Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur përgatitjet për takimet që do të zhvillojë pas përjashtimit të tij nga Partia Demokratike. Berisha ditën e enjte do të takohet me strukturat e PD në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Ai deklaroi se kjo lëvizje ka qëllim t’i japë frymë partisë për të shtuar forcat e reja.
Ndërkohë ish-kryeministri ka postuar një video në rrjetin e tij social Facebook të një prej tubimeve të vjetra mes demokratëve. Teksa Berisha flet, në sfond dëgjohet thirrja: “Se mjaft në robëri/O e mjera nënë Shqipëri/O djem rrëmbeni pushkën/ Ja vdekje, Ja liri!”. “Fjalën e kanë demokratet dhe demokratët! Rroftë Partia Demokratike”, shkruan Berisha çka është një sinjal i qartë i thirrjes së tij për të nisur organizimet dhe revoltat kundër qeverisë, por kryesisht kreut të PD, Lulzim Basha, i cili e përjashtoi.
Ky nuk është sinjali i parë që ish-kryeministri ka dërguar pasi edhe më herët ka postuar një sërë videosh si mesazh për të treguar influencën e tij në Partinë Demokratike teksa u ka bërë thirrje demokratëve që të ngrihen në protesta për të rrëzuar atë që ai e quan regjim.
SPAK do të prishë planet e Berishës
Lidhur me këtë çështje analisti Frrok Çupi shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha nuk mund të realizojë dot lëvizje të tilla. Ai tha se Berisha nuk ka shumë ditë në jetën e tij pasi e di mirë se sa shumë krime ka kryer. Sipas analistit, SPAK ka në dorë 50 vepra penale për të cilët Berisha pritet të paguajë ashtu siç çdokush paguan një ditë për krimet që ka bërë.
“Zoti Berisha e di shumë mirë se nuk bën dot mocion, nuk ka shumë ditë në jetën civile për të kryer shumë gjëra. Nuk ka shumë ditë, sepse vepra janë kryer nga Berisha dhe ai e di, janë të paktën 50 vepra penale që janë regjistruar në SPAK. Por mbi të gjitha është një moment kur njeriu paguan një ditë”, tha Çupi. Analisti u shpreh se Amerika e ka bërë të qartë qëndrimin e saj ndaj ish-kryeministrit.
Sipas Çupit, fakti se Berisha ka minuar demokracinë ka sjellë kërcenim dhe krizë edhe për sigurinë në Amerikë. “Amerika tha se në Shqipëri edhe për arsye të tjera, që ka ndodhur korrupsion madhor, ka minuar demokracinë ka favorizuar familjen dhe ka shkaktuar një krizë që do të cenonte sigurinë edhe në Amerikë”, tha Çupi. Lidhur me marrëdhënien Berisha-Basha, analisti tha se Basha ka ardhur në Partinë Demokratike si lider për shkak të miqësisë së tij me fëmijët e Sali Berishës.
Çupi u shpreh se marrëdhënia midis ish-kryeministrit Berisha dhe kreut demokrat është sentimentale dhe jo politike apo ligjore. “Sentimenti e nisi, me sentimente erdhën gjatë gjithë rrugës dhe z. Berisha qëndron përsëri në fushën e sentimentit, ai thotë: Më ka tradhtuar”, u shpreh ai. Për situatën dhe trazirat aktuale brenda Partisë Demokratike, analisti deklaroi se kanë ardhur të gjitha si arsye se gjërat brenda partisë nuk janë ndërtuar mbi bazën e së drejtës.