Nga Entela Resuli
Në mediat e huaja, por edhe në blogje të ndryshme, lexojmë gjithmonë e më shpesh për Shqipërinë turistike. Në shumicën e tyre, vendi ynë konsiderohet si një destinacion, i cili duhet konsideruar dhe zbuluar. Madje u sugjerohet turistëve për ta vizituar atë.
Ajo që na bën përshtypje është se, pothuajse në të gjitha shkrimet, në përshkrimin që i bëhet Shqipërisë nuk mungon periudha e diktaturës. Është një realitet që e ka kaluar vendi ynë dhe nuk mund të shmanget, por ajo çka ka lanë pas periudha e para viteve ’90 është kthyer në një destinacion për turistët e huaj. Ata kërkojnë gjithmonë e më tepër të shohin copëza të së shkuarës.
E shkuara e kërkuar e ditëve të sotme
Nuk ka ditë që në Tiranë të mos shohim grupet turistësh të huaj që ndalen përballë vilës së Enver Hoxhës në ish-Bllok. Kurioziteti për të kaluarën dhe gjurmët që ajo ka lënë është i madh.
“Është një vend i injoruar ende nga turistët, një parajsë e fshehtë, përballë Italisë, midis Greqisë dhe Malit të Zi: Shqipëria. Ujërat kristal të qartë, peizazhet malore, natyra e ruajtur …Shqipëria, që për një kohë ka qenë e distancuar nga bota për shkak të diktaturës komuniste, është duke tërhequr gjithnjë e më shumë turistë me një argument masiv: çmimet e saj të lira. Larg nga turizmi masiv dhe qytetet e maturuara, mund të zhyteni në zemër të të ashtuquajturës “Perla e Ballkanit”, thuhet në një reportazh të France 2 në Korrik të vitit të kaluar. Dy javë më parë, faqja e njohur turistike italiane “GoodTrekking.it” i kushtoi një artikull të gjatë Shqipërisë, ku ishte ndalur edhe të periudha e diktaturës.
“Kombi për vite ka qenë nën regjimin komunist (nga viti 1946 deri në vitin 1990) dhe shumë bunkerë të dukshëm në të gjithë territorin e dëshmojnë. Për të kujtuar këtë periudhë të historisë ushtarake dhe jetën e përditshme të njerëzve, u ndërtua një bunker muze BUNK’ART 2 pranë zonës së këmbësorëve të Tiranës, e cila rindërton ngjarjet e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë nga viti 1912 deri në 1991 dhe zbulon sekretet dhe tmerret e saj.
Një tjetër simbol është Blloku, lagja e modës e qytetit me restorante, bare, dhe kafene që dikur ishte zonë “e ndaluar” dhe e paarritshme në të cilën diktatori Enver Hoxha jetonte me anëtarët e vet dhe ku është akoma ish-rezidenca e tij e banimit, thuhet mes të tjerash në artikull.
Rreth 700.000 bunkerë të vegjël kanë mbushur fshatrat…
Allison Green, autore e shkrimit “75 arsye për të vizituar Shqipërinë” në eternalarrival.com përmend edhe “kohën e bunkerëve”
“Tirana është ndryshe nga cilido kryeqytet tjetër që kam parë. Është kaotik dhe plot gjallëri, unik dhe intrigues, i improvizuar dhe në përmirësim. Ka një ndjesi sikur ka ngecur në të kaluarën e në të njëjtën kohë po nxiton drejt të ardhmes, dhe është magjepsëse të jesh aty duke e përjetuar këtë.
Kryeqyteti i Shqipërisë ka qenë më e influencuar nga komunizmi se sa cilido qytet tjetër i këtij vendi, gjë që e bën ideal për të fiksuarit pas historisë dhe arkitekturës komuniste. Ka disa copëza shumë të habitshme arkitekture, sidomos Piramida, memoriali i braktisur i cili u ngrit për nder të diktatorit Enver Hoxha.
