Ftesa ndaj këngëtarit serb Goran Bregoviç, për të marrë pjesë në festën e birrës në Korçë, ka disa ditë që ka ndezur debate në rrjet. Shumë artistë kanë qenë të ndarë mbi prezencën e tij në festë, por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një debat të qëllimshëm.
Ende nuk dihet saktësisht se kush e solli Bregoviç në Korçë, por Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka drejtuar gishtin nga biznesmeni, Irfan Hysenbelliu. Përmes disa statuseve në rrjetin social Facebook, kreu i Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi, ka treguar se si mediat e Hysenbelliut flasin në mbrojte të Bregoviç për ta larguar vëmendjen nga thirrjet e tij kundër Kosovës.
Sipas Abazit, Hysenbelliu është duke përdorur mediat e tij për t’i “hedhur hi syve” shqiptarëve dhe për t’i bindur ata se Bregoviç nuk ka bërë asnjë thirrje kundër kosovarëve. Abazi thekson se, është e turpshme që i bëhet reportazh dhe i thuren lavde një këngëtari serb që me qindra herë ka nxitur dhunë ndaj Kosovarëve.
“Duke lexuar gazetat sot …Në të majtë të faqes së parë një reklamë për “Prestige Resort”, në të djathtë, një reklamë për Birrën Korça, të dyja në pronësi të Hysenbelliut. Në mes, dy opinione në mbrojtje të ftesës për Bregoviçin, një nga Shqipëria e një nga Kosova. Në qendër, një reportazh në formë shfajësimi për Bregoviçin, pa thënë asnjë fjalë për aktivizmin e tij politik kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, kreu i LVV.
Lidhja me “Ballkanin e Hapur”
Sipas Boiken Abazit, ardhja e këngëtarit serb në Shqipëri lidhet edhe me marrëveshjen e fundit Serbi-Shqipëri- Maqedoni e Veriut, por për ta mbuluar këtë Hysenbelliu ka përdorur punonjësit e birrës Korça që të flasin pro Bregoviçit. Këtu, Abazi thekson se mediat shqiptare nuk janë të lira, por po përdoren për interesat politike të Hysenbelliut.
“Më tej, një deklaratë e prodhuesve të birrës që pajtohen me ftesën për Bregoviçin e nuk thonë asnjë fjalë për Mini-Shengenin. Kaq për sot për gazetarinë e pavarur në mbrojtje të oligarkisë që do të lidhet me se s’bën me Serbinë dhe simbolin e Jugosllavisë së Re: jugonostalgjikun Bregoviç”, shkruan ai. Nga ana tjetër, Abazi e lidh ftesën ndaj këngëtarit serb edhe me ardhjen e ish -ambasadorit Richard Grenell, ku për të dyja rastet thotë se ka gisht Irfan Hysenbelliu.
Duke përmendur faktin që gjatë vzitiës në Shqipëri Grenell qëndroi në resoritn e Hysenbelliut, Abazi shprehet se e gjithë kjo tregon hapur që është një lojë e stisur në kuadër të “Ballkanit të Hapur” dhe rrjedhimisht kundër Kosovës. Sipas Abazit, mediat në pronësi të Hysenbelliut asnjëherë nuk e kanë përmendur faktin që Grenell është pro Novi Sadit, pasi vazhdimisht mbronin figurën e tij dhe tani të njëjtën gjë po bëjnë me Bregoviç.
“Duhet ngritur edhe pyetja se ç’punë kishte Irfan Hysenbelliu që e mbajti këtë javë ish ambasadorin Richard Grenell në resortin tij në Golem, e më tej e shëtiti brigjeve të jugut (shiko fotografinë më poshtë). Grenelli ka qenë e mbetet një nga mbështetësit kryesor të “Zonës së Novi Sadit”, e njohur ndryshe si “Open Balkan””, është shprehur ai më herët.