Gazetari Agim Xhafka ka zhvilluar një takim me Sali Berishën, në zyrën e këtij të fundit.
Ai ka zhvilluar një bisedë të gjatë me të dhe tregon disa detaje nga ajo.
Interesant është fakti se Berisha nuk e ka kapërdirë dot marrëveshjen e Bashës me Ramën.
Sipas tij, kjo marrëveshje ishte si “puthja e vdekjes”.
Deklarata më e fortë vjen më vonë.
Ai e pyeti Berishën nëse Basha duhet të japë dorëheqjen po humbi zgjedhjet e 2019-s, dhe Berisha i ka thënë se Basha duhej ta jepte dorëheqjen më parë.
“Çdo njeri,në e adhuron apo jo,ka kureshtje të takojë Sali Berishën. Aq më teper një gazetar që synon të bëjë një shkrim apo një intervistë.
Kur konfirmova një takim me të mendoja se do e gjeja ashtu përkulur mbi kompjuter a duke folur në cel. Por lajmet dalë nga kati i 14 i COIN flisnin se zyra e tij ishte përherë plot. Me pritje e përcjellje,njerëz të thjeshtë, apo ofiqarë e ambasadorë.
Nisja e takimit u bë me përpikmëri. Në orën 13 e 30 minuta. Ai donte të mësonte për mua,unë doja të dija për të.
Gërmova e gérmova,por nuk pati nevojë. Sali Berisha tregon qysh në minutin e parë se ka trishtim e shqetësim. Partia që dorëzoi nuk ka qetësi,pra nuk po starton drejt ngritjes. Dhe është i drejpérdrejtë. Fajtor është Basha. E nisi me marrëveshjen, që e quan me stil kadareian, “puthja e vdekjes”.
Jo për ditën kur u dakortësuan, por më vonë kur ai shtrëngim duarsh u shit nga socialistët si favor për PD-në. E ndërsa Rama tallej fshatrave duke e quajtur Bashën cun të mirë, kryetari i PD-së nuk agresohej, ndaj baza u ftoh dhe tani ajo është vagull.
Për listat nuk ke pse e pyet. Ta thotë vetë. Gabim, shumë i madh. Nuk fshihet fibra e PD-së me një të rënë të lapsit. E kur e sheh me dyshim, ai shton: “Si ishin listat i mësova nga media”
Sali Berisha humbi zgjedhjet e 2013, iku nga drejtimi i saj, por nuk ka ikur partia prej tij. Duket sikur është dorëhequr Basha.
Nga biseda kupton se kjo parti ka hyrë në cikël rikuperimi. Njësoj si njeriu kur sëmuret dhe operohet. Pret t’i mbyllet plaga, të heqë penjtë e të futen në lojë fizioterapistët per ta aftësuar.
Edhe pas Theçerit në Angli u larguan tre kryetarë deri sa i katërti i solli në pushtet. Pyetjes në se Basha duhet të dorëhiqet po humbi lokalet 2019, lëshon fjalinë, “duhet të ikte më pare”.
Rikthimin e vet ne krye e quan të pamundur, por kërkon rikthimin e të larguarve. Sa më parë të vijnë te shtëpia e tyre. E shpresën pret ta ngjallin të rinjtë. Janë si dallga që pastron bregun.
Me Sali Berishën flet jo veç për politikë. Edhe për teatrin, filmin, librin. Zyra e tij komode, jo aq e madhe sa duket në tv, është e ngrohtë dhe miqësore. I vëmendshëm kur i flet dhe plot fakte kur të shpjegon të bëjnë që takimin ta mbash mend si një ngjarje me kujtesë të gjatë.
Kur largohesh Sali Berisha të përcjell deri tek paradhoma. Atje presin shumë njerëz. E pashë plot atë mjedis të vogël,i thashë:
-Doktor, je si Kisha e Lacit.
Dola jashtë dhe rruga më nxori para SHQUP-it. Qetësi, heshtje, veç ca makina që flinin në oborr. Parti me dy seli. Dhe nuk dija të dalloja cila ishte e para…”, shkruan gazetari.(TemA)