Oligarku rus Roman Abramovich mund t’i detyrohet Britanisë së Madhe deri në 1 miliard paund për shkak të një përpjekjeje të dështuar për të shmangur taksat, sipas dokumenteve të siguruara nga BBC.
Dokumentet tregojnë se investime me vlerë 6 miliardë dollarë (4,7 miliardë paund) janë kanalizuar nëpër kompani në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI). Por provat sugjerojnë se këto investime janë menaxhuar nga territori britanik, gjë që do të thotë se ato duhet të ishin tatuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Një pjesë e parave që financuan Chelsea FC, kur Abramovich e zotëronte klubin anglez, mund të gjurmohen deri te kompanitë e përfshira në këtë skemë, sipas BBC dhe Byrosë së Gazetarisë Investigative.
Në qendër të skemës është Eugene Shvidler, ish-drejtor i Chelsea FC dhe biznesmen miliarder, i cili aktualisht po sfidon sanksionet britanike për lidhjet e tij me Abramovich. Shvidler jetoi në Britani nga viti 2004 deri në vitin 2022, përpara se të transferohej në SHBA pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Një ekspert tatimor tha për BBC se fakti që Shvidler ka marrë vendime strategjike mbi investimet ndërsa jetonte në Britani është një “provë e fortë” që kompanitë duhet të ishin tatuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumentet e rrjedhura tregojnë se nga 2008, Shvidler kishte fuqi të plotë për të menaxhuar investimet e Keygrove Holdings Ltd, kompania në BVI që mbante këto investime. Ai vepronte nëpër Millennium Capital Ventures Ltd, e cila i jepte atij autoritetin për të vendosur mbi investimet.
Një padi e vitit 2023 nga Komisioni i Letrave me Vlerë në SHBA kundër Concord Management, një firmë në Nju-Jork që këshillonte kompanitë e Abramovich për investime, e identifikoi Shvidlerin si “Personi B” që merrte vendimet për investime.
Ekspertja tatimore Rita de la Feria e quajti këtë një “provë të fortë” se menaxhimi i kompanive nuk bëhej nga BVI, por nga Britania, duke sjellë detyrimin për pagesë tatimore në Mbretërinë e Bashkuar.
Përveç kësaj, dokumentet tregojnë sesi fitimet e patatuara nga këto investime kaluan përmes një rrjeti kompanish përpara se të përdoren për financimin e Chelsea FC. Fitimet fillimisht u rikthyen te Keygrove, e cila i dha hua kompanive të tjera të Abramovich-it, për të kaluar më pas tek Camberley International Investments Ltd, kompania që financonte Chelsea FC.
Llogaritë tregojnë se, nëse HMRC do të hetonte rastin, Abramovich dhe kompanitë e tij mund të detyrohen të paguajnë më shumë se 500 milionë paund në tatime të papaguara. Por nëse shton gjobat dhe kamatëvonesat, shifra arrin deri në 1 miliard paund.
Pas shitjes së Chelsea FC, 2,5 miliardë paund nga fitimet e shitjes mbeten të ngrira në një llogari bankare në Britani. Abramovich kërkon që këto fonde të shkojnë për “të gjitha viktimat” e luftës në Ukrainë, por qeveria britanike insiston që ato të përdoren vetëm për ndihmë humanitare për Ukrainën.