60-vjeçari, Brett Kavanaugh është gjyqtar i Gjykatës Supreme në SHBA, i emëruar nga Presidenti Donald Trump më 9 korrik 2018. Zgjedhja e tij si një nga 8 gjyqtarët e gjykatës më me pushtet në botë bëri bujë, pasi Kavanaugh njihej si ekstremist konservator, si një jurist që kishte bërë letrat në “hetimin” e Bill Clinton, por më e rëndë ishte akuza që i bëri publikisht ish-shoqja e klasës në gjimnaz, Christine Blasey Ford, për sulm seksual ndaj saj në fillim të viteve 1980.
Christine doli në Senat duke dëshmuar publikisht sy medias amerikane. Ajo tregoi me detaje çfarë i kishte ndodhur 38 vjet më parë, në një festë shkolle me shokun e saj Brett Kavanaugh. Ai i kishte futur duart pa dëshirë dhe ajo ndjehej e lënduar që prej asaj kohe. Në seancën publike në Senat, Kavanaugh u djersit që të bindte senatorët se ishte një veprim që nuk e kishte bërë, se s’mund të provohej. Askush nuk shkroi në mediat amerikane: “Po kjo pas 38 vjetësh u kujtua që i futën duart nëpër shalë?!”
Tre gra të tjera e akuzuan Kavanaugh për sjellje të pahijshme seksuale, por asnjë nga akuzat nuk u vërtetua. Kavanaugh i mohoi, u zgjodh gjyqtar suprem dhe më 20 janar të këtij viti, Trump u betua si president. Kushtetutën amerikane e mbante në duar Brett Kavanaugh.
Të krahasosh Brett Kavanaugh me Ols Dadon, apo me ndonjë Ols tjetër të drejtësisë shqiptare, është si të krahasosh ushtrinë e SHBA-së me atë të Shqipërisë, kush e ka më të fortë!
Por kjo histori amerikane nuk ka pse të mos merret si shembull për sistemin tonë. Tani që Ols-ët dolën në skenën gjyqësore, politike, mediatike, gjithkush ka të drejtë t’i njohë nga afër me çdo detaj, të metë por dhe virtyt.
Kristinat shqiptare mund të kujtohen që Ols Dadot, që sot bëjnë drejtësi puritane, kanë bërë pis me aktet e tyre – moralin e një djali të ndershëm, apo të një burri me bashkëshorte në krevat, apo të një zyrtari që nuk ka asnjë ngjashmëri me perversitetin e Safet Gjicit.
Mediat “burgdashëse” të Erion Veliajt shkruajnë në “mbrojtje” të Dados apo Banit, se si këta po goditen me të padrejtë pse po bëjnë drejtësi; shkruajnë për banalitetin e akuzave me seks, apo pse përmenden shtëpitë, pallatet që këta “Kavanaugh” të drejtësisë sonë kanë nëpër hipoteka.
Po nëse del ndonjë Kristinë dhe do të thoshte publikisht: “O.D më ka përdhunuar në 1996” – a do të fillonte një proces moral (penal) paralelisht me atë që po zhvillohet në SPAK?
Morali i një prokurori dhe gjyqtari special duhet të jenë special, ashtu si përzgjedhja e tyre, speciale. Special si fuqia që u është dhënë nga populli (Kushtetuta) për të burgosur e dënuar këdo në këtë vend, që nga Edi Rama deri tek Durim Bami.
Të gjithë kanë të drejtë të njohin Ols Dadon, Erjon Banin bashkë me të tjerët. Pronat, të kaluarën, jetën që bëjnë, hobitë e tyre. Nëse Ols Dado ka dëshirë të tradhtojë bashkëshorten me kë t`i dalë përpara, kjo duhet të dalë në publik dhe të vlerësohet në “gjyqin” popullor.
Nëse Erjon Bani, apo familja e tij ka 10 shtëpi, hotel e dyqane, atëherë duhet të dalë t’i thotë shqiptarëve, se ç’dreqin do që vendos “kokën në sater” me çunat e Dubait. Nëse e bën për të sakrifikuar çdo gjë për Drejtësinë, të dalë dhe ta thotë publikisht. Populli e jo garda do ta mbrojë!
Prokurorë e gjyqtarë specialë me miliona euro prona nuk i hyjnë në punë Shqipërisë.
As “varfanjakë” që i futen me kokë hetimeve për të kapur milionat e shokëve të korruptuar, jo.
Rroga dhe statusi i Kavanaugh në SHBA i mjafton atij dhe familjes së tij që s’ka as prona, as familjarë me miliona, as dëshira për të ndërtuar pallate apo hotele mbi token e mamit apo babit. Rroga i mjafton të dalë dhe të japë vendime me peshë botërore.
E njëjta peshore duhet të vendoset për drejtësinë tonë speciale. Rrogat dhe statusi “special” duhet të mjaftojnë për Olsi Banët. Nëse duan biznes dhe çekiç drejtësie bashkë, nuk munden. Peshorja anon…
Gurët e kësaj peshoreje duhet t’i vendosë së pari media, në kandarin e gjykimit mediatik “special”.
Dhe këtë ta bëjë para se të qëllojnë njëra-tjetrën me anësinë “Tani u kujtuat ju për Olsin eee, kur ia futi Veliajt?!”