Jeta e natës në Tiranë është me të vërtetë e bukur. Më pëlqente shumë të dilja në lagjen e Bllokut, zemra e vjetër e besnikëve të partisë komuniste. Kjo është kthyer në një lagje luksoze, ku një birrë shkon e gjen për 2 Euro.
Bunkerët ofrojnë vështrim interesant në të kaluarën. Më pëlqeu vizita në Bunkart në Tiranë, i cili ishte bunkeri i ish-diktatorit Enver Hoxha, në rast sulm. Kjo është një pasqyrë interesante e psikologjisë së një njeriu të sëmurë, paranojak. Rreth 700.000 bunkerë të vogla kanë mbushur fshatrat, në vende që kurrë nuk do të mendohej se ishin në rrezik sulmi.
Në të vërtetë, nuk ka vend të krahasueshëm me Shqipërinë e shekullit të 20. Sipas Enver Hoxhës, edhe Jugosllavia e Titos, Kina e Maos, dhe BRSS i Hrushovit, ishin të gjithë shumë liberal dhe jo mjaftueshëm komunistë. Si pasojë, Shqipëria nuk kishte asnjë lidhje me vendet e tjera nga viti 1978 deri në vitin 1991. Kur diktatura më në fund u shemb, gjëra të tilla si bananet dhe xhinset blu ishin fenomene krejtësisht të reja. Edhe Koreja e Veriut sot ka një ekonomi më të hapur se Shqipëria para viteve 1990.
Por ka shumë më tepër se sa vetëm të kaluarën komuniste. Unë e kuptoj (dhe ndaj!) magjepsjen me të kaluarën e çmendur komuniste të Shqipërisë. Por, para kësaj, Shqipëria ka pothuajse 5.000 vite histori, me ndikim nga grekët, ilirët, romakët, venedikasit, bizantinët dhe osmanët”- shkruan në shkrimin e saj të dy viteve më parë.
Ejani në Tiranë që tani, përpara se ajo të bëhet shumë popullore
Në tetor të vitit të kaluar blogu spanjoll “Traveler.es” i kushtoi një artikull Tiranës, duke e cilësuar si qytetin më “cool” në Evropës.
Ku edhe këtu reliket e diktaturës u paraqitën si atraksion turistik.
“Pas zgjimit në vitet 90’ nga regjimi i egër i diktaturës komuniste, Tirana ka arritur sot të hapë dyert për turistët nga e gjithë bota. Midis relikeve osmane, italiane dhe politike, Tirana zbulohet në një rrugë bulevardesh të rrethuar nga minare, muralë socialistë dhe vepra arkitekturore që nuk do ti gjeni tjetër kund. Bukuria e këtij qyteti përforcohet më tepër gjatë muzgut, ku me shëtitjet e gjata në sfondin e një muzike shqiptare, më tepër se sa fundi i një ditë, duket si fillimi i një mbrëmjeje të paharrueshme. Çdo gjë, përmban një shenjë karakteristike shqiptare që ju lejon të mendoni se po zbuloni një nga sekretet më të mira të Evropës. Ejani në Tiranë që tani, përpara se ajo të bëhet shumë popullore.
Blloku është zona më interesante e Tiranës, një vend i ndodhur pak më tutje qendrës dhe Sheshit Skëndërbej, ku ndodhen Teatri i Operas dhe Galeria e Arteve. Kjo lagje më parë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë, ku për dekada me radhë hyrja ishte rreptësisht e ndaluar për pjesën tjetër të popullsisë. Kur diktatura ra në vitin 1990, Blloku u zbulua për herë të parë për gjithë Shqipërinë, dhe duke e parë tani mund ta imagjinojmë reagimin e njerëzve atëherë.
