Nga Ilir Yzeiri
Dje, kolegu Frrok Çupi, në një analizë të tijën me titull « Fati i PD-së varet në Ukrainë » (Tema, 16 mars 2022) bënte një paralele mes fatit të Ukrainës dhe Jaltës, marrëveshjes që ndau botën dhe zonat e influencës pas përfundimit të Luftës II Botërore. Unë dua ta shtyj në një drejtim tjetër këtë metaforë.
Pas fitores karikaturore të Berishës dhe Metës mbi Lulëzim Bashën me 6 mars, Sali Berisha ashtu si Putini, nisi ofensivën mbi PD-në dhe Lulëzim Bashën, duke e shtyrë më tej agresionin që kishte nisur mbi Donbasin dhe Krimenë e SHQUP-it duke shpallur se ajo hapësirë është e tija ashtu siç thotë Putinë për Ukrainën.
Ëndrra e Berishës për të pushtuar hapësirat e PD-së kundër vullnetit të aletaëve tanë strategjikë, pra kundër vullnetit të SHBA-ve, në mënyrë metaforike, ngjet me agresionin e Putinit mbi Ukrainën. Edhe Berisha ashtu si Putini e rrethoi PD-në dhe e sulmoi me të gjitha mjetet.
Për ironi të fatit Lulëzim Basha, pjella groteske e Berishës, mori pamjen e Volodimir Zyelinskyt sepse ai, në mënyrë të papritur, përqafoi vlerat perëndimore dhe e shpalli Berishën, Putinin e Ballkanit si një personazh të padëshiruar për PD-ne sepse ai, gruaja e tij Liri Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha dhe vajza e tij Argita Berisha, ishin projektuar nga SHBA-të të përfshirë në korrupsion thelbësor për vete dhe mqtë e tij, se kishte penguar drejtësinë dhe minuar demokracinë.
Imazhi politik i Berishës është njësoj si ai i Putinit, ndërsa Lulëzim Basha, ashtu si Zielinski, u përpoq të shkëputej nga perandoria e së keqes që është shenjuar në figurën e Berishës dhe Metës. Mirëpo, pikërisht atëherë kur u mendua se PD-ja shpëtoi, ajo u sulmua brutalisht nga Berisha.
Ai iu ngjit dhe frymëzoi demagogët dhe sharlatanët revolucionarë që në një kohë kur gjithë bota e ka mendjen të lufta mes vlerave dhe antivlerave, mes perandorisë së krimit dhe një vendi që po martirizohet për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe të lirisë, ata nisën një protestë karikaturore kundër sanksioneve që prodhuan rritje çmimesh.
Retorika e kësaj proteste, që ashtu siç e deklaroi Berisha në Parlament ditën e enjte, frymëzohet prej tij, por që ai nuk mund të dalë në krye, në një farë mënyre, drejtohet kundër Perëndimit dhe SHBA-ve, për t’u treguar atyre se Berisha dhe Meta janë gjallë dhe nuk mund të zhbëhen nga sanksionet, ashtu si Putini që kërcënon nga mëngjesi deri në darkë Perëndimin. Edhe oligarkët e PD-së me Jozefina Topallin në krye u reshtuan hapur në krah të Putinit të Ballkanit, Sali Berishës me arsyetime banale, duke thënë se PD-ja është Berisha.
Në këto kushte Lulëzim Basha, duam apo nuk duam ne, ka misionin historik të Zielinskit. Ai duhet ta shpëtojë PD-në nga sulmet barbare të Berishës dhe oligarkëve që e mbështesin atë duke rezistuar. Të gjithë ata që duan Berishën le të shkojnë me të.
Në PD, qoftë edhe dhjetë veta po mbetën, të paktën të identifikohen si PD-ja që nuk ka lidhje me Sali Berishën – Putinin e Ballkanit, por që ka lidhje me aletatët perëndimorë SHBA-të dhe BE-në, me të gjithë ata që sot kanë ndërprerë çdo lidhje me Putinin dhe mbështesin Zielinskin. Njësoj si në PD. Aleatët tanë kanë mbështetur Bashën dhe kanë refuzuar dhe dënuar Berishën ose Putinin e Ballkanit, i cili, ashtu si Putini në Moskë tregon përralla me votën e lirë.