, familja Berisha, ministrat e zyrtarët e qeverisë së tij, duke marrë gjithçka që bënte lekë dhe duke e zhytur vendin në borxhe.
Por ish-kryeministri Berisha ka treguar qartë se i mban në “lojën” politike të gjithë ata që kanë kontribuar në pasurimin dhe mbrojtjen e familjes së tij. Një shembull për t’u studiuar është dhe ish-ministri i Drejtësisë, më vonë ish-ministër i Jashtëm dhe ish-ministër i Kulturës, Aldo Bumçi.
Një copë “mishi” me dy sy që nuk ka bërë hajër kurrë në jetën e vet, për 8 vite me radhë ka qenë ministër në tre institucione shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar, si dhe është në mandatin e katërt si deputet për një arsye fare të thjeshtë: i ka shërbyer Sali Berishës dhe familjes së tij.
Por ai është dhe një nga ushtarët më të bindur të Berishës, që sa herë prekej “Familja” sulmonte kundërshtarët kudo dhe sa herë jepej rasti, aq sa u bë i bezdisshëm dhe për mediat. Dhe etiketimi më brilant për ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka ardhur nga amerikanët, të cilët e cilësonin si “zagar sulmi” i Berishës.
Bumçi ka qenë i përzier rëndë në Gërdec, teksa i raportonte Shkëlzen Berishës rreth vendimit të qeverisë për “punishten e vdekjes”, e ngritur për demontimin e municioneve të ushtrisë.
Ish-ministri i Drejtësisë në atë kohë nisi edhe faks zyrtar për “Gërdecin” drejt Ministrisë së Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës, sikur djali i Saliut të ishte ministër i Mbrojtjes apo të ishte në ndonjë post që të kishte zyrë në këtë ministri.
Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por sekretarja e tij e konfirmoi faktin në prokurori, duke nënvizuar se “ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi.
Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: “Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi.
Këtë faks e kam nisur unë për te Ministria e Mbrojtjes. Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha.
Nga Ministria e Mbrojtjes më mori një zë femre e më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur e se unë vetëm po nisja faksin”. Për të mos u zgjatur më tej, Bumçi ishte kthyer në një “zar” dhe i të dy fëmijëve të Sali Berishës.
Madje nuk i raportonte Shkëlzenit vetëm nëpërmjet faksit, por edhe drejtpërdrejt. Ndërkohë që takimet konfirmohen nga një raport sekret që ambasada amerikane në Tiranë i kishte nisur DASH në atë kohë.
Raporti shkruan për dëshminë e sekretares së Bumçit, që tregoi për të paktën dy takime mes Bumçit dhe Shkëlzenit në 2007-ën dhe një letër për Mediun me siglimin “per z.Shkelzen Berisha”, për aprovimin e projekt-ligjit që do t’i hapte rrugë çmontimeve në Gërdec.
Për të mbrojtur djalin e ish-kryeministrit, Bumçi në mënyrën më të pacipë kërcënoi sekretaren Agolli dhe i bëri kallëzim penal. Pas këtij shërbimi, për momentin Bumçi u largua nga ministria e Drejtësisë, për t’u katapultuar pak më vonë në krye të ministrisë së Jashtme, por dhe të ministrisë së Kulturës.
T’i shërbesh familjes Berisha është një “aset” për karrierën politike në PD. Aldo Bumçi vijon të jetë deputet, anëtar kryesie i PD dhe anëtar në të gjitha strukturat drejtuese të kësaj partie, duke “përballuar” të gjitha përjashtimet e ndërmarra nga Basha.
Askush nuk e beson se Bumçi është më i mençur se Patozi, Bregu, Topalli apo lista e gjatë e figurave të PD të përjashtuara tashmë, por ai është thjesht dhe vetëm ushtari perfekt i Berishës.
Në të njëjtat “piketa” ka ecur dhe ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili sa herë ka ndonjë ngjarje apo sulm për t’u bërë publik kundër Ramës dhe qeverisë, menjëherë merr përsipër të bëjë deklaratën e radhës.
Jo se nuk e meriton Rama të goditet, sulmohet dhe madje dhe të rrëzohet për qeverisjen maskaradë që po bën, por ne thjesht po evidentojmë stilin prej shërbëtori dhe ushtari të bindur ndaj Berishës, të ish-ministrit të Drejtësisë.
Enkelejd Alibeaj është dhe “arkitekti” ligjor i ngritjes së biznesit të “vdekjes” në Gërdec, duke qenë në këtë mënyrë dhe bashkëautor i vrasjes së 26 personave të pafajshëm, mes të cilëve edhe fëmijë, si dhe plagosjes së mbi 300 të tjerëve nga shpërthimi i punishtes së korrupsionit qeveritar.
Ai ka pranuar se gjatë kohës që ishte drejtor i Zyrës Antikorrupsion në Kryeministri është angazhuar në hartimin dhe “kolaudimin” e këtij ligji, madje e thotë dhe me mburrje kur e pyesin.
Enkelejd Alibeaj është autori i e-mail-eve të famshme, të cilat janë botuar dhe në media dhe që kishin të bënin me ligjin për demontimin e municioneve në Gërdec. I lakuar për “kontributin” që kishte dhënë në hartimin e ligjit që i hapi rrugë demontimit që solli masakrën njerëzore të Gërdecit, ish-ministri i Drejtësisë nuk e ka mohuar kurrë këtë fakt.
Por është justifikuar me vendimin e qeverisë që përcaktonte funksionet e Zyrës Antikorrupsion, që Alibeaj drejtonte në kohën kur hartohej ligji i Gërdecit. Ky vendim i jepte të gjitha atributet ligjore Alibeajt që jo vetëm të njihej me projektligjet që vinin nga ministritë, por edhe të ndërhynte për aspekte të dyshimta të këtyre të fundit.
Alibeaj kishte për detyrë të investigonte hapësirat korruptive që mund të sillte ligji i propozuar, por ka bërë të kundërtën, pasi në rekomandimet që ai ka dhënë më shumë është kujdesur që pikërisht elementët më të dyshimtë të këtij ligji, demontimi dhe tregtimi nga firmat private, në kushtet kur vetëm Delijorgji kishte bërë kërkesë për demontim, të mos prekeshin.
Pra me urdhër direkt të Berishës, Alibeaj ka udhëzuar përmes e-maileve dhe në kontakt të drejtëpërdrejtë Ministrinë e Mbrojtjes dhe zyrën juridike të saj që të bënte ligjin që i mundësonte Shkëlzen Berishës të ngrinte biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec.
Dhe pasi mori pjesë në këtë maskaradë ligjore, që kushtoi 26 jetë të humbura dhe 300 të plagosur pa llogaritur dëmet materiale, Alibeaj e mbylli gojën dhe shërbeu sërish si ushtar i Berishës.
Ish-kryeministri Berisha për këtë shërbim e shpërbleu, menjëherë pas largimit të Bumçit e emëroi Alibeajn ministër të Drejtësisë. Dhe më pas ka qenë deputet i PD në Kuvend, ndërkohë që tashmë është një ndër njerëzit më të besuar në PD. Madje është dhe ai “zagar sulmi” i Berishës. /Pamfleti