Me ndërthurjen e rrugëve të gjera të mbushura me pallate dhe hapësira të gjelbërta, Blloku nuk mund të largohej nga stili arkitektonik tradicional komunist. Ndër kafenetë, restorantet dhe dyqanet që do ta bënin “New York 5th Avenue” të zbehtë, Blloku do t’ju bëjë të pyesni veten për çdo suvenir që mund të keni marrë në shtëpi”, thuhet në shkrimin e blogut spanjoll.
“Vogue”: Zgjidhni Shqipërinë për një aventurë në Ballkan
Një shkrim i revistës prestigjioze italiane “Vogue” 6 muaj më parë tërhoqi vëmendjen e medieve në Tiranë.
Mes të tjerash në artikull jepej dhe një përshkrim i asaj që përfaqësonte Shqipëria dhe Tirana para 90’ dhe gjithë të këqijat që i solli regjimi diktatorial vendit.
“… Deri në rënien e komunizmit në 1991, rajoni nuk ishte i huaj për socializmin. Por sforcimi i Shqipërisë, nën udhëheqjen e diktatorit stalinist-maoist, mësues i kthyer në diktator Enver Hoxha, ishte veçanërisht i përqendruar dhe shtypës. Hoxha mbizotëroi mbi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985…”, shkruan Vogue.
Autori veçon në reportazhin e tij disa nga pikat më atraktive dhe interesante të Tiranës që mbartin dhe kureshtjen për tu vizituar.
“Përshkrimi në këtë të kaluar të shtrembëruar, është thelbësore për të kuptuar Tiranën e sotme, dhe një pikënisje kryesore është Muzeu Historik Kombëtar në Sheshin Skënderbej, një vend i organizuar kronologjikisht me objekteve arkeologjike. Edhe më i mahnitshëm është Bunk’Art, një prej atyre bunkerëve të fshehtë të luftës bërthamore në skajet e kodrës së Tiranës që është shndërruar në një muze. Këtu, në një labirint galerish, endesh nëpër zyrën e ruajtur të Hoxhës dhe shikon një video hipnotike të varrimit të tij. Në qendër të qytetit është Bunk’Art 2, një përkujtim për viktimat e regjimit të Hoxhës, i mbushur me fotografi dhe dokumente më domethënëse. Është efektivisht i pozicionuar pranë Shtëpisë së Gjetheve. Dikur shtabi i policisë sekrete të Sigurimit të Hoxhës, muzeu i imët ndriçon taktikat interesante të mbikëqyrjes së asaj epoke. Tirana nuk është ende një parajsë turistike, pavarësisht hijeshisë së saj, por pushuesit po shohin potencialin për të kaluar kohën këtu”, thuhet në artikull.
Agjencinë Britanike të Guidave të Turizmit e konsideroi vendin tonë një muaj më parë si destinacionin e muajit mars.
Artikulli fliste për vende të cilat turistët e huaj mund të vizitojnë, duke filluar që nga malet e larta që sipas tyre janë streha e fundit për disa specie, vendndodhjen perfekte gjeografike të Shqipërisë për vëzhgimin e zogjve të ndryshëm, si dhe një sërë vendesh të tjera me rëndësi historike.
“Muzeumet kombëtare ruajnë koleksione të pashoqe të sendeve të argjendta ilire, ikonave Bizantine dhe artit të Realizmit Socialist. Autoritetet kombëtare dhe lokale kanë filluar kohët e fundit të investojnë në ruajtjen e disa prej qendrave komuniste më të dallueshme dhe në kurimin e tyre, me qëllim që shqiptarët dhe vizitorët të mund të mësojnë për këtë periudhë të vështirë dhe të debatueshme. Tani ka tre qendra kryesore në Tiranë: Bunk’Art 1, Bunk’Art 2 dhe Shtëpia e Gjetheve, si dhe qendra e Dëshmitarëve dhe Kujtesës në Shkodër që mund t’i vizitoni për të mësuar më shumë për të kaluarën komuniste të Shqipërisë”, thuhej në shkrim.
