Nga Jakin Marena
Sali Berisha është vërtetë në hall të madh! Nëse deri më tani ai ka deklaruar se është i pastër si ‘kristali’ përsa i përket përvetësimeve të pasurisë publike dhe evidentimi i këtyre pasurive në emër të tij, nisja e hetimit të pasurisë së dy fëmijëve të tij nga SPAK, e pranuar dhe nga vetë ish kryeministri demokrat, ia ka shembur tërë ngrehinën e ‘pastërtisë’ familjare të pretenduar ndër vite, ‘kult’ i rremë ky i ngritur vit pas viti në kurriz edhe të kundërshtarëve të tij politikë! Jo më larg se në fillim të kësaj jave, teksa Berisha ka kryer atë ritualin e detyrim paraqitjes tek oficeri i SPAK si dhe ka përfunduar ‘procesin’ e lënies së një mesazhi për Altin Dumanin, tashmë ai nuk është më kreu i Prokurorisë së Posaçme por Berisha operon me ‘kutin’ e tij në këto raste dhe bën sikur nuk e di, prokurori i SPAK i ka bërë me dije se i kanë shtuar ‘dozën’ e akuzave për hetimin e pasurisë dhe të korrupsionit për aferën e ‘Partizanit’! Pra kanë shtuar edhe hetimin e pasurisë për fëmijët e tij Argita e Shkëlzen si dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi!
E pranoi dhe vetë Berisha, i cili deklaroi se kanë ‘kanë shtuar akuzë ndaj meje faktin se fëmijët e mi kanë përfituar si mbi 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave’! Kreu aktual i PD është munduar të sqarojë disa privatizime në fillimin e viteve ’90, në periudhën e qeverisjes së parë të PD dhe kur Berisha ishte Presidenti i vendit!
Teksa ka përmendur këto privatizime, që për të janë jashtë dosjes “Partizani’, pasi bëhet fjalë për periudhën deri më 1997, Berisha ka heshtur për pjesën e periudhës së ‘artë pas ardhjes së dytë në pushtet më 2005, duke mos zbardhur më pjesë të dosjes së SPAK në ngarkim të tij, tashmë familjarisht! Pra, hetimin e aferave të fëmijëve të tij, për mbrojtjen e të cilëve Berisha shkatërroi nga themelet drejtësinë, duke qënë dhe një nga motivet e shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, vetëm e vetëm për të mos hetuar “Gërdecin’ e afera të tjera, për të cilat akuzohet familja e Berishës!
Në kushtet kur këta ‘investiguesit’ me leje të SPAK nuk arrijnë për qamet të sigurojnë ndonjë ‘rrjedhje’ informacioni nga dosjet e Berishës, ajo që mund të themi është se dosja e Berishës dhe e fëmijëve të tij për ‘Partizanin’ e që përmblidhet dhe në një hetim të thelluar të pasurive të vëna në mënyrë marramendëse nga familjarët e Berishës sa herë që ky ka qënë në pushtet, përmban edhe elementë të tjerë përpos privatizimeve të fillim viteve ’90! Është e mbushur ‘dingas’!
E nënvizojmë këtë fakt, për arsye se prokurorët e SPAK që hetojnë dosjet e Berishës, i hetojnë me shumë dhimbje themi, nuk janë të çmendur sa të bëjnë gafa të tilla të ngatërrimit të viteve dhe të përzierjes së privatizimve të deri më 1997 me përfitimet e pas vitit 2005, kur familja Berisha akuzohet se u lëshua me ‘sopatë’ në përfitime nga pasuritë publike, deri dhe tek taksa që e ‘suksesit’ prej 3 përqind që u vihej bizneseve! Kemi parasysh akuzat e pakistanezit Aznar! Megjithatë, Berishës i leverdis të merret me këtë gjysmën e akuzave! Pra me fillimet!
Tani, për hir të së vërtetës dhe kalamajtë në Shqipëri e dinë se politikanët apo zyrtarët e lartë pasuritë e tyre në 99 përqind të rasteve i kanë vërë në kurriz të fëmijëve, përmes bizneseve të sajuara nga ana e familjarëve të tyre, ndërkohë që vetëm 1 përqind e vënë në ngarkim të miqve të ngushtë apo të afërmëve të tjerë! Të gjithë e dinë se Berisha, zyrtarisht thjeshtë e vetëm ka përfituar një banesë, pasi nuk do t’i marrë në atë dynja lekët, por do t’i gëzojnë fëmijët,, nipërit, mbesat e deri në brezin e shtatë sikurse bëjnë me dije gojët e liga brenda PD, pasi i ka të siguruar breznitë, aq shumë pasuri ka vënë!
