Pak pas mesnate në kryeqytet është ndarë nga jeta kryetari i “Shoqatës Tirana”, Arben Tafaj, i cili ka qenë dhe kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Ai është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, ndërsa policia bën me dije se Tafaj ka rënë nga lartësia nga banesa e tij në Rrugën e Dajtit.
“Më datë 03.12.2024, rreth orës 00:40, në Rrugën e Dajtit, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, aksidentalisht është rrëzuar nga një lartësi rreth 10 metra, në banesën e tij, shtetasi A. T., 63 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital”, sqarojnë uniformat blu.
Në profilin e Arben Tafajt në rrjetet sociale, familjarët kanë publikuar një njoftim ku konfirmojnë ndarjen e tij nga jeta.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të politikanit, drejtuesit, shembullit të qytetarisë, babain dhe vëllain shembullor, Kryetarit te Shoqatës Tirana, Z. Arben Tafaj! Qoftë i paharruar kujtimi i tij! Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e Mërkurë më datë 4 Dhjetor, ora 11:00”, thuhet në këtë postim.
Sakaq, për ndarjen nga jeta të Tafajt ka reaguar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, bashkëpunëtorit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj. Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to”, shkruan Këlliçi në një postim në Facebook.
Ai më tej shprehet se Arben Tafaj si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas.
“Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve”, shprehet Këlliçi.
“Me hidhërim të thellë u njoftova për ndarjen e papritur nga jeta të z. Arben Tafaj, i cili nuk ishte vetëm një mik, por edhe një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare. Humbja e Benit është patjetër humbje e hidhur për familjarët dhe miqtë e tij, por është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës! Ngushëllime të ndjera familjes Tafaj për humbjen e një njeriu të dashur, të urtë e të matur. Do të na mungosh Beni”, shkruan nga ana tjetër Ilir Alimehmeti.
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, reagoi për ndarjen e Tafajt nga jeta.
“I hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” dhe një nga zërat më të zëshëm për komunitetin tonë, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën. ????️
Ikja e Arbenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë qytetin e Tiranës. Ngushëllime të sinqerta familjes Tafaj dhe të afërmve të tij”, shkruan Veliaj.
Për humbjen e tij ka reaguar edhe Lulzim Basha.
“Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Arben Tafajt, politikan dhe kontributor i palodhur në shërbim të Tiranës, komunitetit dhe traditës së kryeqytetit, që e deshi fort dhe e promovoi me çdo ditë të punës së tij.
Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë. U gjendem pranë në këtë humbje të madhe dhe u them se duhet të ndihen krenarë për kujtimin dhe trashëgiminë që la pas Arbeni. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.