Brenga ime shqiptare’ është libri i italianit Aldo Renato Terrusi, i cili rrëfen tmerret që përjetoi i ati i tij, Xhuzepe Terrusi, në burgjet komuniste derisa vdiq.
Në këtë libër, ai flet edhe për nënën e tij, një italiane bukuroshe, Aurelia Pozeli, e cila kishte njohje personale edhe me Enver Hoxhën.
Aurela, ishte motra e Xhakomino Pozelit, portierit të famshëm të Kombëtares shqiptare që fitoi Ballkaniadën në 1946-ën.
Historia e trishtë e familjes italiane, nis me arrestimin dhe burgosjen e Xhakomo Pozelit, i cili ishte drejtori i bankës së Vlorës. Ai u burgos me akuzën për tradhti dhe se ka dërguar floririn shqiptar në itali.
Xhakomino, i vëllai i Aurelës rrëfen se e motra e tij dhe Enver Hoxha ishin njohur në Gjirokastër, madje Hoxha i kish propozuar asaj fejesë duke marrë refuzimin e saj, vite më vonë, sistemi që Hoxha drejtonte fut në burg bashkëshortin e Aurelias.
Historia e dhimbshme e familjes Pozeli-Terrusi, vjen në librin “Brenga ime shqiptare”- një botim i cili rrëfen udhëtimin e Aldo Renato Terrusit dhe të dajës së tij, Xhakominos, që u kthyen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh nga koha kur shteti komunist i deportoi.
Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes.
Më poshtë është rrëfimi Xhakomino:
Në vitin 1946 u organizua e para Ballkaniadë në Shqipëri dhe kombëtarja jonë e futbollit duhej të përballej me atë të Rumanisë, Bullgarisë dhe Jugosllavisë… Kështu fillova të luaja si portier titullar kundër tre ekipeve konkurrente: Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë
Ekipi ynë fitoi ndaj atij të Jugosllavisë dhe për të festuar fitoren, u bë një pritje e madhe në Dajti me ushqime, kërcime e muzikë.
Me atë rast erdhi të na nderonte me vizitën e vet kreu i rinisë shqiptare, Naku Spiru, një shok i dashur, me të cilin kishim qenë bashkë në shkollën italiane të Korfuzit, edhe pse ishte disa vjet më i madh se unë. Isha bash në treme të Dajtit kur hyri ai i shoqëruar nga agjentët e policisë shqiptare që i shërbenin si truproje.
U afrua dhe më përshëndeti tërë entuziazëm në emër të miqësisë sonë dhe pasi më uroi për fitoren e shkëlqyer, më pyeti në mund të më ndihmonte me ndonjë gjë.
Atëherë i kërkova nëse mund të më ndihmonte me një nder krejtësisht personal. “Kunatin tim, si gjithë drejtorët italianë të bankave, e kanë futur në burg dhe ndërkohë që shumica janë liruar, ai akoma jo.
Është akuzuar, ashtu si të tjerët, se ka dëmtuar financat e shtetit, për shkak se ka dërguar në Itali arin shqiptar. Në të vërtetë nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk ka asnjë arsye se pse e mbajnë në burg.
Mund të ketë vetëm motive hakmarrjeje ose… shkëmbimi… me fjalë të tjera, peng”.
Naku më pyeti a isha i sigurt në fjalët që sapo thashë.
“Pa pikë dyshimi”, iu përgjigja. “Unë mund të rri këtu akoma, të luaj dhe të punoj, por ama atë, bashkë me të shoqen dhe të birin, dërgojini në Itali.
Të lutem, bëj ç’të kesh në dorë”. Më tha që do të përpiqej të më ndihmonte. Pas pak ditësh morëm vesh lajmin e vdekjes së Naku Spirut. Një ndjenjë e fortë shtypjeje dhe pafuqie më bllokonte trurin, por duhej të reagoja dhe të shmangia rënien në dëshpërim dhe në panik.
I vetmi njeri miqësor që mund të na ndihmonte njëfarësoj kishte vdekur. Shpjegimi zyrtar nga burime të qeverisë theksonin se Spiru ishte vetëvrarë pa dashje me një të shtënë ndërsa pastronte pistoletën e vet.
Me sa dukej, regjimit nuk i shkonte për shtat dhe kishin gjetur një mënyrë për ta hequr qafe.
