Britania e Madhe ka sanksionuar një numër të madh personash të njohur politikë për shkak të korrupsionit madhor. Londra i ka njoftuar personalisht 27 personat që ka shpallur “Non Grata” në Shqipëri. Ambasadori Alastair King Smith e tha publikisht se emrat nuk do të bëhen publik dhe secili nga ata që janë futur në këtë listë e ka marrë zarfin privatisht si edhe mësohet se familjarët e tyre kanë shpëtuar nga sanksionet. I vetmi që e ka deklaruar marrjen e zarfit është Sali Berisha. Të tjerët po heshtin.
Nga burime konfidenciale disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e listës. Mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “Non Grata”. Ata akuzohen për korrupsion dhe për pastrim parash. Gjithashtu bëhet me dije, se disa nga provat që kanë fundosur politikanë të rëndësishëm në Shqipëri përveç Berishës, janë përgjimet e grupeve kriminale që disponon Londra. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga selia rozë, apo dhe Partia Demokratike. Por edhe pse zyrtarët e lartë socialistë po përpiqen ta fshehin, situata e ndezur brenda PS ditët e fundit tregon të kundërtën.
Ndërsa, Berisha, e ka bërë të qartë qëndrimin për këtë vendim të Mbretërisë së Bashkuar: “është lobim i Soros, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, i turpshëm, tendencioz, pa prova e fakte”. Ndërsa kryeministri Rama nuk ka rrugë tjetër, nuk mund të përdorë të njëjtën skemë për të pastruar imazhin e partisë së tij. I mbetet vetëm që të marrë masa, pasi sulmet ndaj Berishës dhe Partisë Demokratike që kur kryefoltorisiti u shpall “Non Grata” nga SHBA e vendosin “me shpatulla pas muri”.
Rama nuk mund të veprojë ndryshe nga kërkesat që i ka bërë opozitës se po drejtohen dhe mbajnë në gjirin e tyre deputetë të korruptuar, që kanë dosje me fakte të akuzuar për korrupsion nga ndërkombëtarët.
Reagimi i Britanisë për emra “Non Grata”
Londra nuk e mohoi, por as nuk e pranoi se në listën e zezë të qeverisë britanike ka emra nga mazhoranca. Ambasada tha se, Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë veprime ndaluese ndaj disa individëve shqiptarë me lidhje të dokumentuara dhe gjerësisht të publikuara me kriminalitetin dhe korrupsionin, por nuk zbuloi emra. “Nuk mund të zbulojmë emrat ose numrin e personave për veprimet që lidhen me emigracionin. Është një politikë e kahershme e Ministrisë së Brendshme britanike që të mos komentojë mbi statusin e imigracionit të individëve”, u shpreh ambasada britanike. Gjithashtu, i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, tha se kjo është vala e parë e një sërë veprimesh që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit”.
Lista “e zezë” me 27 persona
Britania e Madhe mbështetur mbi Regjimin e saj të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ka listuar si “Non Grata” 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën, ndër ta edhe shqiptarë. I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach ka deklaruar se këtë javë këta shqiptarë janë përballur me këtë vendim që nuk iu lejon hyrjen në këtë ishull mbretëror.
“Mbështetur mbi Regjimin tonë të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën. Një regjistër i ri i Subjekteve Jashtë Vendit do të krijohet mbi Aktin e Krimit Ekonomik, që u kërkon të gjithë atyre që fshihen pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë publik identitetin e tyre. Individët që dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre do të kenë pasoja dhe nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar”.
I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se pavarësisht arrestimeve të disa zyrtarëve nga SPAK dhe BKH, ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pa ndëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo.