Partia Demokratike pritet që të hartojë një dosje për shkeljet në procesin zgjedhor. Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka reaguar për herë të parë pasi PD humbi zgjedhjet.
Ai theksoi se PD do të përgatisë një dosje, e cila do të ketë një analizë të thellë për të nxjerrë sipas tij ata që janë përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve.
“Duke mos mohuar rëndësinë e padiskutueshme dhe detyrimin e pashmangshëm të një analize të thellë për nxjerrjen e përgjegjësive për rezultatin e këtyre zgjedhjeve nga cilido dhe të drejtën e pamohueshme të gjithsecilit për të kërkuar një gjë të tillë, mendoj se një rëndësi jetike për qytetarët, opozitën, militantët dhe mbështetësit e saj që sakrifikuan aq shumë në këto zgjedhje si dhe për vendin në tërësi është mbledhja, administrimi dhe sistemimi i çdo dokumenti, fakti, argumenti dhe përgatitja me seriozitet e objektivitet e Librit te Zi të zgjedhjeve jo demokratike të vitit 2021 në Shqipëri”, tha ai.
Ndër të tjera, Berisha tha se dosja do t’u dërgohet institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se po ashtu do t’i drejtohet edhe Strasburgut. “Ky libër duhet në kohën më të shkurtër t’iu dërgohet institucioneve të shtetit një partiak, OSBE/ODIHR, misionit vëzhgues, i cili ka bërë një raport paraprak të paanshëm dhe objektiv për këto zgjedhje.
Libri duhet t’iu dërgohet dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare, Këshillit të Europës, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Kongresit të SHBA, Bundestagut, parlamenteve, ministrive të Jashtme, qeverive të vendeve anëtare të BE dhe NATO-s dhe menjëherë për të gjitha shkeljet e tmerrshme të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të paprecedentë në historinë e Këshillit të Evropës duhet drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha ai. Berisha bëri me dije se kjo është një betejë, e cila sipas tij do të fitohet. Ai theksoi se kjo do të rikthejë në vend edhe votën e lirë.
“Kjo nuk është një betejë e lehtë, por nisur dhe nga precedenti është betejë që fitohet plotësisht. Zyrtarët, qeveritarët që qëndrojnë për votën e lirë mirëpresin librin e zi të zgjedhjeve 2021 të Shqipërisë si një përpjekje serioze, legjitime e opozitës shqiptare. Ky është një mision i lartë sa shqiptar aq dhe ndërkombëtar për të gozhduar para botës Lukadrogën e Shqipërisë dhe për t’ju rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, tha Berisha.