Është betuar sot para Presidentit të Republikës, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj, i cili u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”, deklaroi gjyqtari Binaj me dorën mbi Kushtetutë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar.
Në ceremoninë e betimit në Presidencë ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca dhe drejtuesja e misionit OPDAT të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Michelle Lakomy.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë pesë anëtarë si; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji e Altin Binaj, ndërkohë që katër vendet e tjera mbeten vakante. Me zgjedhje e Altin Binajt, tashmë Gjykatës Kushtetuese i duhet edhe një emërim i ri për t’u bërë funksionale.