Aty ku Kim Jong-un nuk arrin, arrin motra e tij Kim Yo-jong. Krahu i djathtë dhe këshilltarja e liderit të Koresë së Veriut, duket se ka shpallur haptazi armiqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundmi, Yo-jong ka thënë prerazi se “një incident tronditës është i pashmangshëm” nëse aeroplanët e spiunazhit amerikan vazhdojnë të fluturojnë në lindje të gadishullit Korean. Të hënën më 10 korrik, Pheniani dërgoi avionët e tij përgjues për të pastruar hapësirën ajrore, hapësirë, duhet të specifikohet, që Koreja e Veriut e konsideron zonën e saj ekskluzive ekonomike. Është një brez i thellë 200 milje detare në brigjet e Koresë së Veriut.
Megjithatë, avioni amerikan u rishfaq menjëherë pas kësaj, 400 milje në lindje të brigjeve, sipas propagandës së vendit. Në total, mbrojtja ajrore e Koresë së Veriut numëroi “8 ndërhyrje amerikane”.
Sipas ligjit ndërkombëtar detar, ujërat territoriale të Koresë së Veriut shtrihen për vetëm 12 milje detare ose 22 km. Pentagoni, i përballur me kërcënimin, u përpoq të qetësonte situatën duke shpjeguar se Shtetet e Bashkuara “si gjithmonë janë të përkushtuara për të fluturuar dhe lundruar në mënyrë të përgjegjshme dhe të sigurt kudo që lejohet nga ligji ndërkombëtar”.A do të mjaftojë?
Nuk është “incidenti” i parë që vë përballë dy vendet. Në vitin 1969, koreano-veriorët rrëzuan një avion zbulues të marinës amerikane që fluturonte mbi Detin e Japonisë për të kontrolluar komunikimet. Asokohe, 31 ushtarë amerikanë në bordin e Lockheed L-1049 Super Constellation u vranë, por SHBA vendosën të mos reagonin me forcë. Tani, duke marrë parasysh tensionet e vazhdueshme mes dy shteteve, i njëjti reagim nuk është i siguruar.