Ditën e djeshme Gimi i Puros, i dha disa këshilla sekretarit amerikan të Shtetit, se ç’duhet të bëjë në Ballkan dhe Shqipëri.
Bilushi i Metës u gëzua shumë për mendimet me vlerë të Gimit të Puros dhe bëri një vlerësim publik për të:
“Të dashur miq!
Ju ftoj të shikoni këshillat e vyera që Gimi i Puros i ka dhënë sekretarit amerikan të Shtetit, për Shqipërinë.
Urojmë që sekretari i Shtetit të mos rrethohet nga këshilltarë të këqinj, por të dëgjojë mendimet e Gimit të Puros.
Ai më siguroi se ja ka çuar dhe dorazi letrën, pasi hidrauliku që ka punuar në Ambasadë në Nju Jork, kur ishte ambasador, ka pas rregulluar një herë banjën e një senatori demokrat, që e ka mik zotin Blinken, dhe i ka dhënë fjalën që do t’ia çojë letrën në dorë.
Kjo na jep siguri se letra me këshillat e Gimit të Puros do mbërrijë në destinacion dhe pas kësaj gjërat për Shqipërinë do ndryshojnë.
Së pari, sekretari i Shtetit do ta kuptojë se Reforma në Drejtësi është një kurth i Ramës për SHBA dhe ata do këmbëngulin të ndërpritet dhe të veprojnë sipas planit të Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Së dyti, SHBA duhet të mbështesë hapur Lulin në zgjedhje, me qëllim që të largojë nga pushteti Edi Ramën.
Luli është student me bursë i Sorosit, i lidhur me demokratët, ndërsa Rama ka tradhtuar demokratët amerikanë pasi është takuar dy herë me Trump-in dhe ky i fundit ka fol fjalë të mira për të.
Ndaj demokratët duhet të hakmerren.
Së treti, SHBA duhet të kuptojë se Shqipëirnë e bëjnë burra të fortë e patriotë si Ilir Meta, që e duan Shqipërinë, dhe jo tradhtarë si Edi Rama, që i shkonte pas orekseve të Grenellit.
Së katërti, SHBA duhet të kuptojë përfundimisht se Edi Rama e ka mashtruar dhe Sorosin, duke u hequr sikur e ka mik, ndërsa Basha i është mirnëjohës se i ka paguar shkollën.
Ne shpresojmë shumë që hidrauliku do t’ia japë letrën senatorit dhe ky do t’ia dorëzojë sekretartit të Shtetit.
Në momentin që ai do ta marrë letrën, hidrauliku do t’i dërgojë Gimit të Puros një mesazh të koduar përmes një emoji me gishtin e madh përpjetë.
Jemi në pritje të emojit.”