Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit. Paralajmërimi është bërë dje nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith, i cili gjatë një interviste për televizionin “Klan”, mohon që qeveria britanike të ketë një listë tjetër me persona “non-grata”, por siguron që shteti britanik është i vendosur t’i ndalojë hyrjen çdo politikani, funksionari e sipërmarrësi të korruptuar apo të lidhur me krimin. Ai thotë se nëse kjo do të ndodhë do të jetë Londra që do të bëjë publike vendimet e saj.
I pyetur për akuzat e kreut të “Foltores”, Sali Berisha në adresë të tij, ai refuzon t’i komentojë, por bën thirrje tek pyetja e ish-kryeministrit se çdo i korruptuar të hetohet nga drejtësia shqiptare. Kujtojmë se një vit më parë aleatja jonë strategjike, Britania e Madhe e shpalli “non-grata” Sali Berishën, të cilin e akuzon për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vete e rrethit të njerëzve pranë tij.
Ndërkohë mes të tjerash dje ambasadori Alastair King Smith, deklaroi se pas nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeministrit Sunak dhe kryeministrit Rama ka pasur një ulje drastike të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kërkojnë azil në vendin e tij. Madje zoti Klan Smith thotë se nga 12 mijë shqiptarë që hynë një vit më parë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit ata janë më pak se 1 mijë, ose afro 90 përqind më pak.
-Zoti ambasador faleminderit që pranuat të zhvillojmë këtë intervistë së bashku. Dua ta filloj këtë intervistë pikërisht me një nga çështjet më të ndjeshme, emigracioni i paligjshëm. Ka pasur muajt e fundit një rënie të shifrave të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria nuk figuron nga Janari deri në momentin që flasim në 10 vendet që janë top lista e azilkërkuesve. Ka lidhje kjo me marrëveshjen e arritur mes dy kryeministrave vitin e shkuar?
Është kënaqësi t’ju shoh përsëri dhe të vlerësojmë progresin e arritur, sepse siç edhe ju thatë me të drejtë Komunikata e Përbashkët u nënshkrua nga dy kryeministrat Dhjetorin e shkuar dhe ka arritur faktikisht rezultate pozitive në një periudhë shumë të shkurtër. Nëse i kthehemi verës së shkuar, kujtojmë që pamë më shumë se 12.000 shqiptarë që hynë në mënyrë të jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke kryesuar të gjitha kombësitë, dhe kjo ka ndryshuar tërësisht këtë vit. Kemi vënë re rënie me 90% të kësaj shifre, kemi më pak se një mijë këtë vit dhe progresi pozitiv lidhet me bashkëpunimin mes vendeve. Këtu dua t’i jap realisht meritë Qeverisë së Shqipërisë për punën e bërë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer operacional. Në kuadër të marrëveshjes së përbashkët kemi ngritur një Task Forcë të Përbashkët për Migracionin ndërmjet agjencive tona ligjzbatuese, përkatësisht Policisë së Shtetit Shqiptar dhe agjencive tona ligjzbatuese, dhe ato po punojnë së bashku përditë me këto çështje, çka pasqyrohet në rezultate dhe shifra.
-Pati dhe një vizitë të ministrit britanik të Migracionit të Britanisë së Madhe. Çfarë u diskutua në takimin me ministrin e ri të Brendshëm?
Ishte vizitë shumë produktive dhe në kohën e duhur. Ministri jonë i Migracionit, Robert Jenrick ishte këtu për mbledhjen e ministrave të brendshëm në kuadër të procesit të Berlinit, por vizita e tij ishte një ditë më e gjatë që u mbush me program të zgjeruar së bashku me Ministrin e Brendshëm Balla. Ata vlerësuan progresin që sapo përmenda, dhe faktikisht monitoruan një fluturim kthimi. Deri tani janë kthyer rreth 3.000 vetë nga Mbretëria e Bashkuar, disa prej tyre shumë shpejt, përfshirë brenda 48 orëve, dhe ky është ndryshim i madh nga më parë, që do të thotë se marrëveshjet tona dypalëshe po zbatohen me sukses.
-Mbretëria e Bashkuar ka procedurat e lëshimit të vizave në këndvështrimin tim edhe më të ndërlikuara se SHBA-ja. Nuk e di nëse pikërisht ky fakt bën që shumë shqiptarë të mos kërkojnë të pajisen me një vizë dhe i drejtohen me një mënyrë jo të ligjshme Mbretërisë së Bashkuar. A mendon qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të ketë një, nuk po them liberalizim, por një lehtësim të procedurave?