Nuk themi se Berisha vetë ka marrë lekë me zarf! Por ama, në emër të tij janë bërë publike akuza se kanë bërë namin dy fëmijët në moshë madhore të tij, deri aty sa dhe në deklaratat e pasurisë njëri prej tyre, deklarohet thjeshtë dhe vetëm sekser! Përjashtuar më pas teksa është marrë me biznesin e boronicave të ngritur në Gërdec, pikërisht në vendin kur në mars 2008, teksa Berisha ishte kryeministër, u ngrit punishtja e demontimit të municioneve ushtarake, e cila shpërtheu dhe hodhi në erë një fshat të tërë duke vrarë 26 njerëz të pafajshëm, plagosur mbi 300 të tjerë dhe shkatërruar qindra e qindra biznese! Akuzohet djali i Berishës se ishte pronar i kësaj punishteje ku humbi jetën dhe baxhanaku i babës kryeministër, Sali Berisha, dhe ku tashmë pritet të zbardhet tërë dosja e rëndë e këtij krimi shtetëror e të përgjakshëm në një biznes të ngritur për të të përfituar nga korrupsioni. Është kërkuar të merret në pyetje dhe sekretarja e ish ministrit demokrat të Drejtësisë, Aldo Bumçi për atë letrën ‘Për Shkelzenin’! Ka shkuar lart puna!
Dhe me të vërtetë Argita Berisha Malltezi bashkë me bashkëshortin Jamarbër, kanë vënë pasuri të madhe gjatë tërë këtyre viteve! Themi për atë të deklaruarën zyrtarisht! Pasi, ka akuza se vajza e djali i Berishës qëndrojnë pas çdo ndërtimi madhor, pas çdo kulle apo kompleksi pallatesh dhe pronash në kryeqytet dhe në tërë vijën bregdetare të vendit! Por këto janë akuza e dyshime, dhe nuk mund të shtyhemi më tej, duke përsëritur thjeshtë e vetëm ato që kanë publikuar mediat!
Baza e këtyre pasurive të deklaruara, duke futur brenda dhe 5.4 milionë eurot e kompleksit të pallateve të dhëndrit Malltezi tek ish kompleksi sportiv ‘Partizani’ i përfituar nga një bythë vend si pronë stërgjyshore prej 112 metrash katrorë, nuk është as pasuria e vënë sipas shpjegimit të tyre me punën e tyre disa vjeçare në Kosovë. Pavarësisht se as vetë shefat e tyre të UNMIK, ata ndërkombëtarë, nuk kanë mundur të arrijnë as gjysmën e pasurisë së pretenduar të Argitës, Jamarbërit por dhe të Lulzim Bashës e të tjerëve! Vetëm nëse kanë kryer ndonjë shërbim ekstra, sikurse ka akuza, për mbushjen e dosjes në favor të serbëve për ‘krimet’ e UÇK apo atë “Shtëpinë e Verdhë’ të “trafikimit të organeve’, një akuzë fallco që megjithëse ka rënë u ka bërë gjëmën ish komandatëve të UÇK, duke filluar nga Thaçi që ndodhet në paraburgim, Hagë!
Për të qënë më konkretë, ka qënë vetë vajza e Berishës, Argita , e cila ka deklaruar zyrtarisht pasurinë, atë që ka të përbashkët me Jamarbër Malltezin, jo atë që vetë dhëndri i ish kryeministrit ka zhvilluar më vete. Nuk e ka mohuar as faktin se ka pasuri jashtë vendit, por për të gjitha këto pasuri, veprimet janë bërë me transparencë, legale dhe përmes sistemit bankar, sipas saj!
