Policia me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se janë marrë masa ndaj katër shtetasve që ishin drejtuesit e mjeteve ë cilët bllokuan autostradën te mbikalimi i Patokut, për arsye se po festonin për dasëm.
Përvec procedimin, 4 drejtuesit e mjeteve që bllokuan rrugën janë ndëshkuar me gjoba nga 50.000 deri në 1 milionë lekë të vjetëra.
Pamjet e personave në fjalë duke bllokuar rrugën dhe duke kërcyer në mes të autostradës së bashku me njerëzit e tyre u publikuan në rrjetet sociale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, kanë identifikuar dhe proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve, të cilët penguan lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera duke bllokuar rrugën me mjetet e tyre të përgatitura për një ceremonie martesore dhe prishën rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë bënë bllokimin e 4 automjeteve, si dhe proceduan administrativisht drejtuesit e tyre.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar për disa momente lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera dhe duke prishur rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin proceduan penalisht shtetasit: G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.