Partia Demokratike ka kujtuar dje 29 vjetorin e themelimit të saj. Më 11 dhjetor të vitit 1990 studentë dhe pedagogë u bënë bashkë për t’i dhënë fund regjimit komunist dhe themeluan partinë e parë pluraliste. Por sot që po flasim PD është shumë ndryshe nga ajo e 29 viteve më parë. Të gjithë atë që themeluan Partinë Demokratike nuk janë më pjesë e kësaj partie, ndërsa i vetmi që vijon ende të bëjë ligjin është Sali Berisha.
Disa nga themeluesit e PD kanë vdekur në mënyrë të mistershme, disa janë larguar jashtë vendit, ndërkohë që disa janë përjashtuar nga kjo parti. Mirëpo, për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi dhe ish-kreun e AK, Kreshnik Spahiu, të gjitha këto tregojnë se fajtori që sot asnjë nga themeluesit e Partisë Demokratike nuk janë më pjesë e saj, është ish-kryeministri Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH akuzoi Berishën se instaloi në PD kultin e individit, duke përjashtuar nga partia të gjithë ata që i dolën kundër. Sipas zotit Klosi, Berisha ishte një kryetar me plot fuqi dhe autoritet në Partinë Demokratike, veçori këto që i përdori për të “eliminuar” kundërshtarët nga partia. “Përjashtimi apo degdisja nga partia e zërave kundër apo siç njihen ndryshe kundërshtarëve politik nuk është fenomen i panjohur.
Në këtë pikëpamje do të thoja që kjo është një filozofi që përdoret në masë nga të gjithë ata që etiketohen si shefa të fortë dhe që janë në krye të një grupim apo forcë politike. Në rastin konkret dua të them që Sali Berisha ka qenë një shef i fortë gjatë rrugëtimit të tij si kreu i PD. Dhe sigurisht që kushdo që e ka kundërshtuar Sali Berishën në PD, apo që kanë pasur pikëpamje të ndryshme nga ato të Berishës, nuk kanë bërë përpara. Kështu që, sot që flasim nuk është se ka kaluar shumë, shumë nga themelimi i Partisë Demokratike dhe të paktën disa nga themeluesit e kësaj partie duhet të ishin në këtë parti.
Por fakti që askush nga themeluesit e PD nuk janë më, dua të them se po, ata janë përjashtuar qëllimisht apo larguar nga Berisha me të gjithë mënyrat”, deklaroi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi gjatë prononcimit për gazetën “SOT”.
Reagon Kreshnik Spahiu
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe ish-kreu i aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Përmes një prononcimi për gazetën, ai ka treguar se si Berisha eliminoi kundërshtarët e tij. Spahiu ka deklaruar se dhe Enver Hoxha nuk ka vepruar kështu. “Partia Demokratike është shembulli më negativ i pluralizmit politik. Pas 30 vitesh ajo është e vetmja parti europiane që i asgjësua 100% nga një individ duke eliminuar të gjithë krijuesit. Si pjesë e fasadës komuniste kjo parti realizoi objektivin e forcimit të partisë komuniste.
Personalisht njoh çdo themelues të asaj lëvizje dhe që sot endet rrugëve pas thikës që u ka ngulur Berisha me pabesitë e tij. As Enver Hoxha nuk largoi 100% të themeluesve por mbajti disa për fasadë. Misioni Ramiz Alisë për të vendosur si kryetar opozite Sali Berishën rezultoi shumë i suksesshëm”, deklaroi ai. Spahiu ka nxjerr dhe një listë origjinale me të gjithë emrat që hodhën firmat për krijimin PD. Sipas tij, vetëm Berisha është në këtë parti, pasi të tjerët nuk dihet ku janë. “Dikush që po më lexon ndoshta nuk do më besojë por sot s’do bëj asnjë koment sepse fakti me dokumente që po publikoj flet vetë.
Sali Berisha i eliminoi 100% themeluesit. Asnjë nga 338 themeluesit e PD nuk janë sot as deputet dhe as anëtar kryesi të PD me përjashtim të në emri. Ai quhet Sali Berisha. Eliminoi gradualisht të gjithë: Abdi Baletën, Petrit Kalakullën, Ridvan Peshkopinë, Uran Butkën, Tomor Dostin, Tomor Malasin, Azem Hajdarin, Zenel Hoxhën, Aleksandër Meksin dhe 337. Dikush do thotë: “Edhe këta nuk ishin burra të mirë”. Po mirë o njerëz, të gjithë dolën burra të këqij dhe vetëm Berisha ishte burrë”, nënvizoi ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. /Rigels Seliman