Pas largimit të kreut të SPAK-ut nga seanca plenare e 27 tetorit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e akuzoi ashpër atë. Berisha e cilësoi drejtuesin e SPAK-ut avokat të vjedhjeve më të mëdha në historinë e vendit dhe të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke përmendur çështjet e inceneratorëve, marrëveshjen me CEZ dhe projektet e mëdha infrastrukturore.
“Ishte një rast unik në jetën tuaj, e të gjithëve, se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe, se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër qytetarin më të thjeshtë.
Ju, avokatët e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni se për qytetarët shqiptarë, që vetëm me CEZ kanë humbur miliona euro fatura të certifikuara për shkak të pazareve që Rama ka bërë me CEZ, ndërkohë që auditi ndërkombëtar i thoshte ‘mos bëj marrëveshje, sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit’, por këto i mbulon Dumani dhe dumanët.
Ai është qytetari shqiptar që pagoi, sa qimet e kokës, 400 milionë euro për inceneratorët që s’kanë as nam e nishan sot. Ai thotë: ‘janë nën hetim paraprak’. S’ka më të shpifur! Çfarë hetimi paraprak, mor? Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryearkitektin e këtyre.
E dini kush është dënuar për inceneratorin e Tiranës? Është dënuar Arben Ahmetaj, që e ka kundërshtuar pesë herë, për shkak se iu gjetën pllakat e banjës! A e dini ju, qytetarë, se të marra bashkë këto bëjnë 1 miliardë euro?
Bashkë këto përbëjnë dyfishin e rrogave. Nuk i ka vjedhur Altin Dumani këto, por Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi. Ju flisni për hetime, a e dini ju që është 50 milionë euro tuneli i Llogarasë, 140 milionë euro gjoba e qytetarëve shqiptarë për aeroportin e Vlorës që do ta marrë tani Lubia me Edi Ramën?”, tha Berisha.






