sh-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar mbledhjen e “Foltores” së radhës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha bën me dije se këtë të martë, pra sot do të zhvillojë një takim në Peshkopi, ndërsa thekson se qëllimi i kësaj “Foltoreje” është për një Parti Demokratike më të fortë dhe bashkuar.
“Njoftim! Ditën e martë më datën 19 tetor në ora 17:00 në Pallatin e Kulturës të Peshkopisë do të mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Ftoj demokratet dhe demokratët e Peshkopisë të marrin pjesë.
Vetëm të bashkuar fitojmë”, shkruan Berisha.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti foli dje për mediat, ndërsa dha arsyet se përse vendosi të merrte pjesë në “Foltoren” e Berishës në Korçë javën që shkoi. Deputetja e PD theksoi se nuk është penduar, pasi e ka ndjerë të nevojshme të marrë pjesë në forume ku janë demokratët. “Unë shkova në foltore pasi e gjykova që ishte foltore ku mblidheshin demokratët. Dhe si përfaqësuese e atyre që më kanë votuar e ndjeva detyrimin moral që duhet të shkoja atje ku ishin demokratët.
Nuk jam bërë pishman sepse atje pashë një lloj entuziazmi dhe energjie që doja ta ndjeja se çfarë do të thotë të jesh demokrat, bashkë me ata që ndodheshin në sallë kemi punuar në 8 vitet e opozitës. Doja të isha zëri i atyre demokratëve që nuk kishin mundësi të ishin në sallë, unë si deputete patjetër që duhet të isha atje për të përfaqësuar zërin e demokratëve.
Unë jam për të forcuar PD dhe do të jem në çdo forum që do të organizojë. Nuk është çështje preference lideri. Nuk ka asgjë të keqe që demokratët të përfshihen në debate. E konsideroj si një pjesëmarrje e një forumi që është unik në llojin e vet, nuk kanë ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë. Është gjë e mirë sepse dhe shumë demokratë që ishin larguar janë bashkuar”, deklaroi deputetja e PD, Sorina Koti.