Ishte komunist, por padyshim që Enveri nuk e honepste dot sepse ai kishte treguar njëfarë simpatie për italianët… madje dhe kishte qenë në shkollë me ta.
Iu bë funeral shtetëror me të gjitha nderet.
Shumë herë, si Melisi, ashtu edhe unë kemi shkuar në komitetin qendror që të takonim Enver Hoxhën ose për të folur me ndonjë nga vartësit e tij, por gjithçka më kot.
Ndonjëherë nuk pranonin fare, herë tjetër thoshin të prisnim por nuk vinte askush, ndërsa ndonjë herë tjetër madje përballeshim me sjellje të pacipa shantazhi.
Një herë Melisi shoqëroi Aurelian, e cila shpresonte të takohej me Enverin personalisht dhe t’i kërkonte faljen e të shoqit në emër të miqësisë së hershme, por ai u justifikua duke thënë se arsyet shtetërore e pengonin të ishte shpirtmadh: po të dorëzohej para kërkesës së saj, do ta pësonte edhe vetë pushteti dhe hierarkia e tij. Por në vijim ama, Aurelian e thirri disa herë një nga puthadorët e Enverit që i bënte vetëm propozime të papërsëritshme në këmbim të një lëshimi të mundshëm të të shoqit.
Unë e nënshkruara Aurelia Terruzi, bashkëshortja e Xhuzepe Terruzit, ish-funksionar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ju paraqes kërkesën në vijim, e bindur që ky komision do ta marrë në shqyrtim me dashamirësi dhe paanësi.
Familja ime mbërriti në Shqipëri në vitin 1928 dhe u vendos në Gjirokastër. Aty u njoha dhe u martova me të sipërpërmendurin. Gjatë dhjetë viteve të jetës bashkëshortore në fillim në Gjirokastër, Sarandë dhe më vonë këtu në Vlorë, nuk di të jetë marrë kurrë me politikë, përveçse me punën e tij në bankë, për të mirën e vendit. Në të tria vendet ku ka punuar si nëpunës banke, është përpjekur të mbajë marrëdhënie shumë të mira me banorët vendas, të cilët e kanë parë përherë me simpati, edhe atëherë kur u shpërngulëm nga një qytet në tjetrin banorët na përcollën me mallëngjim dhe dashuri.
Jam e sigurt se për sa është shkruar më sipër do të merret në konsideratë. Kam besim të plotë, sepse janë shprehje e shpirtit tim që po vuan për të rritur djalin e vetëm, sepse për popullin me të cilin kam kaluar ditë të bukura të jetës sime dhe vuajtje gjatë luftës, kam ndjenja dashurie dhe vëllazërie.
Unë, e bindur në Drejtësinë e Popullit Shqiptar, lutem që çështja ime të merret në shqyrtim me hollësi dhe t’i jepet bashkëshortit liria, për të mirën e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të mbarë botës. Mbetem në pritje të pranimit dashamirës që do t’i rezervoni lutjes sime.
Vlorë, 7 Dhjetor 1945 Aurelia Terruzi
Bashkëshorti i Aurelias, Xhuzepe, ndodhet në burgun e Vlorës bashkë me Belucin që nga prilli i vitit 1945. Aurelias nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i shkruajë një letër të thjeshtë dhe të kujdesshme Komisionit hetues, në mbrojtje të të shoqit, për dhënien e lirisë.
Ajo përshkruan shkurtimisht karakterin dhe zakonet e burrit me të cilin ndau për 10 vjet jetën e saj: ai ka qenë përherë një bashkëshort i përsosur, një nëpunës kërkues nga vetja dhe korrekt me vartësit e tij, një mik, i parë me simpati nga banorët vendas, që nuk ishte marrë kurrë me politikë, që kishte një djalë 3 muajsh i cili do të rritej pa të atin.
Të gjithë kishin shpresa dhe një bindje të arsyeshme në faljen e Gjykatës, edhe pse regjimi, të cilit edhe ajo vetë i ishte nënshtruar, zor se jepte shpresa për lirimin.
Presioni që hija e Enver Hoxhës hidhte tashmë në të gjitha hallkat e nomenklaturës ishte shumë i fortë. Shoqëruar me akuzën e Komisionit për Krimet e Luftës ndaj Xhuzepes të tre krimeve që i visheshin, merren, ndaras, edhe dëshmitë me shkrim dhe me kundërfirmë të disa dëshmitarëve.