Deputeti Spartak Braho ditën e djeshme gjatë zhvillimit të seancës së radhës nga Komisioni Hetimor reagoi ndaj deklaratave të presidentit Ilir Meta për mosnjohjen e Parlamentit.
Braho kërkoi arsyen se pse Meta nuk është paraqitur teksa u shpreh se mosnjohja e Parlamentit dhe legjitimitetit të Kuvendit është një puç. Sipas tij nëse Presidenti i Republikës e quan abuziv Komisionin Hetimor, duhet të kujtohet që para 4 vitesh ai Parlament dhe ajo legjislaturë e zgjodhën atë president. “Para se të vendosim dua të di shkakun e vërtetë pse s’vjen.
Më zuri veshi se thatë që nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit. Ta lexojmë, nëse nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, ky është puç, nuk njeh më Republikën Parlamentare, kështu është? Na e lexoni edhe një herë të lutem si është? Meqë është rasti, dua të nënvizoj faktin që në këtë përgjigje, Presidenti i Republikës e konsideron Komisionin Hetimor Parlamentar, abuziv dhe që vepron jashtë përcaktimeve Kushtetuese.
Dua të theksoj fiks para katër vitesh ne e kemi zgjedhur president, ky Parlament, kjo legjislaturë, e ka zgjedhur atë President”, tha Braho. Ndërkohë edhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca u shpreh se Meta ka dhënë shembullin më të keq për një president. Ai tha se degradimet e Metës kanë nxitur përçarje dhe goditje. Ndreca u shpreh se kreu i shtetit nuk duhet të jetë më në atë zyrë pasi duhet të japë dorëheqjen që ka premtuar.
Sipas tij, presidenti i ka plotësuar të gjitha kushtet për mos qenë më në Presidencë. “Ka arsye të mjaftueshme që të bëjmë precedent. Presidenti është mbi palët dhe nuk duhet të përfshihet në agjenda të ditës, është rol honorifik, ai duhet të bashkojë popullin dhe jo ta ndajë. Meta ka treguar shembullin më të keq si drejtohet Presidenca.
Presidenti ka degraduar në thirrje përçarëse, ka goditur njërën palë politike. Kreu i shtetit ka thënë se do japë dorëheqjen nëse Rama fiton. Meta nuk duhet të jetë më në atë zyrë. Meta mund të jetë një aktor politik, por nuk mund të jetë më në atë institucion, që u përket gjithë shqiptarëve. Mendoj se këtë herë janë plotësuar të gjitha kushtet që presidenti aktual mos të jetë më aty”, tha Ndreca.