Siç thoni edhe ju, nuk do të kemi mundësi të luftojmë migracionin e parregullt nëse nuk arrijmë të sigurojmë rrugë të sigurta dhe të rregullta për migracionin. Besoj se perceptimi i përgjithshëm është që Mbretëria e Bashkuar nuk i jep viza shqiptarëve, por ama shifrat tregojnë se raporti i dhënies së vizave për shqiptarët është faktikisht i lartë. Kështu, deri në fund të Qershorit të këtij viti duke nisur nga 12 muajt e shkuar, janë miratuar 61% e vizave turistike, 90% e atyre studentore dhe deri në 86% e atyre të punës, çka shënon rritje të konsiderueshme me vitin më parë kur kjo shifër ishte 15.000.
-Në Mbretërinë e Bashkuar po diskutohet edhe mundësia e rritjes së tarifave për pajisjen me një vizë. Sigurisht kjo besoj do prekë edhe Shqipërinë se nuk mund të bëjë përjashtim. Pse një rritje të pagesës?
Ne i shqyrtojmë gjithmonë tarifat e aplikimit për viza. Kostot po rriten në të gjithë fushat e mundshme për shkak të inflacionit dhe faktorëve të tjerë dhe kjo duhet të merret në konsideratë. Kështu që nuk besoj se çështja është aq e madhe sa mendohet.
-Ka pasur një lumë akuzash në adresën tuaj nga Sali Berisha. Kush është e vërteta juaj? E ka artikuluar shumë shpesh që ju jeni përdorur nga qeveria shqiptare dhe pa asnjë provë konkrete për të i keni sugjeruar qeverisë suaj që ai të shpallet “non grata”…
Siç e dini, ne nuk komentojmë për raste individuale, por dëshiroj të sqaroj diçka. Qasja jonë është e bazuar në një kontekst të gjerë të përmirësimit të llogaridhënies dhe dhënies fund pandëshkueshmërisë. Në këtë kuadër mbështesim aktorët vendas të drejtësisë që të jenë më efikase. Është pozitive të shohim ndjekjet më të mëdha penale dhe dënimin e personave të përfshirë në korrupsion ose kriminalitet dhe do të vijojmë të mbështesim dhe nxisim këto veprime këtu në Shqipëri. Gjithashtu sigurohemi që si Mbretëri e Bashkuar të marrim në konsideratë rastet e papërshtatshme në kuadër të të mirës publike, lidhur me individë të përfshirë në korrupsion dhe fusha të tjera të kriminalitetit, duke mos i lejuar të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar ose të kenë pasuri në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe do të vijojmë në këtë dhe ministrat do të përdorin instrumentet kur janë të nevojshëm.
-Po flitet këto kohë që ka pasur një listë të re. Sa e vërtetë është kjo? E di që emra nuk do kem, por jam e interesuar ta di nëse ka një listë të re pas asaj të vitit të shkuar?
Nuk bëjmë komente për spekulime apo zëra, kështu që nuk do të kem mundësi të përgjigjem specifikisht për këtë pikë. Këto vendime merren nga Qeveria Britanike. Vendimet merren në Londër dhe shpallen nga Londra kur ka vendime që duhet të shpallen, por nuk do të bëjmë komente derisa të jetë marrë vendim.
-Aktualisht nuk ka një vendim të tillë?
Siç thashë, këto vendime merren nga Londra. Qartësisht nuk e përjashtoj mundësinë në të ardhmen dhe këtë e kam thënë edhe më parë dhe është thënë edhe nga Lordi Peach kur u përcaktuan sanksionet në Korrik 2022, kjo është pjesë e një qasjeje botërore që do të vijojë, por edhe njëherë mund t’ju them që nuk komentojmë mbi spekulime dhe zëra.
-Një pyetje të fundit zoti ambasador. Në datën 16 Tetor në Shqipëri do të mbahet takimi i radhës i Procesit të Berlinit. A ka projekte konkrete për të mbështetur për këtë rajon dhe ajo që na intereson më shumë ne, për Shqipërinë?
Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht procesin e Berlinit dhe patjetër do të kemi ministra të jashtëm në samitin që po afron, sepse mendojmë së në këtë kuadër do të ketë diskutime shumë të rëndësishme. Një nga pikat e fokusit të procesit është menaxhimi i integruar i kufijve jo vetëm nga pikëpamja e sigurisë, patjetër këtu forcat e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë punën e tyre, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe e lehtësimit të udhëtimit në të gjithë rajonin. Ne do të mbështesim me sa mundemi për zhvillimin ekonomik, duam të investojmë më shumë në infrastrukturë në të gjithë rajonin, qoftë në energji të rinovueshme, hekurudha apo lloje të tjera infrastrukture, dhe këtë do ta bëjmë edhe për Shqipërinë. Kemi gati 14 miliard Paund financim eksporti të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur infrastrukturën dhe projekte të tjera, kemi shumë veprimtari në fushën e arsimit. Pra, procesin e Berlinit do ta mbështesim fuqishëm.