Ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK, më 14 nëntor, gati 15 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, ku u vranë 4 protestues në Bulevard.
Lidhur me këtë gazetari Adriatik Doçi, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se Berisha është përgjegjësi kryesor dhe ka dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve në 21 janar.
‘Unë besoj që Berisha është arkitekti i 21 janarit dhe do të merret i pandehur nga SPAK, por s’jam i bindur për vrasje në rrethana cilësuese apo për pengimin e të nxjerrjes së të vërtetës. Ato vrasje janë shpallur në mënyrë të turpshme nga drejtësia në Shqipëri si vrasje nga pakujdesia. SPAK është në kushte komode për të bërë drejtësi. Unë kam bindjet se vrasjet janë bërë me urdhër të Berishës. Pyetja që shtrohet është a do ta provojë SPAK se kush e ka dhënë urdhrin edhe pse unë dyshojë se e ka dhënë Berisha.
Ka një audio përgjim ku Ndrea Prendi urdhëron vartësin që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe kjo e fundos Ndrea Prendin sepse kjo është para rrezikut që të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai duhet që të tregojë para hetuesve se nga e mori urdhrin. Ndrea Prendi dhe Agim Llupo duhet që të dëshmojnë’, tha ai.
Doçi tha se Berisha fshiu provat për ngjarjen e 21 janarit, ndërsa theksoi se SPAK mjafton që t’i referohet deklaratave që Berisha ka bërë për të vënë drejtësi lidhur me këtë ngjarje.
‘Po prap Berisha nuk shpëton nga 21 janari sepse ka penguar edhe drejtësinë, ku gjëja më e rëndë është fshirja e pamjeve filmike në serverin e kryeministrisë dhe kjo është konfirmuar nga ekspertiza e FBI dhe refuzimi i urdhër arresteve ndaj gardës.
Sali Berisha bëri një grusht shteti duke mos njohur organin e akuzës që lëshon urdhër arrestet. SPAK mjafton që të marr ndryshimet e qëndrimeve që ka mbajtur Berishës nga 21 janar deri në 2016, sepse tha janë vrarë me çadra pistoletë, pastaj tha nga garda sepse ishin brenda murit rrethues dhe më pas tha se unë do kisha vrarë edhe Ramën, pra e ka pranuar vet vrasjen’, tha ai.
Një koment e pati edhe në lidhje me atentatin pranë aeroportit të Rinasit, sot në Tiranë, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u plagos rëndë, Muçi Shaljani.
‘Kemi të bëjmë me një organizim kriminale ku pavarisht goditjes nga ana e SPAK që janë goditur 10 grupe kriminale nga 16 të tillë të indentifikuar kemi një riorganizim. Ky rast tregon se larja e hesapeve mes grupe do të vijoi. Ai i AMP ka qenë shoqërues i viktimës, por ne kemi parë që punonjës policie janë rekrutuar nga grupe kriminale për të ndjekur dhe gjurmuar grupet rivale. Janë përfshirë shefa krimesh të komisariateve.
Fatmirsisht nuk ndodhi si masakra e Shkodrës që humbën jetën dy të pafajshëm. Mund të përsëritej ku përpos shënjestrës janë vrarë edhe qytetarë të pafajshëm. Aty mund të kishte edhe persona të tjerë se është zonë e populluar për shkak të aeroportit’, tha ai.






