Në kuadër të retorikës parazgjedhore për daljen nga izolimi ndërkombëtar, Sali Berisha ka vendosur të aplikojë për të marrë pjesë në punimet e kongresit elektoral të CDU-së. Për të marrë pjesë në kongresin elektoral të CDU mjafton të plotësosh një formular online. Por këtë aktivitet politik, ku më parë merrte pjesë ndonjë zyrtar partie të tipit Aldo Bumçi, Berisha po e paraqet si çarje të rrethimit ndërkombëtar, ndonëse atë nuk e ka shpallur nongrata CDU, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Në këtë kuadër, Berisha ka dy ditë që imiton Fatmir Mediun, i cili endet rrugëve, kafeneve dhe korridoreve të Kongresit, duke i kërkuar foto kujtdo që i del përpara, duke u kthyer në makth për kongresmenët, disa nga të cilët devijojnë rrugën sa ta pikasin nga larg. Me një kamer që e ndjek nga pas dhe me një Albana Vokshin që gjen njerëz për të dalë në foto, Berisha ka dy ditë që sillet rrotull në korridoret dhe sallën e kongresit të CDU.
Ditën e sotme Vokshi ka pikasur diku Doris Pack, mikeshën e hershme të Genc Pollos, i njohur si Kuqoja i PD-së. Zonja Pack është përqafuar me Doktorin. Ky i fundit e ka shitur pjekjen me Doris Pack si një takim të rëndësishëm dhe që i jep fund izolimit të Berishës si anti-perëndimor.
“Me miken e shquar timen dhe të shqiptarëve, Doris Pack, Kryetare Nderi e EPP Women, ish-deputete dhe reportere për Ballkanin, për dekada në Parlamentin Europian“, shkruan Berisha në Facebook, postim i cili është pasqyrur nga Zeni Tv si një takim historik.
Doris Pack ka shërbyer për Berishën si ‘ndërkombëtar i gatshëm’ për të sulmuar kundërshtarin politik, si kur ishte në opozitë, ashtu edhe kur ishte në pushtet. Sa herë ndihej ngushtë politikisht, Berisha i fishkëllente Kuqos së PD, i cili kishte fuqinë për t’a ngritur Doris Pack edhe nga gjumi për të bërë deklarata pro Berishës. Ky i fundit e ka përdorur Doris Pack edhe kundër Yuri Kim dhe SPAK-ut.