Ukraina ka pranuar propozimin e SHBA për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, pas më shumë se 3 vitesh nga nisja e konfliktit.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka dhënë dakordësinë e tij për këtë armëpushim të propozuar nga Uashingtoni pas takimit të mbajtur për mbi 9 orë në Arabinë Saudite, mes një delegacioni ukrainas dhe atij amerikan.
Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin menjëherë pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të ndarjes së informacionit të inteligjencës për Ukrainën.
Ky vendim u bë i ditur pas bisedimeve mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit, të zhvilluara në Jeddah, Arabinë Saudite.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, konfirmohet se ndihmat e SHBA-së do të rifillojnë pa vonesë, duke forcuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të flasë me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, “këtë javë”, me shpresën për të arritur një “armëpushim të plotë në ditët në vijim”.
Gjatë këtyre negociatave, palët ranë dakord edhe për përshpejtimin e marrëveshjes mbi shfrytëzimin e burimeve minerare të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara. Kjo marrëveshje do të finalizohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas njoftimit zyrtar.