Por media thellohet akoma më tej, teksa evidenton një për një, madje me shifrat përkatëse, pasuritë e Argita dhe Jamarbër Malltezi jashtë vendit! Sipas publikimeve të paradokohshme, rezulton se Malltezi nga viti 2018 deri në 2021 ka blerë prona në Budapest të Hungarisë me vlerë 155 mijë euro, pronë në Mynih pasi, janë kryer transferta dalëse në total 137 mijë euro drejt llogarisë së Malltezit, banesë me vlerë 395 mijë euro në Bruksel – Belgjikë, si dhe vajzës i ka blerë apartament në Roterdam të Holandës me çmim 360 mijë euro. Janë euro këto të shkreta të gjitha, jo letër! Dhe letër do të ishin shumë në fakt!
Megjithatë, kjo nuk është pasuria e plotë, pasi nuk dihet pasuria reale e Malltezit, për shkak se ai nuk është subjekt deklarimi sipas ligjit. Pasuria e dhëndrit të Berishës del në pah vetëm pjesërisht në pasurinë e përbashkët që deklaron Argita, bashkëshortja e tij. Nuk dihen as pasuritë e tjera të paluajtshme të Jamarbër Malltezit dhe as paratë që ka krijuar nga viti 2005 deri në vitin 2021. Ndërkohë që lidhjet e tij me 17 kullat në Tiranë, si pronar nga 35-50 % si dhe fitimi në shifrën e 5.4 milionë eurove, janë zbuluar vetëm nga mediat. Thuhet se janë dhe në dosjen e hetimit të “Partizanit”, por e ritheksojmë, dosjet e Berishës jo vetëm që nuk rrjedhin por as pikojnë!
Përpos llogarive bankare qindramilionëshe, Argita dhe Jamarbër Malltezi gëzojnë dhe pasuri të paluajtshme, që nga vilat në gjirin e Lalzit, zyrtarisht një vilë e gjysmë më saktë, e deri tek apartamentet në kryeqytet e bodrumet e lëshuara me qira! Flasim për të deklaruarat! Pavarësisht se ende nuk e kuptojmë se çfarë Zotin i duhen një familjeje, sado e madhe qoftë, disa vila dhe banesa brenda dhe jashtë vendit! E pashpjegueshme kjo mania e listës së apartamenteve dhe vilave, kur maksimumi tërë familja, dy tre kunorëshe është 10 vetë!
Me sa duket për këto pasuri po heton dhe SPAK, si dhe për pasuritë e djalit Shkelzen, por që nuk janë bërë publike as nga ‘rrjedhjet’ e orientuara të informacionit të dosjeve hetimore për familjen Berisha, dhe as nga vetë kreu i PD Berisha, në deklarimet e tij publike, pasi del nga SPAK!
Megjithatë, Berisha duket se ndjehet si i ‘dorëzuar’ për hetimin e pasurisë së fëmijëve të tij, teksa përtej akuzave ndaj Altin Dumanit dhe SPAK, përtej ‘revizionimit’ të dosjes ndaj fëmijëve në disa privatizime që kanë ndodhur deri më 1997, ai nuk e ka fshehur pranimin e faktit se ndjehet i shqetësuar nga hetimet! Madje ka nisur të flasë dhe me gjuhë juridike!
Nuk është dëgjuar kurrë që Berisha të flasë as për bashkëpunëtorët, jo më për familjarët e tij, me terma të tilla si’shtetasi filan’! Këtë radhë quan Argitën dhe dhëndrin Jamarbër ‘shtetas’! “Sa për t’ju informuar se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president i republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen ‘Partizani’, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën Myzeqari, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.
Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë”, reagon Berisha! I cili, në vetëm në një dalje publike ka përmendur mbi dhjetë herë emërtesën ‘shtetas’ për vajzën, djalin dhe dhëndrin! Një ndjesi me sa duket për të, se dhe ata do të jenë shpejt të pandehur! Ndjesi, të cilën nuk ka mundur ta mbajë as brenda vetes, por nga halli që ka, i ka shpëtuar dhe e ka ndarë dhe me mediat e me publikun! Eshtë vërtetë në hall të madh!
