Sali Berisha është shprehur në emisionin “Zonë e Lirë” se Lulzim Basha është treguar I pabesë me vendimin që ka marrë për ta larguar nga grupi parlamentar.
Ai dha detaje në lidhje me komunikimin që ka pasur me Bashën në momentin që i ka komunikuar vendimin. Berisha u shpreh se e ka kundërshtuar vendimin e Bashës pasi nuk ishte tagri i tij dhe se kryetari i PD ua ka komunikuar vendimin deputetëve pasi ka paraqitur njëherë mesazhin.
Arian Çani: Në Nëntor të 2018-s, Bashës i bëra “pyetjen që vret”: A mendon se ka ardhur koha që të vrasësh babën? Basha u përgjigj: Kurrë!
Sali Berisha: Pabesia njerëzore thyen çdo normë dhe çdo moral.
Arian Çani: Pra Lul Basha i pabesë?
Sali Berisha: Normal. Një akt të cilin e njoftoi 20 minuta para se të dalë në mesazhine tij. Ma tha mua në telefon dhe unë e kundërshtova në mënyrë kategorike, sepse nuk ishte tagri tij një vendim i tillë.
I kërkova që kundërshtimin tim të jua përcjellë të pranishmëve në mbledhje. Në fakt ai kishte paraqitur më parë mesazhin më pas shkoi për t’ua komunikuar.
E bëri pa i lajmëruar. I la mbledhur për një orë, shkoi tek ata dhe i njoftoi. Pra mbledhjen e kishte bërë për t’i thënë vendimin.