Nga Carlo Bollino
Do të jetë nga zemërimi që vjen nga ndërgjegjësimi se është një humbës, do të jetë mosha që në vend që t’i sjellë mençuri e bën të kthehet pas drejt impulsivitetit adoleshent, por Sali Berisha nuk përmbahet më. Paaftësia e tij për të toleruar lirinë e mendimit zgjat vetëm disa minuta. Sapo në Report TV u transmetua mbrëmë sondazhi i Piepoli-t, i cili tregonte sipas shifrave se opinioni publik nuk i beson opozitës që ai drejton dhe Partia Socialiste shkon drejt një tjetër fitoreje zgjedhore në 11 maj, Berisha filloi të shkruante shpifjen e radhës kundër meje. Një tjetër kapitull i “metodës Bollino” që ai përdor kundër kujtdo që e kundërshton. Një metodë tipike fashiste.
Këtë herë, ai ka shkruar me dorën e tij një postim delirant në Facebook me emrin e tij (duke sqaruar kështu për të gjithë se kush është “qytetari i vërtetë dixhital”), ku sajon një komplot imagjinar të organizuar nga Edi Rama dhe Ulsi Manja kundër Erjon Veliajt, në të cilin, sipas tij, do të isha i përfshirë edhe unë. Roli im, sipas tij, do të kishte qenë që kam dëshmuar pranë SPAK ”për paratë e paguara nga Erjon Veliaj” për të goditur prokurorët dhe gjyqtarët që e mbajnë në qeli. Është qesharake, sepse prej tre ditësh dy papagajtë mediatikë të Berishës përsërisin një shpifje tjetër, sipas së cilës ato para i paskam marrë unë! Pra, sipas makinerisë së baltës së Berishës, unë duhet të jem edhe i akuzuari edhe akuzuesi! Nuk është për t’u habitur nga një njeri që më ka quajtur njëkohësisht fashist-komunist, e më pas peng, por edhe anëtar i SPAK-ut!
Kushdo që mendon se këto shpikje janë vetëm rezultat i një forme të rëndë të demencës senile, gabon! Berisha ka qenë gjithmonë i sëmurë kronikisht nga shpifja, edhe kur ishte i ri. Sulmi i tij i parë kundër meje mban datën 15 gusht 1993, që do të thotë 11.534 ditë më parë, siç dokumenton faqja e parë e “Rilindja Demokratike”, që e kam gjetur në arkivin tim. Berisha ishte vetëm 49 vjeç. Në atë kohë, unë drejtoja “Gazeta Shqiptare”, të cilën e kisha themeluar vetëm pesë muaj më parë, por që Berisha tashmë e urrente sepse ishte një gazetë evropiane dhe për këtë arsye, e pavarur. Edi Rama besoj se jetonte ende në Francë dhe nuk ishte futur ende në politikë. Fatos Nano tashmë ishte arrestuar nga Berisha para se unë të kisha mundësinë ta njihja, e megjithatë unë isha “mafioz”, armiku që duhej sulmuar dhe kërcënuar me linçim si bashkëpunëtor i kundërshtarëve të tij politikë. Nuk kishte rëndësi që unë as nuk i njihja ata.
Në fakt është e qartë se ajo që Berisha ka luftuar gjithmonë me sistemin e tij të neveritshëm fashist të shpifjes, nuk janë idetë e mia, e aq më pak ndershmëria ime, të cilën ai e njeh shumë mirë sepse e ka verifikuar gjatë gjithë viteve që ka qenë në pushtet. Ajo që ai urren është inteligjenca dhe sensi im i lirisë. Ai i ka urryer dhe vazhdon të urrejë të gjithë njerëzit inteligjentë dhe të lirë, ashtu si Enver Hoxha. Berisha është afër 81 vjeç dhe ende vazhdon: shpifja e tij e fundit kundër meje është postimi i tij delirant mbi komplotin anti-Veliaj, më 13 mars 2025, në orën 22:35!
Prej kohësh pyes veten: çfarë ”krimi” duhet të ketë kryer një gazetar që të dënohet me 32 vite linçim publik nga ky politikan ”non grata”, jo vetëm për SHBA dhe Britaninë e Madhe, por edhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve? Lexoj dënimet që SPAK u jep të korruptuarve apo trafikantëve të drogës dhe janë shumë shumë më të shkurtra sesa 32 vitet që më janë dhënë mua.
Amund të kushtojë kaq shtrenjtë liria e një gazetari në Shqipëri?
A ka të drejtë ky individ, i mbështetur nga tre apo katër përfaqësues të partisë së tij (numri i kamikazëve tashmë është reduktuar vëtëm në disa emra) me bashkëpunimin e dy mediave, të dyja të financuara me para të zeza – njëra prej tyre madje me fonde të dhuruara me dokumenta nga eksponentë të krimit – dhe, për këtë arsye, të dyja totalisht ilegale, a mundet kjo makineri e ndyrë shpifjesh të linçojë qytetarët pa pushim dhe të mbetet ende e pandëshkuar?
POST SCRIPTUM: Sa i përket përgjimeve të realizuara nga SPAK dhe të dorëzuara si prova të reja në procesin e apelit kundër Erjon Veliajt, në të cilin duket se përmendet edhe media ime ose emri im në një bisedë midis Veliajt dhe një familjari të tij, duke qenë se nuk kam asnjë urgjencë dhe natyrisht asgjë për t’u shqetësuar, do të jap një përgjigje publike sapo të kem mundësinë të lexoj dokumentet, sepse nuk kam as idenë më të vogël për çfarë bëhet fjalë. Ndryshe nga shpifësit e paguar të Sali Berishës, unë bëj gazetari sipas standardeve europiane dhe shpreh opinion vetëm duke njohur faktet e sigurta dhe pasi të kem lexuar dokumentet.