Parlamenti ditën e premte ka planifikuar të rrëzojë dekretet e presidentit për ndryshimet në 10 ligjet e reformës në drejtësi. Para zgjedhjeve u bënë ndryshime në ligjet bazë të reformës, shumica prej të cilave të kërkuara nga vetë institucionet.
Por presidenti i ktheu për rishqyrtim të 10 draftet. Por mazhoranca nuk ka humbur kohë, pasi në seancën plenare të së premtes ato janë parashikuar në rend dite. Gazeta ka siguruar kalendarin 3 javor të punimeve dhe plani është që të premten përveç ngritjes së komisionit hetimor për presidentin, të rrëzohen dhe dekretet e tij kundër ligjeve të reformës.
Detajet
Pas rrëzimit të tyre, javën që vjen ligjet publikohen në Fletoren Zyrtare dhe pas 2 javësh shumë institucione do të jenë më të forta. Ndër ta është Prokuroria e Posaçme. Prej javësh ishte ngritur shqetësimi i prokurorëve të SPAK se dosjet e korrupsionit të nivelit të ulët kanë mbingarkuar SPAK e për këtë arsye mazhoranca ndryshoi Kodin e Procedurës Penale. Në nenin 75/a përcaktohen kompetencat e SPAK, ku ka një ndryshim të një pjesë të tyre. Këto ndryshime janë shoqëruar dhe me ndërhyrje në Kodin Penal.
Sipas ndryshimeve, SPAK do të ketë në kompetencë korrupsionin mbi 50 mijë lekë, ndërsa kushdo që kapet nën këtë shifër do hetohet nga prokuroritë e rretheve. Në SPAK përfundonin dhe ata që korruptonin policët me 5 mijë lekë, por me këto ndryshime fokusi do të jetë vetëm te korrupsioni në nivel madhor. Neni kryesor që ka ndryshuar është neni 244 i Kodit Penal, ku flitet për korrupsionin e personave publikë.
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, deri në vlerën deri në 50,000 Lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në 1 vit. Po kjo vepër, kur përfitimi i parregullt i personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë, është mbi vlerën 50,000 lek, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet”, thuhet aty.
Pra me ndryshimet e reja, ka dy zhvillime, së pari ka rritje të dënimit për raste kur kemi të bëjmë me korrupsion mbi 50 mijë lekë. Nga ana tjetër kompetencë e SPAK do të jetë vetëm paragrafi i fundit, pra për rastet mbi këtë shifër. Një tjetër nen i ndryshuar sa u takon kompetencave të SPAK është Neni 245/1- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në kompetencat e SPAK do të jenë vetëm paragrafët 2 dhe 4 të cilat me ndërhyrjet e reja parashikojnë:
1-Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt… kur përfitimi i parregullt, është mbi vlerën 50,000 lek, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet. 2- Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi,… kur përfitimi i parregullt, është mbi vlerën 50,000 lek, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 2 deri ne 4 vjet. Por duhet theksuar se kompetencat bazë të SPAK janë çdo akuzë ndaj presidentit, kryeministrit, ministrave deputetëve dhe ish-funksionarëve të mësipërm.
Disa nga ndryshimet
Ndërkohë pjesë e SPAK do jetë dhe neni 245 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Një tjetër nen që do të prekë një pjesë të madhe të pushtetarëve dhe zyrtarëve shqiptarë është neni 258 që ka të bëjë me abuzimin me tenderat. Vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kallëzuar gjatë 3 viteve të fundit rreth 500 zyrtarë.
Shumë prej tyre ia kanë hedhur paq në gjykata apo prokurori, por me ngritjen e SPAK nuk përjashtohet mundësia që të rihapen dosjet. Me ndryshimet e fundit është përcaktuar se kompetencë e SPAK do të jenë rastet kur kemi dëm mbi 800 mijë lekë. Sa i takon korrupsionit në gjyqësor nuk ka ndryshime, kushdo që kapet në afera kalon te SPAK.