Deputeti i PD, Besart Xhaferri në një intervistë për Dekalog, në Dritare Tv deklaroi se kreu i opozitës, Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi nëse nuk zbaton kauzat që ka premtuar.
Sipas Xhaferrit retorika se zgjedhjet e 2025-ës janë vjedhur, duhet të vërtetohet nga Berisha, në të kundërt, ai nuk mund të udhëheqë me opozitën.
“Berisha nuk ka ripërsëritur zgjedhjet, kauza për farsë elektorale e tij duhet të vazhdojë. Nëse nuk përseriten zgjedhjet, Berisha duhet të largohet nga drejtimi brenda 2026-ës.
Nëse nuk ikën Berisha, unë do të vazhdoj misionin brenda PD, por nuk do të bëj luftë brenda partisë. Kjo, pasi përballja brenda partisë ka një lloj hierarki, nuk është radha ime”, tha deputeti.
“Sipas statutit, mandati i zotit Berisha mbaron në prill të 2026. Edhe në prill të 2026 duhet të ketë zgjedhje brenda në PD. Nëse Berisha nuk i ka ripërsëritur zgjedhjet, duhet të largohet,” deklaroi deputeti demokrat. Ai shtoi se nëse Berisha nuk e mban premtimin për të përsëritur zgjedhjet e 11 Majit, për të cilat opozita pretendon se janë manipuluar nga Partia Socialiste, atëherë është e drejtë që ai të largohet nga drejtimi i partisë.
Besart Xhaferri njihet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Belind Këlliçit. Ky i fundit, megjithëse dikur u prezantua si drejtuesi politik i Tiranës për zgjedhjet në bashkinë e kryeqytetit, duket se është spostuar nga strukturat drejtuese të PD. Burime brenda partisë bëjnë me dije se vendin e tij e ka zënë Ilir Alimehmeti, i cili tashmë shihet si figura kryesore në Tiranë. Edhe në takimin e sotëm të kandidatit Florian Binaj, Këlliçi mungonte, ndërsa në vend të tij ishte i pranishëm Alimehmeti.
Reagimi i sotëm i Besart Xhaferrit, i cili është shpërndarë edhe nga Rilindja Demokratike — organi zyrtar i Partisë Demokratike — shihet nga shumëkush si një shenjë e parë e një “rebelizimi” të mundshëm brenda radhëve të PD-së.