Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar së fundmi një pretendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë që kërkonte shfuqizimin e një pike në ligjin “Për sigurimet shoqërore”. Bëhet fjalë pikërisht për pikën ku vitet e studimeve u njihen si vjetërsi pune vetëm femrave për efekt pensioni pleqërie. Kjo kërkesë duket se ka të bëjë me faktin që të përjashtuar janë meshkujt.
Konkretisht në objektin e çështjes thuhet “shfuqizimi si antikushtetues i nenit 91/4 të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, në pjesën ku parashikon se, vetëm femrat mund të përfitojnë periudhë sigurimi për efekt llogaritjeje pensioni për afatin e kryerjes së studimeve të shkollës së lartë, duke përjashtuar nga kjo e drejtë meshkujt”
“Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara, në mbështetje të neneve 131/1, “a” dhe 145/2 të Kushtetutës, si dhe të nenit 68 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi: rrëzimin e kërkesës” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Neni me trajtim të diferencuar gjinor
Neni për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë kërkonte shfuqizim në ligjin “Për sigurimet shoqërore” është neni 91, pika 4 që sanksionon periudhat e quajtura si periudha sigurimi.
“Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 1 shtator 2000 e në vazhdim, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo më shumë se 6 vjet, njihet periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie. Në kuptim të këtij neni, viti shkollor është me 12 muaj. Në këtë rast kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në kohën kur merret vendim për caktimin e pensionit” thuhet në ligj.
Shfuqizim i nenit do të thotë që ligji duhet të trajtonte si të barabartë dhe femrat dhe meshkujt duke mos ua njohur të dyve këtë pjesë si periudhë vjetërsie ose të amendohej duke shtuar dhe grupin e meshkujve.
Por, pavarësisht pretendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, që këtë përfitim të mos e kishin vetëm femrat, ai nuk është pranuar dhe bburrave do të vazhdojnë të mos u njihen vitet e sigurimit të periudhës së shkollimit. Monitor
d.b/shqiptarja.com