Analisti Frrok Çupi theksoi në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla se nëse nuk dënohet Sali Berisha për “Gërdecin”, atëherë mund të vihet në diskutim vetë ekzistenca e SPAK. Sipas tij, struktura antikorrupsion do të humbte besueshmërinë tek publiku dhe se ‘shteti do të binte përballë Berishës’.
“Ne kemi të bëjmë me një vijë të hollë midis politikës dhe drejtësisë. Në këtë rast, janë shumë ngjitur me njëra-tjetrën. Për arsyen kryesore sepse kjo vrasje masive e njerëzve është e urdhëruar dhe politike, për shkak të kryeministrit dhe të bijve të tij. Një vepër që është kryer në rrethana të ushtrimit të frikës, tensionit dhe presionit mbi ministrat e qeverisë.
Në këto rrethana, unë kam përshtypjen se nuk mund, e njoh parimin e pafajësisë, e respektoj atë që thotë Daci, por do të thosha që ky është një rast, është një mijë herë më mirë të krijohet një precedent me shkeljen e prezumimit të pafajësisë sesa të shkelet një precedent i vrasjes masive nga qeveria i një populli.
Ndodhemi para dy precedentëve, njëri juridik dhe tjetri politiko-juridik. Cili është më afër asaj që quhet interesi i popullit? Drejtësia dhe gjyqet në tërë botën kanë prevaluar interesat politiko-sociale të një populli të caktuar. Ndodhemi para një zgjedhjeve, nëse nuk dënohet ish kryeministri Sali Berisha, këtu varet edhe vetë ekzistenca e SPAK.
SPAK në atë moment humb tërë besueshmërinë në publik. A na duhet ne një drejtësi e re e promovuar prej SHBA, BE prej vullnetit qytetar. Ne e marrim SPAK-un, jo si një gjë të brishtë. E marrin si gjyqet e Nuremberugt, po aq i fuqishëm. Nuk kemi sy të shikojmë një SPAK të dobët. Nëse nuk reziston kësaj here drejtësinë, bie shteti përballë Berishës, përballë një dhune shumëvjeçare që ka rezultuar me Gërdecin”, tha analisti.