Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbajti fjalën e parë në Kuvend gjatë mbrëmjes së djeshme. Kryeemadhi përshëndeti nga foltorja e Kuvendit gratë e qeverisë Rama 3, të cilat i quajti shtylla kurrizore e Shqipërisë.
Më tej Kryemadhi shtoi se ato meritojnë të jenë luftëtarë pasi vendi jonë nuk ka nevojë për kukulla, por për njerëz të vërtetë.
“Zgjedhjet që kaluam na përballën me të pamundurën. Shumë kolegë i përmendën këtu por do dëshiroja që t’i kishin denoncuar të gjitha problematikat që ngritën. Që me shitblerjen e votës, që me ndihmën ekonomike, që me legalizimet, që me hipotekat, që me koncesionet, duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke vazhduar edhe më tej me hidrocentralin e Skavicës.
Do dëshiroja të shikoja se çfarë ndodh me opozitën? Dhe në fakt ndoshta mua nuk më takon kjo pyetje. Por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera. Në radhë të parë, për t’ju uruar grave të qeverisë, që janë 12 gra detyrën. Po për të mos qenë kukulla dhe instrument, thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen midis njëri tjetrit.
Gratë në jetën dhe familjen e shqiptarëve janë shtylla kurrizore e Shqipërisë. Janë ato që i bëjnë shtëpinë dhe familjet tona të lumtura. Janë gratë ato që rrisin me dashuri fëmijët dhe i mësojnë sesi të duan vendin. Është shumë e rëndësishme që gratë e qeverisë shqiptare të jenë gra me dinjitet, me integritet të kenë personalitetin dhe të bëjnë krenare të gjitha gratë e Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për njerëz të vërtetë.
Sepse gratë kanë mundësi të ngrihen për të luftuar për fëmijët e tyre, sepse ndoshta akoma tranzicioni politik nuk i ka lënë hapësirë që të këtë demokraci të vërtetë, asaj së cilës ne i kemi besuar disa dekada më pare”, tha Kryemadhi.