Në një deklaratë për shtyp ditën e sotme ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u shpreh se:
Për gjatë Dhjetorit dhe Janarit kur u morëm intensivisht me protestën e studentëve dhe pak a shumë e gjithë vëmendja jonë ishte e përqendruar tek Arsimi i Lartë, kanë ardhur shumë ankesa tek portali i bashkëqeverisjes ‘shqiperiaqeduam.al’ që kanë të bëjnë më çështje të ndryshme që lidhen me arsimin parauniversitar.
Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me punësimin e mësuesve duke mos i respektuar me përpikëri portalin “Mësues për Shqipërinë”, që është portali me të cilin ne bëjmë punësimet e mësuesve në sistemin e arsimit parauniversitar, kanë të bëjnë me transferimin e mësuesve nga shkolla në shkollë dhe për punësimin e mësuesve ndihmës.
Ankimuesit nuk kanë gjithmonë të drejtë, por mënyra se si disa drejtori arsimore dhe zyra arsimore janë marrë me ankimuesit ka qenë disa herë edhe e padrejtë.
Çfarë janë Drejtoritë Arsimore dhe çfarë janë Zyrat Arsimore?
Këto janë institucione, zyra që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit në territor. Ato kanë për detyrë të adresojnë nevojat e mësuesve, nxënësve dhe prindërve jo vetëm për një arsim më cilësor por dhe për një eksperiencë shkollore sa më të mirë për nxënësit që janë nën juridiksionin e tyre. Ata në parim do të duhet të ishin në gjendje të bëjnë një gjë shumë specifike që ne nga Tirana nuk jemi në gjendje ta bëjmë: Të plotësojnë nevojat specifike, gjeografike të rajoneve ku ata shërbejnë.
Ka dallime të mëdha mes Pukës, Lezhës, Korçës dhe Tiranës për sa i përket nevojave të shkollave, nevojave të nxënësve dhe të mësuesve. Përderisa, për shembull në Pukë kemi gjithmonë e më pak nxënës në sistemin e arsimit parauniversitar, që do të thotë se kemi gjithmonë e më pak nevojë për mësues. Në Tiranë rritet nevoja për mësues ngaqë ka një koncentrim gjithmonë e më të madh të nxënësve dhe zyrat arsimore dhe drejtoritë arsimore do të duhej në parim të ishin në gjendje që në mënyrë kreative t’i adresonin dhe këto nevoja që dalin nga sistemi i arsimit.
Kur vijnë kërkesa specifike nëse ato nuk mund të adresohen, ngaqë siç thashë disa ankesa nuk janë të drejta dhe disa kërkesa është e vështirë të adresohen, duhet së paku që me korrektësi, të kthejnë përgjigje për çështjet që kanë në shqyrtim dhe t’i kthejnë ato përgjigje në kohë.
Morëm shkas nga një emision televiziv ku ishte raportuar për një mësuese e cila udhëtonte gati dy orë në këmbë për të shkuar në shkollë. Ajo kishte kërkuar të transferohej tek një shkollë më afër shtëpisë së saj por Zyra Arsimore Mat, që është në qarkun Dibër, nuk e kishte sistemuar diku më afër shtëpisë së saj. Zyra arsimore thotë që nuk ka pasur një vend të lirë pune afër, dhe mund të jetë e drejtë, por ajo që është e papranueshme është që mësuesja nuk e ka marrë një përgjigje, jo vetëm për kërkesën e saj që të transferohej por edhe nëse kjo kërkesë nuk mund të plotësohet sivjet kur është momenti që do të shqyrtohet rasti i saj.
Në fakt ne e hapëm pak portalin për të parë se sa ankesa ka pasur në përgjithësi për zyrën arsimore Mat dhe ishin në total 41 ankesa gjatë vitit të kaluar për zyrën arsimore Mat, për një zyrë të vogël që i shërben 30 shkollave dhe diku 600 mësueseve është një numër rekord ankesash. Dhe ankesat janë të ndryshme: për emërime të gabuara drejtorësh, për mosrespektim të portalit Mësues për Shqipërinë, dhe ankesa të përgjithshme për një mungesë të etikës bazike të komunikimit me ankimuesit.
