Mazhoranca ka ndryshuar pyetjet që u dërguan në Komisionin e Venecias, sa i takon përplasjeve për Kushtetuesen dhe shkarkimin e presidentit. Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses në tejkalim të afatit 30 ditor, duke sjellë përplasje të forta me mazhorancën. Kjo e fundit vendosi që këto shkelje t’i bëjë pjesë të objektit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit.
Për të patur një qëndrim sa më korrekt, komisioni vendosi t’i drejtohet për asistencë Komisionit të Venecias. Fillimisht u bënë publike 5 pyetje që do t’i drejtoheshim Komisionit të Venecias, por gazeta ka mësuar se pyetjet kanë ndryshuar rrugës. Tanimë, mazhoranca nga 5 pyetje që kishte përgatitur, ka ndërtuar 6 pyetje të reja të cilat kanë ndryshime edhe në përmbajtjen e tyre. Arsyeja pse ka ardhur ky ndryshim i pyetjeve në minutat e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë, është se mazhoranca ka marrë edhe mendimin dhe opinionin e opozitës parlamentare dhe ka riformuluar kësisoj pyetjet nga e para. Sakaq gazeta “SOT” ka siguruar draftin final me 6 pyetjet e reja të Kuvendit të Shqipërisë që do të dërgohen tek komisionerët.
Pyetjet e reja
Përplasja mes presidencës dhe Parlamentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit ka agravuar shumë, duke bërë që çështja të shkonte deri tek Komision i Venecias. Sakaq pyetjet e reja të formuluara nga Parlamenti nisin pikërisht më këtë çështje. Mazhoranca kërkon të dijë nga Venecia nëse emërimi i një gjyqtari kushtetues, që është Marsida Xhaferllari, jashtë afatit 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, cënon apo jo parimin e gjykatës së krijuar me ligj.
“Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore”, theksohet në pyetjen e parë. Më tej pyetjet e riformuluara nga mazhoranca kërkojnë të dinë nëse situata me emërimin e Xhaferllarit dhe tejkalimi i afatit 30 ditor, ndikojnë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor?
A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese”, thuhet në pyetjen e dytë.
Pyetja e katërt drejtuar komisionerëve ka të bëjë me vendimin e presidentit Meta për të mos organizuar ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues. Mazhoranca në këtë rast kërkon të dijë nga Venecia nëse konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën.
“A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën”, pyet Kuvendi i Shqipërisë.
Më tej në pyetjen e pestë mazhoranca kërkon të dijë se si mund të zhbllokohet situata kur presidenti nuk e ka kryer ceremoninë e betimit.
“Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit”, thuhet në pyetjen pesë. /Arbjona ÇIBUKU