Kryeministri Edi Rama sqaroi sot deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi për një ristrukturim të Policisë së Shtetit. Rama foli për një moshë të re të efektivëve, fuqizim përmes teknologjisë dhe performancë.
Rama tha gjithashtu se duhet të funksionojë çdo hallkë e shtetit që qytetarët të jenë të kënaqur.
A jeni i shqetësuar për kriminalitetin? Kryeministri Edi Rama flet hapur dhe mban qëndrimin e prerë
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Në sensin e ristrukturimit të vazhdueshëm, për arritjen e moshës, integritetin dhe performancën e secilit dhe fuqizimin e Policisë së Shtetit me teknologji që shumëçka në aspektin e kontrollit të territorit të bëhet më mirë.
Kjo është rruga, s’ka rrugë tjetër. Kur flasim për shtetin, shteti është qeveri, polici, prokurori e gjykatë. S’është punë faji kjo. Shkelja e ligjit është përgjegjësi personale, jo kolektive. Nëse njëra nga hallkat nuk funksionon, kjo gjë më pas ka vështirësi.
Mjafton të shihni trendin, shumë njerëz me emocionin e ngjarjeve tragjike, s’duan të shohin shifra dhe fakte, por shifrat dhe faktet orientojnë punën tonë.
Është koincidencë por kishim kohë që punonim. Dua të nënvizoj se meqë ministrit ia kthyet fjalët përmbys dje, pavarësisht përgjegjësisë direkte, nuk ka arsye për të larë duart. Çdo ngjarje është arsye për të treguar sesi gjërat mund të bëhen më mirë dhe kur them që në ngjarjet në fjalë, sulmi ndaj Policisë është absurd, nuk kam parasysh që policia nuk mund të bëjë më mirë.
Por sigurisht që Policia jonë e Shtetit ka nevojë për një mbështetje të madhe përsa i përket teknologjisë, dhe ndërkohë riorganizimi, strukturimi dhe drejtimi në qarqe dhe nivelet më të ulëta është një proces që ka nisur. Pikërisht për të reaguar në kohë para kësaj situate, pavarësisht fakteve dhe detajeve, atmosfera psikologjike është e rëndësishme.
Falë ngarkesës emocionale, atmosfera psikologjike ka nevojë për ndryshim. Ndryshimi në nivelet e larta në Polici do të bëhet shumë shpejt, por ishte i planifikuar.