Pas vendosjes së gjobave ndaj drejtuesve kryesorë të LSI dhe disa miqve të humoristit të LSI, Bilushi i Metës vendosi të dalë në një deklaratë për shtyp kundër Edi Ramës.
Të nderuar gazetarë!
Pas asaj që i ndodhi Kaçit të Bardhë tek Liqeni, kjo që ndodhi kundër ditëlindjes së Bes Kallakut është shumë e rëndë. Për ti ikur syve të publikut ne shkuam pronotuam një lokal në Laknas fshehur dhe larg syve të policisë.
Fakti që ata na gjetën tregon se qeveria gjurmon dhe përndjek LSI dhe ruan ku shkojnë liderët e saj.
Dhe ky është elementi i parë i shtetit policor.
Së dyti gjoba e Policisë ndaj Presidentit është e paligjshme. Presidenti ka imunitet dhe nuk mund të gjobitet nga policia se shkel ndonjë ligj të veçantë. Ai ndëshkohet vetëm për tradhëti kombëtare dhe nëse çmendet.
Punën e tradhëtisë kombëtare e kemi zgjidhur duke folur gjithë ditën për patriotizëm dhe heronj të kombit. Premisa e dytë që Presidenti të jetë i çmendur, përjashtohet, pasi kjo është një kartë e opozitës dhe nuk quhet.
Në këtë aspekt gjoba është shkelje dhe fyerje kushtetuese.
Së treti gjoba ndaj Kryemadhit është e treta në radhë, por ajo nuk i paguan se nuk ka asnjë kontratë dritash në emër të saj. As Ilir Meta nuk ka asnjë kontratë. Kështu që gjobat nuk ka kush t’i mbledhë dhe qeveria i vë sa për presion.
Nga ana tjetër i bashkohem shqetësimit të republikanit Mediu që ka protestuar fort pse janë ndaluar tubimet politike.
Dakord PD dhe PS, madje dhe LSI, nuk duhet të bëjnë mitingje se rrezikojnë popullsinë, por si mund t’ua ndalësh këtë gjë republikanëve. Po ata maksimumi kur takohen dy republikanë quhet takim. Si mund t’ua mohosh këtë gjë republikanëve. Këtë vetëm diktatorët mund ta bëjnë. Por ne nuk do t’i lejojmë.