Për këtë arsye, Berisha ka dalë nga ‘shinat’ normale dhe ka nisur të shtojë akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama! Madje duke nxitur dhe ‘sponsorizuar’ dhe ide të tilla me nivel tepër të lartë marrëzie, siç është ajo e ‘arrestimit’ të Ramës direkt e në Surrel nga komandot e SHBA, e më pas të thjeshtëzuar me ‘komandot’ e PD, për ta gjykuar në SPAKU-un e Altin Troplinit sikurse e akuzon Dumanin! Madje ka nisur të shohë ëndrra me helikopterë amerikanë që fluturojnë mbi Dajt e sipër Surrelit, me komando dhe gjëra të të tjera të këtij lloji, të cilat po i ‘shet’ si të vërteta tek bashkëpunëtorët dhe ithtarët e tij, përmes paneleve televizive e mediave afër familjes dhe PD! Duke u bërë deri objekt barcaletash dhe meme-sh që kanë shpërthyer rrjetin dhe janë bërë virale!
Ua ka ngritur as shumë mendjen besnikëve të tij, duke u krijuar bindjen e verbër se ‘aleatët’ që priteshin të zbarkonin që nga viti 1945, do të zbarkojnë në Surrel tani, pasi të mbarojnë punë me Maduron në Venezuelë, pas atij arrestimi të negociiuar të tij nga SHBA! Madje me realitetin paralel të Berishës, janë në udhëtim drejt Dajtit ata! Një logjikë kjo e të pafuqishmëve, që kapen dhe pas fijes së barit, me shpresën se do të shohin sëpaku në ëndërr një karrige pushteti! Flamuri me shokë sëpaku u ulën për disa sekonda në karriget e ministrave në Kuvend, ashtu me dhunë, ‘punë e përpjekje’, në sallën e Kuvendit! Se vota s’kanë për qamet!
Pavarësisht se Shqipëria s’ka asnjë lidhje apo ngjashmëri me Venezuelën, Berisha këmbëngul në realitetin e tij paralel, duke deklaruar se rrëzimi i kësaj qeverie është punë ditësh dhe vendi duhet të përgatitet për qeverinë teknike. Kanë nisur madje dhe të evidentojnë emrat e kryeministrave por dhe ministrave! Një marrëzi më vete, pasi PS ka 83 mandate, plus 3 mandate nga PSD, aleatë që bëjnë plot 86 mandate, mbi shumicën e cilësuar! Dhe qeveria teknike bëhet vetëm kur do PS! Por Berisha kërkon qeveri teknike, e një marrëzi të tillë e ka injektuar aq shumë tek të tijtë, sa ka mbështetës allasoj që e kanë marrë për të vërtetë këtë punë!
Sa më shumë shtohen dosjet hetimore në ngarkim të tij dhe familjarëve për abuzim me pushtetin, aq më shumë shtohen deklaratat për qeveri teknike! E cila s’ka asnjë gjasë, me shanse zero, që të ndodhë! Megjithëatë Berisha vijon të ‘bombardojë’ të tijtë me këtë ‘drogë’dhe me këtë marrëzi të qeverisjes teknike! Dhe në këtë situatë të rënduar nga moti i keq, teksa ministrat dhe tërë struktura e shtetit janë vënë në funksion të përballimit të situatës së rëndë, situatë mirëfilli për shkakun e tij, pasi ishte Berisha ai që bëri kaosin urban të fillimviteve ’90-të, atë të lejimit të ndërtimit të banesave pa leje në buzë të lumejve, në tokat e drenazhuara të kohës së Enverit, duke i marrë frymën lumejve dhe bllokuar kanalet kulluese tërësisht, sa s’ka zot që i sistemon tashmë! Eshtë realiteti ky, jo sa për të thënë se fajin e ka Saliu!
Ama këto barcaletat me ‘komando’ amerikane dhe më pas të PD në Surrel, për të ‘arrestuar’ Ramën, akuzat ndaj qeverisë dhe kërkesën për qeveri teknike se harron! Kërkesa për qeveri teknike është në proporcion të drejtë me shtimin e akuzave për të dhe fëmijët e tij nga ana e SPAK! Nga dosja “Partizani’ e pasuritë e Berishëve e deri tek dosjet e ’21 janarit’ dhe “Gërdecit’ janë nën hetim, me aktorë kryesorë Berishën dhe familjarët e tij! Prandaj themi se janë kërkesa prej sikletit, pasi dhe vetë Berisha e di si dreqi se s’ka qeveri teknike! Vetë kishte dy deputetë mangut në vitin 2013, dhe për 6 muaj jetë të qeverisjes së tij, ‘bleu’ dy deputetë nga PS për të mbajtur qeverinë në këmbë, deri në humbjen rrënuese të zgjedhjeve!






