Byroja Kombëtare e Hetimit shumë shpejt do të jetë funksionale. Prej disa ditësh Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ndezur motorët dhe po zhvillon fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të BKH. Në garë janë plot tetë emra që kanë shfaqur interes për t’u bërë drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa ditën e djeshme janë zhvilluar intervistat e para me kandidatët në një panel ku kanë qenë të pranishëm tre anëtarët e komisionit si dhe ekspertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë ndjekur nga afër të gjithë procesin.
Kështu, e para që iu nënshtrua intervistimit ishte Aida Hajnaj Veizaj me detyrë zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ajo doli para tre prokurorëve të posaçëm të SPAK-ut, Arben Kraja, Ened Nakuçi dhe Behar Dibra, teksa u pyet mbi njohuritë për ndryshimet kushtetuese, ligjet e reformës, vizioni për drejtimin e BKH si dhe menaxhimi i çështjeve të mbartura. Më pas, para treshes së prokurorëve doli ish-drejtori i Departamentit të Hetimit të Organizuar, Ardian Cipa; oficeri i karrierës së ndërlidhjes në Itali, Artur Beu dhe ish-drejtori i Policisë Vendore në Tiranë, Ervin Hodaj. Ndërkaq, ditën e sotme do të intervistohen katër kandidatët e tjerë Gentjan Shehaj, Lindita Nushi, Idajet Faskaj dhe Ylli Pjetërnikaj. Kujtojmë që, intervistat vijnë pas testit të makinës të së vërtetës ku iu nënshtruan të 8 kandidatët, ndërsa në fund për secilin prej tyre do të përdoret një sistem pikëzimi.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion bëjnë me dije se javën që vjen, emrat e tre kandidatëve të përzgjedhur pritet t’i kalojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të kryer emërimin. Ndërsa kreu i BKH-së do të nisë punën për zgjedhjen e kandidatëve për oficerë të policisë gjyqësore. Pra, duke parë punën dhe vendosmërinë e SPAK e SHBA, gjasat janë që brenda muajit mars të zgjidhet kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, zgjedhje e cila do t’i japë një frymë të re luftës kundër korrupsionit.
Drejt përfundimit godina e BKH
Por teksa na ndajnë pak ditë nga zgjedhja e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, gazeta ka mësuar se kati i fundit i SPAK-ut po boshatiset nga mobiliet për t’u kthyer në zyrat e reja të BKH-së. Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mjafton vetëm ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por edhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo pasi hetuesit e kësaj të fundit do të jenë ata që do të dërgojnë të korruptuarit para SPAK. Kështu që, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shkon drejt përfundimit edhe godina e BKH. Sipas informacioneve, mësohet se në katin e fundit të godinës së SPAK do të instalohen pajisjet më të mira dhe që kanë ardhur nga SHBA, në mënyrë që hetuesit e BKH ta kenë shumë të lehtë punën dhe që të thellojnë hetimet për të çuar para drejtësisë ata që deri më dje cilësoheshin si të “paprekshëm” në Shqipëri. Pra, shumë shpejt pritet që të kemi gati godinën dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të godasë korrupsionin dhe krimin e organizuar./Sot/ RIGELS SELIMAN