Gjatë vitit 2016, viti i fundit për të cilin janë dhënë statistika zyrtare, borxhi publik rezulton të jetë ulur me 1.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke hyrë, për herë të parë që nga viti 2010, në trajektore rënëse. Në fakt, pavarësisht nga përpjekjet e nisura që në 2013-ën, qeveria Rama 1 nuk arriti dot në tre vitet e para të ulë borxhin, pavarësisht nga bllokimi i shpenzimeve kapitale dhe rritja e të ardhurave buxhetore.
Ky borxh arriti deri në 72% të PBB-së, pasi u mor edhe hua e re nga FMN dhe BB për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve të mëdha të prapambetura. Tanimë, në strategjinë e menaxhimit afatmesëm të borxhit publik, të miratuar në fund të nëntorit 2017 nga Këshilli i Ministrave, është vënë si detyrë që deri në fund të vitit 2020 raporti i borxhit të qeverisjes qendrore ndaj PBB-së të arrijë në 63 për qind.
Qeveria ka përcaktuar tri rrugë strategjike që mund të ndiqen për të arritur objektivat e veta në uljen e borxhit publik. Sipas varjantit të parë, në tregun e brendshëm do të përqendrohej 90% e huamarrjes dhe financimi i huaj do të përqendrohej vetëm në vijimin e objekteve në punë e sipër dhe huatë nga FMN, etj. Kjo ofron koston më të ulët. Por mund të rriste interesat e bonove të thesarit. Strategjia e dytë synon 80-85% hua në tregin e brendshëm dhe 100 milionë euro në vit hua të re të jashtme. Kjo ka kosto më të lartë, por ul rrezikun ndaj kursit të këmbimit.
Ndërkohë, rruga e tretë e propozuar është dalja në tregun financiar ndërkombëtar me një Eurobond të tretë, duke qenë edhe se ai aktuali përfundon më 2020. Po qeveria e sugjeron këtë që të kryhet që në vitin 2018 dhe me një vlerë prej 400-500 milionë eurosh. Kostoja është më e lartë akoma, por siguron fondet në valutë për ripagesa borxhesh që janë të shumta në vitin 2019.
Eurobondi
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar dalje në tregun financiar ndërkombëtar me një Eurobond të tretë, duke qenë edhe se ai aktuali përfundon më 2020. Por dikasteri sugjeron që të kryhet që në vitin 2018 dhe me një vlerë prej 400-500 milionë eurosh
Energjia
Shqipëria, pak përparime për ligjet mbi naftën
Nafta duket të jetë sektori ku Shqipëria ka bërë më pak përparim lidhur me përafrimin e legjislacionit dhe plotësimin e detyrave të lëna nga Plani i Veprimit një vit më parë. Përfaqësuesi i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, raportoi në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ku bëri një përmbledhje të ecurisë së vendit në disa aspekte gjatë vitit 2017.
Sekretariati ka nënvizuar se energjia tashmë ka hyrë në rrugën e reformimit prej kohësh, por mbeten ende të paplotësuara disa aspekte dhe për këtë ka nxjerrë edhe konkluzionet. “Aktet ligjore sekondare duhen përditësuar dhe miratuar sipas ligjit, përfshirë rregullat e balancimit/kodin e rrjetit të OST. Duhet përfunduar certifikimi i OST, në bashkëpunim me Sekretariatin si dhe të përfundojë ndarja e OSHEE (duke përfshirë një program pajtueshmërie).
Çmimet e KESH dhe OSHEE të liberalizohen plotësisht, DSP (furnizuesi publik) të përdoret në mënyrë të veçantë dhe të kufizuar, në përputhje me ligjin” thuhet në raport.
Lidhur me naftën, Shqipëria ende nuk ka vënë në zbatim pjesën që lidhet me rezervat e emergjencës. “Janë gati dy projektligje, me shumë pak ndryshime, në lidhje me mbajtjen e rezervave emergjente të naftës. Megjithatë, nuk janë marrë ende vendime përfundimtare se cili është projektligji më i përshtatshëm”, – vlerëson Sekretariati./Shqiptarja.com