Si rezultat dje është pezulluar nga detyra drejtuesja e Zyrës Arsimore Mat, dhe ka filluar një proces i verifikimit të të gjitha ankesave ndaj vendimeve të saj për një vendim përfundimtar.
Në Gramsh, qarku Elbasan, gjithashtu një zyrë arsimore me numër rekord ankesash ndaj tyre. Para një viti është larguar nga detyra drejtori dhe është komanduar një specialist aty që të kryejë rolin e drejtorit, ai kishte marrë vendime të gabuara gjithashtu, kështu që i është hequr përgjegjësia e vendimmarrjes dhe kemi komanduar dikë nga Ministria e Arsimit, nga Tirana, të shkojë atje dhe të bëjë dy gjëra: të verifikojë të gjitha vendimmarrjet e vitit të kaluar dhe të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes për zyrën arsimore Gramsh për këtë periudhë kohore deri sa t’i japim zgjidhje më permanente.
Dhe të njëjtin proces do ta zhvillojmë për të gjitha Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore të tjera që kemi pasur shumë ankesa, deri në riorganizimin e plotë të drejtorive dhe zyrave arsimore. Ky riorganizim i plotë do të vijë dhe me një rregullore të re të punës që i organizon dhe rregullon funksionimin e drejtorive arsimore dhe zyrave arsimore, që ne do ta mbikëqyrim me shumë rigorozitet dhe nuk do ta lejojmë të ketë shkelje në të ardhmen.
Së fundmi, dua të nënvizoj dy çështje:
Portali “Mësues për Shqipërinë”, portal përmes të cilit rankohen mësuesit dhe ata që janë më të mirët e marrin shansin të parët për t’u punësuar në shkollë ka dhënë një rezultat të paparë, duke përmirësuar cilësinë e mësimdhënies nëpër shkolla. Ky portal është vendosur në ligjin e Arsimit Parauniversitar, pra është futur në vjeshtë të vitit 2018, dhe çfarëdo mosrespektimi i portalit “Mësues për Shqipërinë” për emërimet e mësuesve është i kundërligjshëm. Kështu që mos të ketë dilema për këtë gjë. Mos të gabojë askush që të marrë vendime për të emëruar mësues pasi është e kundërligjshme dhe ato vendime do të kthehen mbrapsht.
Dhe e dyta, jemi në proces të përfundimit të një rregullimi të udhëzimit numër 38, që për shumicën e njerëzve që po na shohin nuk ka kuptim udhëzimi numër 38, por mësuesit e dinë shumë mirë se ky është udhëzim më të cilin rregullohet punësimi i tyre, dhe drejtoritë arsimore, zyrat arsimore duhet ta respektojnë me përpikëri.
Tri janë çështjet kryesore që po i adresojmë aty:
E para ka të bëjë me emërimin e mësuesit ndihmës, që prapë do të bëhet VETËM përmes portalit. Prioritet kanë mësuesit të cilët kanë një arsimim tek pedagogjia speciale. Nëse nuk ka në portal mësues që e kanë këtë arsimim atëherë do të merren më të mirët nga cikli i cili ka nevojë për mësues ndihmës. Nëse është cikli i ulët, mesëm ulët apo i lartë dhe merret më i miri në portal dhe kanë përparësi ata që kanë kryer një trajnim për mësues ndihmës.
E dyta do të jetë definimi i pikave të vlerësimit të dosjeve të kandidatëve për mësues. Do t’i japim përparësi kandidatëve që e njohin një gjuhë të huaj dhe do t’i japim më shumë përparësi kandidatëve që kanë dalë mirë në rezultatet e studimeve për t’u bërë mësues.
Dhe e treta do të përfshijmë në portal përfundimisht edhe punësimin e mësuesve të lëndëve të përgjithshme në shkollat profesionale.
Dhe në këtë mënyrë ne e mbyllim gjithë ciklin e punësimeve dhe rregullojmë një problematikë që ka ekzistuar te shkollat e arsimit profesional që janë nën mbikëqyrje të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë por që me një bashkëpunim të ri që kemi vendosur tani do të ndihmojmë në punësimin e mësuesve sipas rregullave që i ka portali “Mësues për Shqipërinë”- tha ministrja e arsimit Shahini.