Bie dëbora e parë në malin e Tomorrit.
Sot maja e Malit të Tomorrit është mbuluar nga dëbora.
Vitin e kaluar dëbora e parë ka rënë rreth një muaj më vonë e për banorët e zonës kjo tregon se dimri do të fillojë më shpejtë e pritet të jetë me lagështi.
Meteorologët kanë parashikuar se 15 ditëshi i parë i muajit nëntor do të jetë i lagësht dhe me temperatura të ulëta.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, kjo javë, do të nisë me diell e temperatura në rënie në orët e mëngjesit.
Ditën e martë, fillimisht moti parashikohet i qëndrueshëm, por prej mesditës, në të gjithë vendin do të nisin reshjet e shiut.
Këto, në pjesën bregdetare e jugperëndim, parashikohen me intensitet të lartë me rrebeshe dhe rrufe.
Në Alpe, do të nisin reshjet e dobëta të dëborës.
Deri ditën e enjte, reshjet do të vijojnë në të gjithë vendin hera-herës dhe në formën e shtrëngatave me rrufe, kryesisht në bregdet.
Ditën e premte, reshjet kanë tendencën të mbeten të lokalizuara, vetëm përgjatë bregdetit.
Drejtimi dominues e erës, do të jetë përgjithësisht nga kuadrati i jugut.
Hera herës, kryesisht në mesjavë, era do të fryjë e fortë dhe me rrahje në bregdet.