Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndryshuar mendje sa i takon krijimit të grupit anti-Basha në PD. Të enjten, ish-kreu demokrat shpërtheu në sulme të forta ndaj Bashës duke kërcënuar se do të mbledhë pas vetes të gjithë besnikët për të futur në shinat e demokracisë partinë.
Madje flitej se ai do të dilte dhe me një grup parlamentar më vete. Por dje Berisha u shfaq shumë ndryshe. Ai foli dy herë për mediat dhe ajo që ra në sy, ishte deklarata se nuk ka aspak ndërmend që të krijojë grup parlamentar më vete.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është grupi im. Në asnjë mënyrë nuk do të krijoj tjetër”, deklaroi ish-kryeministri. Kur u pyet se cila do të jetë lëvizja e tij e radhës, Berisha u përgjigj: “Lëvizjet e mia do t’i ndiqni me radhë”. Nga reagimi dje i Berishës duket se diçka ka ndodhur. Në prapaskenë po flitet për shumë lëvizje dhe dosje sekrete dhe pyetja që shtohet është: A është paralajmëruar Berisha për ndonjë tjetër lëvizje kundër tij gjë që e zbuti disi?
Në mbrëmje Berisha ishte në një emision televiziv ku u pyet dhe për surprizat që mund të vijnë nga SPAK. “Unë nuk i njoh vetes asnjë imunitet, asnjë lloj mburoje për çdo çështje që ka të bëje me mua apo fëmijët e mi që nga 1990 deri më sot, asnjë. Jam i hapur për çdo lloj hetimi mbi Tokë. Nëse ecim me prova të sajuara të kthehet bumerang. Kam kërkuar transparencë dhe vetëm kaq. Kërcënimet që kanë përcjellë për fëmijët e mi nuk kanë asnjë vlerë”, tha ai.
Qëndrimet e Berishës
Duke folur para gazetarëve, Berisha deklaroi se nuk e njeh vendimin e Bashës. Sipas tij përjashtimi është nul dhe ai do të shkojë në PD sa herë të dojë. “Në Kuvend më i motivuar se kurrë në jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë, interesin kombëtar të kombit shqiptar, për të dënuar të gjitha aferat e këtij regjimit të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjet, trillimin, kurthet, pazaret për eliminimin e opozitarizmit shqiptar.
Së çfarë date është pakti do t’ua lë historianëve, ajo që ndodhi është strikt një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë. Jam i bindur se demokratët shqiptarë do të vendosin PD në piedestalin që i takon. Do të marr çdo nismë ligjore, statusore brenda PD, për ta kthyer aty ku i takon. Unë jam kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike.
Vendimi është “un en voi”. Në çdo kohë mund të hyj në Seli dhe të jeni të sigurt ju që do të jetë shumë e afërt dita kur PD do të rifitojnë forcën”, tha Berisha. Pra duket se kemi një tjetër gjuhë të liderit demokrat. Të enjten ishte shumë i ashpër ndaj Bashës, duke folur dhe për dosje kundër tij, ndërkohë dje ka deklaruar se do të ndjekë rrugët ligjore që të rikthehet në gjirin e PD. Po ashtu dhe media pranë Berishës kanë zbutur reagimet dhe qëndrimet çka do të thotë se diçka ka ndodhur në prapaskenë dhe sinjalet janë se telashet për ish-kryeministrin sapo kanë nisur. /Kliti Topalli