Art brenda një bunkeri
Në fund të muajit shkurt ishte revista prestigjioze italiane, “Vanity Fair”, e cila i kushtoi një artikull ndryshimit të kryeqytetit të shqiptarëve ku evidenton pikat turistike. Dhe nuk kishte se si të mos ndalej të elementët e së kaluarës në kryeqytetin tonë.
“Qendra e Tiranës gjallon e gjitha rreth Sheshit Skënderbej: një zonë e ngjeshur ku sheh kisha, xhami, muze, si Muzeu Historik Kombëtar, brenda të cilit gjen historinë e Shqipërisë nga paleoliti deri në komunizëm.
Aty gjen Bunk’Art2 i cili i dedikohet viktimave të regjimit komunist dhe është ndërtuar në hapësirat e një bunkeri të vjetër (në Shqipëri numërohen 700.000 bunkerë të ndërtuar me urdhër të diktatorit Enver Hoxha, i pushtuar nga ankthi i një sulmi nga jashtë, që në fakt nuk ndodhi kurrë); ose shtëpinë e Gjetheve, në dhomat e së cilës janë arkivat e ish-Sigurimit, policia e frikshme sekrete që operonte gjatë viteve të diktaturës.
Ia vlen të largohesh pak nga qendra për të vizituar një tjetër Bunk’Art, ish-strehimi atomik i Hoxhës që shtrihet në këmbët e malit të Dajtit, sapo del jashtë Tiranës. Brenda tij ilustrohet në detaje historia moderne e vendit nga pushtimi italian deri në vitet e komunizmit, me një këndvështrim të veçantë në jetën e përditshme të shqiptarëve përgjatë këtyre viteve”- thuhet në shkrim.
Gazeta britanike ”Express” e konsideron Shqipërinë në një shkrim të tre muajve më parë si destinacionin me të ri të Evropës. Pak aromë nga diktatura nuk mund t’i shpëtonte edhe britanikëve.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, një vend që u mbyll si fizikisht ashtu edhe kulturalisht, u mbulua nga perdja e hekurt e sundimit komunist.
Gjurmë të gjalla të atyre viteve të egra, në mënyrë më dramatike janë të shprehura në formën konkrete të bunkerëve bërthamorë, të mbirë kudo si kërpudha që shënojnë relievin.
Prej 700 000 të tillëve, rreth 175 000 ishin të vështirë për t’u hequr dhe kanë mbetur ende tani si ikona të jashtëzakonshme, shpesh të kthyera në hambarë drithërash.
Mënyra se si vendi po përballet me të kaluarën e tij mund të shihet te Bunk’ Art 2 i hapur kohët e fundit dhe Shtëpia e Gjetheve.
Ish-strehimi antibërthamor, i ndërtuar për zyrtarët e lartë të qeverisë, është shndërruar në një muze nëntokësor me 40 dhoma, që ta nxjerr zemrën nga vendi, por që duhet vizituar patjetër.
Në dhomat dhe tunelet e tij, janë rikrijuar skena memorative nga koha e luftës dhe epoka komuniste në një mënyrë të habitshme, të tilla si fshesa shtëpie, ku janë vendosur pajisje përgjimi, histori dhe foto të të zhdukurve (që llogaritet të jenë më shumë se 50 000) dhe mure ku janë shkruar mënyrat e përdorimit të metodave të marrjes në pyetje. Asgjë nuk e bën më të dukshme daljen e Tiranës moderne nga kjo periudhë e errët sesa të shohësh kulturën shik të saj të kafeneve gjatë pasditeve”,shkruan Express.uk.
Pothuajse në të gjithë shkrimet ku promovohet turizmi në Shqipëri, përmendet e shkuara e vendit tonë, përderisa të huajt e kërkojnë kaq shumë, ndoshta duhet ta ruajmë dhe ta kthejmë në një atraksion turistik… pasi sa më shumë kalon kohë aq më shumë do i rritet vlera./Dita