Një ditë pas dhunës së ashpër të PD në protestën e mbrëmshme, ka reaguar ashpër, një nga partitë kryesore të PPE, përkatësisht CDU-ja gjermane, e cila me një gjuhë të qartë e ka konsideruar Sali Berishën si fajtor për frymëzimin e dhunës.
Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, nënvizon se çdo akt dhune është krejtësisht i papranueshëm dhe tërësisht i padenjë për një vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Në deklaratën e tij, Krichbaum vë në pah përgjegjësinë e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të marrë një qëndrim të qartë kundër dhunës dhe për të distancuar veten nga mbështetësit që kanë përdorur dhunën gjatë protestave.
Ai përmend të kaluarën e Partisë Demokratike si një forcë politike që dikur bazohej në vlerat dhe idealet evropiane, por që, sipas tij, është larguar gjithnjë e më shumë nga këto parime në vitet e fundit. Ky largim, siç shprehet Krichbaum, ka çuar në distancimin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag nga PD-ja, veçanërisht për shkak të rolit të Berishës, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak për shkak të akuzave serioze të ngritura kundër tij.
Reagimi i plotë:
Demonstratat paqësore kundër veprimeve të një qeverie janë normalitet në një demokraci. Megjithatë, aktet e dhunshme janë plotësisht të papranueshme dhe tërësisht të padenja për një kandidat për anëtarësim në BE. Nëse Berisha ende ka një fije besueshmërie, ai duhet të distancohet menjëherë nga ky lloj proteste dhe të përjashtojë dhunuesit nga partia. Fatkeqësisht, ekziston dyshimi se Berisha po i nxit këto protesta.
Në të kaluarën, PD ka qenë një parti që mbështetej në vlerat evropiane. Për fat të keq, është larguar gjithnjë e më shumë nga këto vlera. Me të drejtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe grupi parlamentar i CDU/CSU në Bundestag mbajnë distancë nga kjo parti opozitare dhe veçanërisht nga kryetari i saj, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpiak.
Kjo është arsyeja pse ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse partia ka fuqinë për t’u rinovuar,” tha Krichbaum. Ajo ka nevojë për një figurë të ndershme në krye. Ashtu siç një demokraci ka nevojë për një qeveri të fortë, ajo ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Përpjekja për të paraqitur konceptet dhe argumentet më të mira duhet gjithmonë të ndodhë pa dhunë.
Fakti që kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, është në masë të madhe përgjegjësi e zotit Berisha. Ai nuk duhet të paraqitet si një viktimë e një procesi të supozuar të motivuar politikisht. SPAK-u, që e ka vendosur atë në arrest shtëpiak, është përtej çdo dyshimi. Në fund të fundit, SPAK-u u krijua nën presionin e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave, Berisha do të ishte vendosur në paraburgim në çdo shtet të BE-së dhe jo në një arrest shtëpiak të rehatshëm.
by TaboolaSponsored Links